Në vendin ku politizohen edhe foljet

Në të ardhmen, librat e historisë më të re të shtetit të Kosovës duhet ta kenë edhe një kapitull të veçantë të interpetimin e foljes “mund”, që la gjurmë në debatin linguistik e pasoja për demokracinë kosovare.

Nganjëherë, fati i qeverive dhe kompanive mund të varet nga interpretimi i një fjale të vetme. Fjalët që duken të kuptueshme bëhen mjaft të ndërlikuara kur kryqëzohen me interesa politike e materialiste. Varësisht si interpretohet një fjalë e vetme, kompanitë mund të humbasin apo fitojnë miliarda dollarë, e shoqëritë mund të mbesin viktimë e qeverisjes së keqe apo të shpresojnë për ndryshim përmes zgjedhjeve.

Dy muaj para sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 në Nju Jork, qiramarrësi i Kullave Binjake kishte blerë polisë sigurimi për to. Sipas kontratës, kompania e sigurimeve obligohej që t’i paguajë ndërtuesit 3.5 miliardë dollarë në rast se kullat shkatërrohen nga ndonjë “ngjarje” (ang: “event”). Pas sulmit, qiramarrësi kërkoi shtatë miliardë dollarë, me arsyetimin se më 11 shtator ndodhën dy ngjarje, u sulmuan dy kulla, në periudha të ndryshme kohore, nga dy aeroplanë sulmues. Kompania e sigurimeve e kundërshtonte një intepretim të tillë.

Zgjidhja e këtij kontesti me vlerë prej 3.5 miliardë dollarë zgjati pesë vite nëpër gjykatat e Nju Jorkut. Gjatë procesit gjyqësor u ftuan linguistë për të shpjeguar kuptimin e fjalës “ngjarje”. Në vitin 2006, kompania e sigurimeve njoftoi se ka fituar rastin dhe se edhe gjykata e apelit ka konsideruar se sulmet e 11 shtatorit ishin një ngjarje e vetme.     

Që në muajin mars të këtij viti, kur Kuvendi i Kosovës shkarkoi Qeverinë Kurti pas 51 ditë qeverisje, partitë politike filluan interpretimin e nenit 82 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, i cili bën fjalë për rastet kur mund të shpërndahet Kuvendi dhe të shkohet në zgjedhje. Sipas pikës 2 të nenit 82 të Kushtetutës, “Kuvendi mund të shpërndahet nga Presidenti i Republikës së Kosovës pas votimit të suksesshëm të mosbesimit të Qeverisë”. Folja “mund” ishte molla e sherrit e cila ngjalli debate të ashpra për më shumë se dy muaj.

Qeveria në detyrë argumentonte se folja “mund” nënkupton se Presidenti “duhet” të shpërndajë Kuvendin dhe të shpallë zgjedhje të reja. Në një debat televiziv, ish-ministri  i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, vlerësonte se folja “mund” ishte obligative dhe jo zgjedhje mes alternativave. 

Këtë interpretim ai e bazonte duke interpretuar përkthimin anglisht, ku folja “may” është urdhëresë më e butë në rastet kur u drejtohet liderëve shtetërorë, në vend të përdorimit të foljes “should”, e cila mund të konsiderohet si fjalë më agresive dhe e pahijshme. Moderatori i debatit kërkoi intervenimin e një gjuhëtari që ishte pjesë e debatit pët të dhënë mendimin e tij nëse ministri në detyrë kishte të drejtë. Sipas gjuhëtarit Rrahman Paçarizi, folja “may” në anglisht do të ishte detyruese vetëm nëse shoqërohej me një “not”.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, pas shkëmbimit të disa letrave me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, si partia me numrin më të madh të votave në zgjedhjet e 6 tetorit 2019, vendosi që të mandatojë për kryeministër dikë nga partia e cila doli e dyta në zgjedhje. Dekretin e Presidentit e dërguan për interpretim në Gjykatën Kushtetuese 30 deputetë të Kuvendit.

Më 1 qershor 2020, Gjykata Kushtetuese publikoi aktgjykimin e plotë. Në aktgjykimin prej 162 faqesh, plot shtatë faqe i kushtohen interpretimit të foljes “mund”, në 16 pika të tekstit final të aktgjykimit.

Parashtruesit e kërkesës për interpretim të kushtetueshmërisë së dekretit të Presidentit argumentonin se “Folja modale “mund”, e përcaktuar në nenin 82.2, nuk përbën alternativë në zbatimin e saj, por ofron zgjidhjen e vetme (më adekuate) të mundshme kushtetuese për të vënë në funksion vullnetin e popullit, përmes zgjedhjeve parlamentare[…]”.

Në komentet e dërguara në Gjykatë, Presidenti argumentoi se “shprehja “mund” nuk përbën një detyrim shprehimor për Presidentin, por e obligon Presidentin që të bëjë një vlerësim të rrethanave nëse Kuvendi mund të shpërndahet apo jo, pas votimit të mocionit të suksesshëm të mosbesimit të Qeverisë. Pra, folja “mund” tregon që shpërndarja ose jo e Kuvendit është në vullnetin e vlerësimit të Presidentit…

Në anën tjetër, në komentet e dërguara nga Kryeministri argumentohej se “…karakteri i normës përcaktohet jo vetëm nga një folje në fjali, por nga mënyra si është ndërtuar ajo. Rrjedhimisht, përdorimi i foljes “mund”, nuk përcakton vetvetiu se norma ka karakter alternativ. Që norma të konsiderohet alternative, ajo duhet të përmbajë në formulimin e tekstit të saj edhe të paktën një alternativë që mund të zgjidhet nga organi, të cilit i është njohur diskrecioni në vlerësim dhe zgjedhje mes alternativave.”

Edhe grupi parlamentar i Lidhjes Demokratikë të Kosovës (LDK), në komentet e tyre dërguar Gjykatës i dhanë hapësirë të konsiderueshme interpretimit të foljes “mund”.

Sipas LDK, “shpërndarja e Kuvendit sipas nenit 82.2, nuk ka mundur të bëhet nga Presidenti, jo vetëm për shkak të ndajfoljes MUND, por edhe për faktin se hartuesit e Kushtetutës, momentin kur ka votim të suksesshëm të mosbesimit ndaj Qeverisë nuk e kanë përcaktuar si moment kur vendi automatikisht shkon në zgjedhje, por kanë lënë mundësi që të evitohen zgjedhjet, të krijohet shumicë parlamentare, rrjedhimisht të themelohet një Qeveri e re.” Sipas LDK, “folja “mund” e interpretuar nga parashtruesit e kërkesës si mundësia e vetme është gjithashtu kontradiktore dhe e palogjikshme pasi që “lejimi i mundësisë së vetme” nënkupton obligimin që më së miri do të ishte pasqyruar me fjalë “duhet” apo “obligohet” e jo fjalën “mund”.”

Edhe komentet e deputetëve të partisë Nisma dhe Aleanca për Kosovën e Re (AKR) sa i përket foljes “mund” ishin në linjë me komentet e LDK dhe Presidentit. Sipas tyre, “folja “mund” nënkupton se “bie në të drejtën  e Presidentit…

Në shqyrtimin e praktikave nga vendet e tjera, Gjykata Kushtetuese merr për bazë edhe opinionin e Komisionit të Venecias për Kushtetutën e Moldavisë, neni 85.1 i së cilës përmban foljen “mund”. Sipas opinionit të Komisionit të Venecias për Moldavinë, “Presidenti “mund” (“may”) të shpërndajë Kuvendin, dhe jo që do ta bëjë atë (“shall”). Komisioni thekson se dallimi midis “mund” dhe “do të” është i mirë-themeluar në ligj.

Në fund, edhe Gjykata Kushtetuese jep interpretimin e saj për foljen “mund”. Sipas Gjykatës, mënyra se si janë zgjedhur fjalët në mes paragrafëve 1 dhe 2 të nenit 82 tregon për situatat e shpërndarjes së Kuvendit: “Përderisa paragrafi 1 fillon me fjalët “Kuvendi shpërndahet”; paragrafi 2 fillon me fjalët: “Kuvendi mund të shpërndahet”. Dallimi i vetëm në këtë aspekt është përdorimi i foljes “mund” në paragrafin 2…Folja modale “mund” shpreh pikërisht alternativat, rrugët e mundshme dhe jo rrugën e vetme… Folja “mund” e përdorur në paragrafin 2 të nenit 82 të Kushtetutës ka kuptim të “ofrimit” të mundësisë për Presidentin që të shpërndajë Kuvendin dhe jo të “detyrimit” të Presidentit…

Kësisoj, për dy muaj, politikanë, gjykatës e opinionistë u shndërruan edhe në gjuhëtarë. Në komentet e tyre, politikanët fjalën “mund” e klasifikuan si ‘folje ndihmëse’, ‘folje modale’, ‘ndajfolje’, ‘shprehje’. Gjuhëtarë u bënë edhe ata deputetët të cilët kanë vështirësi për të komunikuar rrjedhshëm në jetën e përditshme.

Interpretimi i foljes “mund” nga Gjykata Kushtetuese i hapi rrugë krijimit të një qeverie të re, pa pasur nevojë që vendi të shkojë në zgjedhje. Në dy ditët e para të Qeverisë së kryeministrit Avdullah Hoti, u mor vendim që të hiqen masat e reciprocitetit me shtetin e Serbisë, si dhe me program qeverisës Qeveria ia delegoi Presidentit të drejtën e përfaqësimit të Kosovës në negociata. Këto veprime i hapin rrugë rifillimit të dialogut me Serbinë për arritjen e një marrëveshjeje finale mes dy vendeve. 

Se si do të duket marrëveshja finale mes Kosovës dhe Serbisë nuk e thotë askush me siguri. Modalitetet e përmendura për marrëveshjen finale mes dy vendeve prekin temën e shkëmbimit të territoreve, popullsisë, apo dhënien e kompetencave më të mëdha në vendimmarrje për minoritetin serb. 

Termet sikurse shkëmbimi territorial, korrigjimi i kufijve po ashtu kanë qenë pjesë e debatit publik e linguistik për vite të tëra në Kosovë, pasi e drejta ndërkombëtare nuk njeh koncepte të tilla sikurse “korrigjim kufijsh”, term ky që hyri në fjalorin politik e publik në dy vitet e fundit që prej se presidenti i vendit filloi ta përdorte në diskursin publik.

Sipas psiko-lingustit Steven Pinker, foljet janë “vrima e lepurit” përmes së cilës mund të zbulohen misteret e mendjes së njeriut; studimi i foljeve të transporton në një botë të mrekullive ashtu sikurse Liza që zbuloi botën e çudirave kur rrëshqiti në vrimën e lepurit. Përmes kësaj “vrime të lepurit” u krijua edhe Qeveria e re në Kosovë, nga e cila çudirat nuk do të mungojnë.

(Autori është hulumtues në GAP dhe kontribues me shkrime në Prishtina Insight. Opinionet e paraqitura në rubrikën e Mendimeve jane të autorit dhe nuk paraqesin domosdoshmërisht qëndrimet e BIRN)