COVID-19

Konkursi i MSh-së për staf mbështetës nuk i përmbushë nevojat e plota të Spitaleve Rajonale në luftën kundër COVID-19

Ministria e Shëndetësisë ka hapur konkurs për angazhimin e përkohshëm të profesionistëve shëndetësorë dhe stafit mbështetës gjatë pandemisë COVID-19. Me anë të këtij konkursi, Ministria e Shëndetësisë synon të punësojë 1 mijë e 116 pozita në shtatë Spitalet Rajonale, në Qendrat rajonale të IKSHPK-së, Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare nëpër komuna dhe Inspektorë Sanitarë.

Pozitat e lira të punës që do të mbulohen me këtë konkurs janë infermierë, ndihmës infermier, inspektorë sanitarë, laborant, teknik i rëntgenit dhe staf teknik.

Afati i kontratës është 3 muaj me mundësi vazhdimi edhe për 3 muaj tjerë.

Por, këto pozita të lira të punës, duket se nuk janë të mjaftueshme për të mbuluar nevojat e Spitaleve Rajonale.

Sipas drejtoreshës së Spitalit Rajonal të Mitrovicës, Luljeta Zhubi, numri prej 42 punonjësve që janë caktuar për këtë spital, nuk i përmbushë nevojat e domosdoshme.

Sipas saj, numri është caktuar në bazë të shtretërve dhe hapësirave që i ka spitali.

“Deri diku i përmbushë. Ne e kemi bërë këtë ndarje nga numri i gjithmbarshëm sa ka leju ministria, është bërë ndarja proporcionale aq shtretër sa i ka spitali dhe sipas shtretërve neve na është lejuar ky numër, d.m.th në bazë të kapaciteteve të spitalit”, ka thënë Zhubi për KALLXO.com.

Po ashtu, për regjionin e Mitrovicës, me anë të këtij konkursi synohet të punësohen edhe 4 punëtorë në Qendrën Rajonale të Shëndetit Publik, 5 punëtorë shëndetësorë në Qendrën kryesore të Mjekësisë Familjare dhe 10 inspektorë sanitarë.

Edhe Ushtrues i Detyrës së drejtorit të përgjithshëm të Spitalit Rajonal të Gjilanit, Arsim Emini, ka deklaruar për KALLXO.com se ky konkurs vetëm do t’i përmbushë nevojat minimale të kërkesave të këtij regjioni.

“Ky konkurs do të plotësojë minimumin e nevojave tona. Ka qenë numri i përgjithshëm i punëtorëve shëndetësorë që është caktuar nga Ministria e Shëndetësisë, të cilët do të pranohen. Pastaj në takimin që e kemi pasur me drejtorin e ShSKUK dhe Spitalet Rajonale, ndarja është bërë me përqindje në bazë të shtretërve me COVID-19.

Sipas Eminit, Gjilani është regjion i madh që e përfshinë Anamoravën dhe Luginën e Preshevës, kurse nevoja është e madhe, e ky numër do t’i përmbushë vetëm nevojat minimale.

Për këtë komunë, përmes konkursit të Ministrisë së Shëndetësisë është paraparë punësimi i 59 punonjësve në Spitalin Rajonal, 6 punëtorë në Qendrën Rajonale të Shëndetit Publik, 10 inspektorë Sanitarë dhe 9 punonjës në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare.

Drejtori i Spitalit Rajonal të Gjakovës, Hilmi Shala, ka thënë për KALLXO.com se numrin prej 69 punonjësve për këtë spital e kanë bërë me kërkesë zyrtare dhe u është leuar të angazhojnë po aq sa kanë kërkuar.

“Ne këtë kërkesë e kemi bërë vet, jemi bazuar në numrin e pacientëve që e kemi pasur. Ky numër mendojmë se do të na mbulojë tërësisht edhe në ndonjë situatë më të rëndë me COVID-19”, ka thënë Shala.

Ushtruesi i Detyrës së drejtorit të Spitalit të Ferizajt, Halit Gërbeshi, ka thënë se ky numër e zbutë situatën por nuk i përmbushë të gjitha nevojat.

“Nuk do të them se i përmbushë nevojat, por e zbutë situatën. Një situatë të rënduar kur dy punëtorë shëndetësor bartin bombolat e oksigjenit nëpër kate e i vendosin nëpër shtretër diku 250 të tilla. Është shumë ngarkesë për ta. Ky numër na është ndarë neve pavarësisht nevojës”, është deklaruar Gërbeshi.

Spitali Rajonal i Ferizajt nuk ka sistem të oksigjenit të inkuadruar nëpër shtretër, por pacientët me COVID-19 marrin oksigjen përmes bombolave.

Ministria e Shëndetësisë përmes konkursit ka kërkuar 58 punonjës për Spitalin Rajonal të Gjilanit, 6 për Qendrën Rajonale të Shëndetit Publik, 10 inspektorë sanitarë dhe 9 punonjës për Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare.

Në anën tjetër Ministria e Shëndetësisë ka thënë për KALLXO.com se ky konkurs është bërë ë përputhje me kërkesat e spitaleve rajonale.

“Konkursi është shpallur bazuar në nevojat që kanë institucionet dhe në bashkëpunim me to dhe komunat”, thuhet në përgjigjen e MSh.

Për Spitalin Rajonal të Prizrenit, Ministria e Shëndetësisë ka paraparë punësimin e 86 punëtorëve si staf mbështetës, 5 punëtorë për Qendrën Rajonale të Shëndetit Publik, 10 për Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare dhe 15 inspektorë sanitarë.

Drejtori i këtij spitali, Afrim Avdaj, ka thënë për KALLXO.com se ky numër do të ndikojë pozitivisht, por nuk kanë dhënë detaje në ky numër do t’i mbulojë nevojat që do të paraqiten nga ndonjë valë e re e COVID-19.

Për Spitalin Rajonal të Vushtrrisë është paraparë punësimi i 31 punonjësve si staf mbështetës dhe 8 punonjësve në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare.

Drejtoresha e këtij spitali, Shefkije Shatri, nuk ka qenë e gatshme të japë informacione.

Po ashtu, as drejtori i Spitalit Rajonal të Pejës, Skender Dreshaj, nuk ka qenë i qasshëm.

Për Spitalin Rajonal të Pejës është paraparë punësimi i 64 punonjësve si staf mbështetës, 3 punëtorë për Qendrën Rajonale të Shëndetit Publik, 9 për Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare dhe 15 inspektorëve sanitarë.

Më 20 gusht në Kosovë kanë nisur së zbatuari masat e reja për luftim të pandemisë.

Organizimi i ahengjeve dhe dasmave është anuluar, është zvogëluar orari i bizneseve të gastronomisë, si dhe është shtuar kërkesa për dëshmi të vaksinimit për të fituar qasje në një mori aktivitetesh.

Të gjithë punëtorët e bizneseve të cilët janë në kontakt të drejtpërdrejt me klientët duhet të jenë të vaksinuar apo të kenë test negativ.

Po ashtu, është ndaluar hyja pa maskë në ambientet e mbyllura si dhe në transportin publik.

Autoritetet shëndetësore ndërkohë u kanë bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë masat kundër COVID -19, siç është bartja e maskave, mbajtja e distancës dhe mbajtja e higjienës.

Imunizimi i qytetarëve kundër COVID-19 po vazhdon të bëhet në 30 komuna me mbi 300 ekipe të vaksinimit.

Në konkursin e fundit të Ministrisë së Shëndetësisë nuk është paraparë punësimi i punonjësve shëndetësorë për të shtuar numrin e ekipeve të vaksinimit.

Me 24 gusht, Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës ka njoftuar se 37 pacientë janë në gjendje të rëndë pas infektimit me COVID-19 ndërsa 797 pacientë janë duke u trajtuar me oksigjeno-terapi.

1,016 pacientë janë të shtrirë në klinikat COVID dhe spitalet e përgjithshme ku prej tyre 902 janë të konfirmuar pozitivë.

Në QKUK, 358 pacientë të shtrirë, 325 prej tyre COVID-19 pozitivë, 309 me oksigjeno-terapi.

Deri më 24 gusht, Kosova ka administruar mbi 700 mijë vaksina. Një person konsiderohet i imunizuar plotësisht, 14 ditë pas marrjes së dozës së dytë të vaksinës.