Ndikimi i riorganizimit institucional në çështjet e punësimit
Tregu i punës në Kosovë mbetet një treg i brishtë i cili absorbon forcë punëtore relativisht të vogël dhe ballafaqohet me parregullsi dhe probleme të shumëfishta brenda dhe ndër sektoriale. Që nga pas-lufta, zhvillimi ekonomik ka qenë proces i ngadalshëm dhe me sfida të vazhdueshme të cilat për emërues të përbashkët kanë pasur pa-aftësinë institucionale. Kalimi nga ekonomia e kontrolluar në “ekonominë e lirë të tregut” krahas specifikave tjera historike të Kosovës, ka treguar që një tranzicion i tillë është bërë në kurriz të punëtorëve/eve.
Sipas Agjensionit të Statistikave të Kosovës, gjatë vitit 2020 kanë qenë të punësuar 46.2% burra dhe vetëm 14.4% gra. Problemet e shumta e kanë shoqëruar tregun e punës që nga përfundimi i luftës, duke u shpërfaqur në një treg të dobët dhe të pasigurtë të punës, i cili karakterizohet me informalitet të lartë dhe kushte të vështira të punës. Sipas Bankës Botërore, 1 në 3 punëtorë në Kosovë janë të punësuar në tregun informal, ndërsa hulumtimet e shumta vendore tregojnë që kushtet e punës mbesin të vështira për pjesën dërmuese të të punësuarve. Aspekti ligjor po ashtu ka probleme. Ligji i Punës, ndër të tjera, mbetet një pikë e dobët i cili në shumë aspekte i favorizon punëdhënësit karshi punëtorëve.
Grupet e ndjeshme shoqërore si gratë, personat LGBTI, komunitetet etnike pakicë mbesin më të prekura nga problemet e shumëfishta në tregun e punës. Fare pak gra mund të gjejnë vende pune në Kosovë dhe kryesisht në tregun joformal. Në rastet kur punësohen, ato janë viktima të diskriminimit të shumëfishtë sikurse vendosja në pozita me pagesë më të ulët, ngacmimi seksual, mohimi i të drejtës për leje të lehonisë ose ndërprerja e kontratës gjatë shtatzënisë. Në anën tjetër, komunitetet etnike pakicë edhe më pak mund të zënë vende pune në Kosovë, duke u ballafaquar rrjedhimisht me varfëri dukshëm më të lartë se komuniteti shumicë.
Përgjatë pandemisë COVID-19, çështja e punësimit e cila veçse ishte në gjendje të rëndë, përjetoi një krizë tjetër të thellë. Që nga shpallja e pandemisë në mars të vitit 2020, sipas llogaritjeve preliminare të Agjensionit të Statistikave të Kosovës vlerësohet se 40,000 punëtorë/e e kanë humbur vendin e punës. Ndërsa për pjesën tjetër të të punësuarve, kushtet e punës gjatë kësaj periudhe veç sa janë përkeqësuar edhe më shumë. Kjo situatë ka qenë më e dukshme tek kategoritë e ndjeshme shoqërore të cilat e pësojnë më keq në kohë krizash. Pra, epilogu i pandemisë, përveç shkaktimit të një krize në riprodhimin shoqëror është edhe një krizë ekonomike e cila është duke u përshkallëzuar për shkak të politikave të dobëta.
Përgjatë pandemisë, Kosova është ballafaquar me krizë të vazhdueshme politike. Që nga marsi i vitit 2020, janë ndërruar tri qeveri. Kjo ka ndikuar thellësisht në përgjigjen jo- efektive ndaj pandemisë dhe pasojave të saj, duke përfshirë këtu edhe adresimin e duhur të çështjeve të punësimit. Mungesa e kohezionit në menaxhimin e pandemisë dhe pasojave të saj, përveç politikave është reflektuar edhe e ristrukturimet institucionale.
Qeveritë, me ardhjen në pushtet, varësisht nga nevojat e koalicioneve, kanë krijuar apo shuar ministri duke e ndikuar kështu edhe funksionimin praktik të institucioneve bartëse të proceseve vitale për funksionimin e shtetit. Këto ndryshime, kanë ngritur dilema dhe pasiguri edhe në nivel burokratik lidhur me funksionimin efektiv institucional.
Në Qeverinë aktuale, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale është shuar duke i kaluar kompetencat ministrive tjera. E gjithë kjo ka ngritur dilema dhe pikëpyetje lidhur me bartjen e përgjegjësive të politikave të punësimit dhe rregullimin e marrëdhënieve të punës. Megjithatë, çështja e punësimit theksohet të jetë qendrore në Qeverinë Kurti II.
Për të adresuar çështjet e punësimit në mënyrë më efektive, nën logjikën e riorganizimit institucional, sipas Besnik Bislimit, zëvendëskryeministër i parë, Qeveria ka parë tri çështje kryesore. Si pikë e parë është punësimi i të rinjve përmes rishikimit të edukimit dual; edukimit profesional dhe praktikës e cila do të jetë me pagesë nga Qeveria edhe gjatë shkollës së mesme dhe granteve për ide inovative dhe programi i bursave për vajzat që studiojnë shkenca ekzakte, vajzat nga zonat rurale. Kategoria e dytë e cila do të targetohet janë gratë dhe kategoria e tretë janë të papunët afatgjatë.
Zbatimi i këtyre objektivave do të bëhet kryesisht nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve duke qenë se Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale është shkrirë brenda saj. Megjithatë nuk përjashtohet mundësia që në të ardhmen të riaranzhohen kompetencat në mënyrë që mirëqenia sociale dhe transferet të mbesin në kompetencë të Ministrisë së Financave ndërsa politikat e punësimit të kalojnë tek Ministria e Ekonomisë.
Gjatë sallonit të së martës është theksuar se do të themelohet Gjykata Punës e cila do të merret me konteste të punës, si dhe rritja e numrit të inspektorëve të punës. Për këtë, është përmendur që inspektorati i cili ka funksionuar në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale të funksionojë brenda Ministrisë së Financave, edhe pse në një periudhë afatgjatë mund të shqyrtohet mundësia e kondensimit të të gjitha inspektorateve në Ministrinë e Industrisë dhe Tregtisë.
Ky riorganizim institucional po konsiderohet të ketë implikime praktike në mbarëvajtjen e proceseve që lidhen me adresimin e punësimit të kategorive të ndjeshme ekonomike siç janë gratë, komunitetet pakicë dhe të rinjtë.
Përpjekjet institucionale kanë dështuar ta adresojnë në mënyrë të suksesshme rritjen e punësimit të grave përgjatë këtyre viteve. Sipas drejtoreshës ekzekutive të Iniciativës Kosovare për Stabilitet, znj. Brikena Hoxha u theksua se një nga problemet kyçe në këtë kontekst është buxhetimi gjinor. Sipas saj, mos unifikimi i buxhetimit gjinor në nivel institucional dhe politikave që targetojnë aktivitetin ekonomik të grave e bëjnë pothuajse të pamundur harmonizimin dhe koordinimin e politikave të cilat do ta avanconin pozitën e grave në ekonomi. Siç u theksua nga znj. Hoxha, pothuajse të gjitha ministritë që e targetojnë ekonominë kanë komponentë ku hyjnë programet për punësim apo edhe vetëpunësim të grave megjithatë mungesa e komunikimit institucional e bënë të pamundur evidentimin dhe përmirësimin e situatës.
Ndonëse Kosova ka bazë ligjore të konsoliduar që parasheh aplikimin e buxhetimit të përgjegjshëm gjinor, mungesa e mekanizmave dhe indikatorëve për matje brenda institucioneve publike e bënë problematike konstatimin e saktë deri në çfarë shkalle buxhetimi ka ndjeshmëri gjinore. Përkundër nevojave tashmë të ritheksuara edhe në terma statistikorë qoftë në sektorin e ekonomisë, sigurisë së grave dhe edukimit të tyre, Qeveria e Kosovës nuk parasheh ndonjë kategori të veçantë për t’i adresuar këto shqetësime të natyrës gjinore, duke rezultuar në një alokim të ulët të parasë publike të dedikuar për zbutjen e hendekut dhe pabarazisë gjinore.
Politikat e mirëfillta të punësimit kërkojnë koordinim dhe funksionim efektiv të institucioneve në zbatimin e tyre. Qeveria e Kosovës duhet të angazhohet drejt zgjerimit të kapaciteteve për punësim dhe edukim profesional përmes koordinimit më të madh institucional, rregullimin më të drejtë të tregut të
punës. Sipas direktivave evropiane për balancim mes jetës dhe punës, një strategji e mirëfilltë e punësimit, duhet të përfshijë pashmangshmërisht edhe perspektivën gjinore dhe të krijojë kushte të atilla të punës për t’i akomoduar të gjitha gjinitë dhe grupet e ndjeshme ekonomike në mënyrë të drejtë.
Sallonet e së martës janë një nismë javore e Institutit Demokraci për Zhvillim (D4D). Diskutimi mbledh rreth vetes ekspertë e analistë, politikanë e publicistë për të reflektuar dhe kërkuar konsensus mbi temat e përzgjedhura.
Për shkak të situatës së ballafaqimit me pandeminë, Salloni është transmetuar direkt në facebook të D4D-së.
|
Ky Sallon i së Martës është realizuar në kuadër të projektit “Rritja e qasjes së grave në punësim”, i mbështetur nga Ambasada Mbretërore Norvegjeze në Prishtinë.