Haradinaj në takim me zëvendësministrat | Foto: ZKM
Haradinaj u Kërkon Punë Konkrete Zv.ministrave
Kryeministri Ramush Haradinaj është takuar sot me zëvendësministrat e qeverisë së drejtuar prej tij.
Sipas një komunikate të Zyrës së Kryeministrit, Haradinaj u ka kërkuar zëvendësministrave angazhime konkrete.
“Në takim Kryeministri Haradinaj ka kërkuar që secili nga zëvendësministrat të marrin detyrime dhe përgjegjësi të caktuara brenda dikastereve ku janë të emëruar”, thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.
Haradinaj u ka kërkuar zëvendësministrave që deri më 10 prill të përgatisin raportin për punët e kryera me iniciativë të tyre.
“Kryeministri Haradinaj ka kërkuar njëkohësisht nga zëvendësministrat që më 10 prill 2018, secili nga ta, të paraqesë një raport me shkrim për 100-ditëshin e dytë të qeverisjes, rreth punëve konkrete që janë bërë nëpër ministri me angazhimin e drejtpërdrejt të tyre”, thuhet në komunikatë.
Haradinaj konstatoi se qeveria pastaj do ta njoftojë publikun për punët e kryera nga zëvendësministrat.
Në Emisionin “Jeta në Kosovë” të transmetuar të enjten e kaluar, Ramush Haradinaj nuk diti emrat e zëvendësministrave.
http://kallxo.com/kryeministri-qe-nuk-njeh-zevendes-ministrat-e-tij/