Për lopët-fabrika dhe kuriozitete tjera nga raportet e zëvendësministrave

Në shkurt të vitit 2017, Ministria e Integrimeve Evropiane dërgoi një lajm për media në të cilin raportohej se zëvendësministrja e parë priti në takim zëvendësministren e dytë dhe, ndër të tjera, e informoi edhe për procesin e liberalizimit të vizave. Në vendin më të izoluar në Evropë, pa një perspektivë të qartë evropiane, lajm përbën edhe takimi i dy zëvendësministreve të MIE.

Por, ky nuk është lajmi më absurd nga Qeveria e Kosovës. Lajme të tilla tani gjenden me bollëk në kabinetin e Qeverisë Haradinaj. Qeveria Haradinaj, e cila mori mandatin në shtator të 2017, deri më tani ka emëruar 76 zëvendësministra, apo 33 më shumë se sa qeveria paraardhëse. Ka ministri me gjashtë zëvendësministra, e shumë të tilla me nga pesë.

I gjendur përballë kritikave të publikut për emërime të shumta të zëvendësministrave, në fund të dhjetorit të 2017 kryeministri Haradinaj mblodhi në një takim të gjithë zëvendësministrat dhe u kërkoi që të përgatisin raport për 100 ditëshin e parë të punës së tyre. Përgjegjës për grumbullimin e raporteve të zëvendësministrave u caktua Besnik Tahiri, Koordinatori Nacional për Reformë Shtetërore, një pozitë e re kjo në nivel të ministrit. Deri më tani janë emëruar katër koordinatorë, një i tillë edhe për qentë endacak.

Kryeministri u nda i kënaqur me punën e zëvendësministrave. Në takimin e dytë që mbajti me të gjithë, Kryeministri deklaroi se nga raportet e tyre e ka kuptuar se “ka pasur angazhim konkret nga ana e zëvendësministrave, dëshmi kjo që secili e dini peshën e përgjegjësisë”. Këtë deklarim Kryeministri e bëri ani pse dhjetë zëvendësministra nuk i raportuan fare, tetë nga Lista Serbe dhe dy nga partitë tjera të koalicionit.

Por çfarë raportuan zëvendësministrat, me punën e të cilëve u nda i kënaqur Kryeministri?

Në momentin që Kryeministri ka kërkuar raport nga zëvendësministrat, si duket këta të fundit kanë filluar të mbajnë shënime dhe të evidentojnë çdo takim që kanë mbajtur, çdo pjesëmarrje në debate, çdo email të dërguar, çdo paraqitje në media. Për tu treguar më të besueshëm, shumë nga ta i bashkëngjisin edhe fotografitë e takimeve, e disa edhe agjendat e debateve në të cilat kanë marrë pjesë e edhe emailat që kanë pranuar.

Shumica e zëvendësministrave deklarojnë se kanë bashkëpunim të mirë me ministrin/en, por ka edhe të atillë që nuk janë takuar asnjëherë me shefat e tyre. I tillë është rasti i Gjergj Dedajt, zëvendësministër në Ministrinë e Punëve të Jashtme, i cili në raportin e tij dy faqesh deklaron se nuk ka pasur sukses të takojë ministrin Behgjet Pacolli, përkundër shumë kërkesave të tij. Të njëjtin fat e kanë pasur edhe Bashkim Musliu, zëvendësministër në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, dhe Naim Qelaj, zëvendësministër në Ministrinë e Drejtësisë, të cilët ankohen se nuk kanë marrë asnjë detyrë nga ministrat e tyre.

Shumica e zëvendësministrave kanë filluar punën me kohë që në ditët e para të emërimit, por ka edhe të atillë që kanë filluar punën pas një muaji. Arsye për këtë është mungesa e hapësirës për zyre. Isa Xhemajlaj, zëvendësministër në Ministrinë e Punëve të Brendshme, është emëruar nga Kryeministri më 9 nëntor 2017, por në mungesë të zyrës punën e ka nisur më 5 dhjetor 2017.

I pafat me zyre duket se ka qenë edhe zëvendësministri Bashkim Musliu. Gjergj Dedaj edhe më tej nuk ka siguruar një zyre të tij. Ai ankohet se i duhet të ndaj zyrën me asistenten dhe shoferin e tij. Disa ditë para se të dërgonte raportin për punën e tij 100 ditore, Dedaj i ishte ankuar Kryeministrit se madje nuk ka as televizor në zyre dhe kjo ia pamundëson kryerjen e detyrave të zëvendësministrit të punëve të jashtme.

Hyzer Gashi, zëvendësministër në Ministrinë e Financave, është i kënaqur me trajtimin e tij në ministri. Në raportin e tij ai deklaron se ka arritur të kompletojë zyrën me asistent, shofer, kompjuter e veturë që në javën e parë të punës. Ai nuk harron pa përmendur vizitat në zyrë që ka pasur për t’ia uruar pozitën e re. Z.Gashi në raportin e tij përfshin edhe emailat që ka pranuar nga bizneset, dikush duke u ankuar në akciza e dikush në “tatimin e dyfishtë në ujem”. Zëvendësministri Hyzer Gashi në raportin e tij përfshin edhe takimet me zëvendësministrat tjerë në kuadër të Ministrisë së Financave, si dhe emailat që i ka dërguar në adresë të asistentes së ministrit Bedri Hamza, për të kërkuar një takim konsultativ me ministrin.

Sipas raporteve, takimet me ministrat janë pjesë shumë e rëndësishme e punës. Kësisoj, Artan Berisha, zëvendësministër në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë raporton se është takuar me ministrin Shyqiri Bytyqi dhe e kanë lënë që një ditë të vizitojnë së bashku rajonin e Rogovës. Edhe Vesel Krasniqi, zëvendësministër në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, raporton se është takuar dy herë me ministrin Nenad Rikallo, apo në 10% të takimeve që i ka zhvilluar gjatë punës së tij 100 ditore.

Në raportet e tyre zëvendësministrat kanë përfshirë edhe dokumente që nuk mund të klasifikohen si raporte. Për shembull, Shukri Maxhuni, zëvendësministër në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, në vend të raportit ka përfshirë një projekt-ideor me të cilin ia shpjegon Kryeministrit rëndësinë e kullotave, që nga sundimi romak e këndej. Si teknolog me profesion, Maxhuni e konsideron profesionin e teknologut si thelbi i zhvillimit ekonomik. “Zemra e zhvillimit të një shteti është bujqësia; Zemra e bujqësisë është blegtoria; Zemra e blegtorisë është lopa; Zemra e lopës është fermeri; Zemra e fermerit është qumështorja; Zemra e qumështores është teknologu; Pa funksionuar ky zinxhir, nuk ka zhvillim. Kafshët qumështore janë fabrikë. Kush ka një të tillë ka një fabrikë”, i shkruan ai Kryeministrit.

Kurse Milazim Gashi, zëvendësministër në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim, në raportin e tij përfshinë edhe një memorandum mirëkuptimi me Institutin për Afirmimin e Marrëdhënieve Ndëretnike, e cila udhëhiqet nga Fatmir Sheholli, ku edhe përfshin një analizë të kësaj OJQ-je.

Zëvendësministrat gjejnë arsyet më të vogla për të dalë në vizita jashtë vendit, të cilat i quajnë “vizita studimore”. Afrim Bekteshi, zëvendësministër në Ministrinë e Diasporës dhe Investimeve Strategjike, shkruan se ka qenë në vizitë në Gjermani, për të shënuar dhjetë vjetorin e themelimit të klubit FC Kosova, i cili bën gara në ligat më të ulëta të Bayernit. Përvjetorët e klubeve sportive amatore janë të rëndësishme edhe për zëvendësministrat në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Isa Xhemajlaj, zëvendësministër në MPB, ishte mysafir në shënimin e dhjetëvjetorit të themelimit të klubit FC Schongau.

I hendikepuar nga mos komunikimi me ministrin, Gjergj Dedaj (MPJ) raporton se është takuar me kryetarët e komunave në Shqipëri, si dhe ka vendosur kurora lulesh tek “Përmendorja e Lirisë” në Vlorë. E për Burbuqe Bakija-Deva, zëvendësministre në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, takimi me grupin muzikor “Ashikët” përbën pjesë të rëndësishme të punës së saj 100 ditore.

Asnjë nga zëvendësministrat nuk raporton se si ndërlidhen takimet e tyre brenda dhe jashtë vendit me planin e punës së qeverisë, strategjitë e politikave që zbatohen nga ministritë, apo edhe objektivat shtetërore dhe në nivel të ministrive.

Si e avancon tutje agjendën qeveritare pjesëmarrja e zëvendësministrit të Punëve të Brendshme në përvjetorin e themelimit të klubit futbollistik FC Schongau?Si mund të rritet numri i njohjeve dhe anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare duke vendosur lule tek “Përmendorja e Lirisë” në Vlorë? Si mund të zhvillohet bujqësia me gojëdhëna se si në kullosat e Sharrit në kohët romake kanë kullotur 100 mijë krerë bagëti, kur as në 2018 nuk kemi statistika konkrete në sektorin e bujqësisë?

Raportet e zëvendësministrave mund të lexohen vetëm si dokumente satirike. Ato shpërfaqin më së miri menaxhimin qesharak të institucioneve shtetërore. Raportet më qesharake dhe me më së shumti gabime drejtshkrimore janë raportet e zëvendësministrave që para emrit të tyre vendosin shkurtesën “Dr.Sc.” dhe pas emrit titullin “profesor”. Nuk është edhe aq e çuditshme se si kryeministri Haradinaj emëron njerëz të paaftë në pozita të larta shtetërore, por si të njëjtit arrijnë të kalojnë edhe filtrin e institucioneve arsimore dhe marrin poste ligjëruesish në universitete?

Për këso lloj angazhimesh, nga Buxheti i Kosovës shpenzohen 1,150 euro në muaj për pagën e një zëvendësministri. Brenda një viti vetëm për pagat e zëvendësministrave shpenzohen mbi një milionë euro. Por pagat janë shpenzimet më të vogla që ndërlidhen me postet e zëvendësministrave. Secili nga ta ka të drejtë të një zyre, asistent, shofer, telefon, veturë, kompjuter, meditje, dreka zyrtare. E të gjitha këto janë vështirë të kalkulueshme.

Përveç çuarjes dëm të buxhetit të shtetit, zëvendësministrat ndikojnë në humbjen e besimit të qytetarëve në shtet, humbjen e respektit të partnerëve ndërkombëtarë në institucionet kosovare dhe paraqesin pengesë të madhe për punën e shërbyesve civil nëpër ministri. Thuajse secili zëvendësministër ka raportuar se javët e para i ka kaluar duke takuar udhëheqësit e departamenteve në ministri duke u njoftuar me punën e tyre. Një udhëheqësi të departamentit në një ministri duhet të takohet deri në gjashtë herë me gjashtë zëvendësministra të ndryshëm dhe t’ua shpjegoj detyrat e tij.

Tani që Kryeministri është ndarë i kënaqur me punën e zëvendësministrave dhe pasi zëvendësministrat janë liruar nga obligimi për të mbajtur evidencë për secilin takim dhe për ta dokumentuar me foto, ata janë të lirë të vazhdojnë angazhimin e tyre të papenguar, ashtu siç shprehej ish shefi i grupit parlamentar të PDK Adem Grabovci, në bisedat telefonike të përgjuara “…me punë të përditshme në ndërtimin e institucioneve të vendit dhe funksionalizimin e shtetit të Kosovës”, pas së cilës ia plaste një të qeshure të madhe.

Raporte të ngjashme

Gjergj Dedaj e raporton si punë vendosjen e luleve në lapidarin e Vlorës

Zëvendësministrja e llogaritë punë vizitën në Katedrale

Për lopët-fabrika dhe kuriozitete tjera nga raportet e zëvendësministrave