Debati për temën "Kur paditet shteti"

Kur mund të paditet shteti dhe cili mund të jetë rreziku i anëtarësimit në Këshillin e Europës?

Kosova tashmë ka aplikuar për t’u bërë pjesë e Këshillit të Europës, një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Europë me seli në Strasburg të Francës. 

Ky këshill mbron lirinë e shprehjes dhe të mediave, barazinë dhe komunitetet joshumicë në vendet anëtare të saj. 

Këshilli ndihmon vendet anëtare që të luftojnë korrupsionin terrorizmin e po ashtu të kryejnë reformat e duhura gjyqësore. 

Qytetarët e Kosovës do të kenë të drejtën që të kërkojnë të drejtat e tyre dhe kompensimin e dëmeve që pretendojnë se u janë shkaktuar nga ana e shtetit. 

Kosovarët kanë të drejtë që ta padisin shtetin dhe të kërkojnë kompensim edhe në gjykatat vendore por që mesatarisht një proces mund të zgjas deri në 8 vjet. 

Ish-avokati i Popullit, Hilmi Jashari në debatin “Kallxo Pernime” ka treguar se ka raste kur shteti është përgjegjës për një veprim apo shkelje të caktuar por që gjykatat e prokuroritë nuk kanë një ligj të përcaktuar se deri ku mund të konsiderojnë shtetin përgjegjës për një shkelje të tillë. 

Përgjatë viteve të fundit Kosova ka regjistruar një numër të lartë të vrasjeve të grave e disa prej tyre rezultojnë se nuk u mbrojtën nga shteti. 

Kjo pasi që këto gra të vrara nga partnerët e tyre kryesisht kishin dosje të cilat kishin raportuar dhunën sistematike që kishin përjetuar ndërsa trajtimi i ndërgjegjëshëm ndaj këtyre rasteve nuk kishte ndodhur e gjë që më pas rezultati ishte me fatalitet. 

Hilmi Jashari tregoi se në vitin 2015, Kosova kishte miratuar një ligj e që qëllimi ishte mbikëqyrja elektronike. 

“Qëllimi i këtij Ligji ka qenë që të gjithë atyre që kanë ushtruar dhunë në familje sidomos ndaj grave tu vendoset në formë GPS apo byzylyk që mbikëqyren nga policia pastaj, është bërë një testim pastaj sa di unë me të cilën është vlerësuar se nëpër stacione kudo në Kosovë maksimumi i intervenimit ka qenë 15 minuta nga momenti kur bëhet shkelja mbi bazën e evidentimit me gps, ai Ligj nuk është zbatu asnjëherë që nga viti 2015 arsyet kanë qenë të ndryshme, edhe pse Policia ka qenë përgjegjëse eksklzuive për zbatimin e këtij ligji, ata kanë thënë se nuk kemi mjete buxhetore nuk kemi kapacitete por sidoqoftë Ligji nuk është zbatuar në asnjë moment tërë kohën ka qenë në fuqi”- tregon Jashari gjatë debatit. 

Tutje ai përmendi edhe vrasjet e grave nga partnerët e tyre duke vënë një paralele se si u trajtuan këto çështje dhe a mori përgjegjësi shteti edhe pasi kishte miratuar ligjin. 

“Tash çka ndodh në këto situata kur në mungesë të mbrojtjes së shtetit gjithë barra trasnferohet te individët në këtë rast te kryerësit e veprës penale mirëpo harrohet që në këtë situatë përgjegjës ka qenë shteti sepse ka mirtu një ligj që ka zotu që ka me i mbrojtë këta njerëz nga këto situata dhe në të cilën nuk ke asnjë mekanizëm në dorë në dispozicion dhe asnjë mjet juridik që mundesh me e paditë shtetin dhe me i kërku kompensim, këtu është esenca që përbën dallim dhe vëmendja e prokurorëve dhe gjyqtarëve orientohet te përgjegjësia penale mirëpo askush nuk e trajton deri në cfarë masë ka shku përgjegjësia e shtetit”- tregon tutje ai. 

Një rast tjetër i cili u diskutua kohëve të fundit por edhe që nisi si procedurë është edhe ajo e qytetarit Mirsad Aliu. 

Aliu me profesion ndërtimtar vendosi të sfidojë një rregullore të Shërbimit Spitalor të Kosovës e cila thoshte se vetëm fëmijët me diagnoza të specifikuara janë të liruara nga pagesat për shërbime brenda SHSKUK-së. 

Aliu kishte dërguar fëminë e tij në QKUK për një kontrollë dhe kur kishte përfunduar ai ishte obliguar që të paguajë parkingun. 

“Trajtimin e mori dhe ishte gjithçkanë rregull, kur dola nga QKUK mu pamundësua dalja jashtë oborrit pa e kryer pagesën e shfrytëzimit të parkingut të QKUK, duke ditur se fëmijëvë duhet tu ofrohet shërbim në trajtim shëndetësorë pa pagesë mendova se fëmiju po diskriminohet. Sa do e vogël është pagesa është thjeshtë është simbolikë për diskriminim ndaj fëmijut.  E parashtrova ankesën fillimisht në SHSKUK dhe në Ministri të Shëndetësisë, prita 1 muaj dhe nuk mora asnjë përgjigje dhe më pas e informova edhe Avokatin e Popullit, ka një muaj që kam marrë përgjigje dhe SHSKUK ka marrë një rekomandim ku mu më jepet e drejta për rastin që kam hapur”- thotë Aliu. 

Ish-avokati i Popullit, Hilmi Jashari, tregoi se ka raste të shumta kur shteti duhet të mbahet përgjegjës. 

“Kemi pasur raste me fatalitet fëmija tu shku në shkollë, kanë humb jetën si pasojë e fatkeqësive të ndryshme dhe shteti nuk është mbajtur përgjegjës dhe llogaridhënës. Ka raste edhe të trajtimit të pabarabartë, por ajo çkaështë shqetësuese dhe brengosesë është që shteti i Kosovës ende nuk po arrin në mënyrë efektive me i ofru standartet ndërkombëtare kushtetuese”- thotë Jashari. 

Ai tregon se rastet e ngjashme sikurse ajo e Mirsad Aliut por edhe të rasteve të tjera duhet të trajtohen brenda ditësh dhe jo të zgjaten proceset. 

“Një zotim ka marrë Kosova para bashkësisë ndërkombëtare sa i përket konventave, në anën tjetër zbatimi në praktikë është kogja larg”- shton tutje Jashari. 

Tutje Jashari thotë edhe se standardet dhe konventat ndërkombëtare nuk njihen shumë nga gjyqtarët në Kosovë. 

“Neni 53 i kushtetutës obligon që sa herë të vendoset për të drejtat e njeriut me zbatu konventën e Gjykatës Evropianë të Strasburgut, mirëpo prej 2008 deri më sot, ne e dijmë fort mirë që në asnjë aktgjykim të gjykatave të rregullta, pothuajse nuk mundesh me gjetë një aktgjykim që i ka bërë referencë praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropianë për cilën do të drejtë që kanë vendosur”- thotë ai. 

Ai shpjegon se kjo situatë mund të krijojë problem për Kosovën. 

“Jemi në një situatë kthese ku Gjykata Evropianë po që se eventualisht brenda këtij viti antarësohemi edhe eventualisht qytetarët fillojnë me i kontestu çështjet në Gjykatën Evropiane të Strasburgut, unë jam shumë i bindur që Kosova ka me pas problem sic kanë pasur demokracitë më të zhvilluara”- shtoi ai.

Pse mund të krijohet problemi për Kosovën, Jashari jep edhe disa shembuj të vendeve të tjera. 

Ai përmendi rastet në Itali në vitet 1995-1996, kur ka pasur raste të ngjashme me Kosovën dhe zvarritje të procedurave gjyqësore dhe për shkak të rasteve të humbura në Gjykatën Europiane të Strasburgut, u rreziku edhe buxheti i shtetit në atë kohë, të njëjtit ishin detyruar që të nisnin dy reforma një në sistemin gjyqësor një në sistemin ligjor.

“Sepse Gjykata Europiane u tha Italisë që ne kemi konsideru shkelje andaj çështja se si ju do ta rregulloni çështjet e juaja në sistemin gjyqësor është e juaja, çfarë ligjesh do të zbatoni është çështje e juaja mirëpo këto duhet të jenë në përputhshmëri të plotë me konventën europiane”- tregon Jashari.

Përderisa përmend gjyqtarët dhe praktikat e tyre, Jashari thotë se edhe vetë gjykatat mund të jenë shkelës të të drejtave të njëriut. 

Ai këtë çështje e bazon në trajtimin e ngadalshëm të rasteve.

“Mesatarja e trajtimit mund të konsiderohet prej 8 deri në 10 vjet, për një rast dhe kjo në mënyrë automatike ka shkelur këtë të drejtë, prandaj çdo qytetar potencialisht që ka kalu atë afat ka të drejtë të kompensimit prej shtetit veç për faktin se gjykatat nuk kanë arritur brenda një afati me zgjedh çështjen tij”- shton ai.

Sipas Jasharit, gjyqtarët arsyetohen në këtë se nuk kanë një ligj procedural që shpjegon se si të veprohet për me shqiptu një kompensim të përshtatshëm.

Avokatja Agnesa Azemi tregon disa prej probleme që has në sistemin e drejtësisë në trajtimin e padive të tilla. 

“Ka raste në civile shumë, tejzgjatën shumë, përshembull për një rast për marrdhënie të punës është një mesatare 7-8 vite me përfundu. Kjo është një mesatare që kohëve të fundit sipas trendeve të fundit është duke u rrit kohëzgjatja e përfundimit të lëndëve gjyqësore në kontest civil”- thotë avokatja Azemi.

Sipas saj, këto lëndë janë emergjente dhe duhet të zgjidhen në mënyrë urgjente.

“Do të duhej të trajtoheshin si lanë emergjente, duhet me qenë prioritet për gjykatat që me u trajtu si të tilla edhe në planprograme të gjykatave listohen si lëndë me prioritet mirëpo ka shumë faktor që ndikojnë këto lëndë sidomos në marrdhënie të punës. Një numër i madh i lëndëve është kur të punësuarit i padisin punëdhënësit, në këto raste mendoj se ka rol shumë të rëndësishëm edhe numri i vogël i gjyqtarëve që trajtojnë raste civile ndërsa numri i rasteve është i madh, por munden me qenë edhe shpeshë herë edhe neglizhencat nga stafi administrativ gjyqësor që ndonjëherë për dërgimin e lëndëve nga Gjykata Themelore në atë të Apelit munden me i marrë diku 7-8 muaj deri në një vit”- shton tutje ajo. 

Avokati Xhevdet Smakiqi ironizon me aplikimin e Kosovës në Këshillin e Europës duke thënë se fillimisht shteti nuk respekton vendimet e gjykatave vendore. 

“E keqja është më vjen keq që e them por një shtet që ka aplikuar të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës është po ai shtet i cili nuk respekton vet vendimet e gjykatës kushtetuese të kosovës dhe si shtet vazhdimisht kritikon Gjykatën Kushtetuese për njëanshmëri. E kam fjalën për ligjet që janë rrëzuar të qeverisë”- tha Smakiqi.

Ai përmend disa herë faktin se qytetarët nuk i besojnë sistemit gjyqësor dhe kjo më pas paraqet edhe numrin e vogël të padive karshi shkeljeve të mëdha të të drejtave që bëhen. 

Smakiqi përmendi edhe numrin e vogël të gjyqtarëve dhe numrin e lartë të dosjeve e padive.

Smakiqi përmendi edhe një rast të cilin e kishte nisur që nga viti 2012 ndërsa kishte marrë epilog gjatë vitit të kaluar pra më shumë se dhjetë vite.

“Nuk kemi as praktikë unike, kemi edhe parashkrimin që bëhet, shumë qytetarë, në qoftë se një qytetar nuk vepron brenda afateve i humb e drejta e kompensimit të dëmit, këto janë problemet që ballafaqohemi. Po e përmend edhe njëherë besimi i publikut është zero sepse edhe vet institucionet i kontestojnë vendimet e gjykatës tonë dhe ky mentaliteti aktual qe e kemi ne na krijon edhe numër të madh të lëndëve dhe besim shumë pak”- tregon ai.

Kosova ani pse ka shpallur pavarësinë në vitin 2008, nuk ka arritur ende që të anëtarësohet në disa prej organizatave më të rëndësishme ndërkombëtare.