Komuna e Rahovecit

Komuna e Rahovecit hap tender për angazhimin e 33 këshilltarëve

Komuna e Rahovecit është treguar inovative në tenderin e hapur për punësimin e 33 personave, duke përdorë termin konsulent për secilën pozitë të kërkuar për të qenë në ‘përputhje’ me ligjin. Termin konsulent apo këshilltar e ka përdorë edhe për pozita që janë krejt teknike dhe që kanë të bëjnë me pranimin e dokumentacionit.

Ligjit për Zyrtarët Publik dhe një rregullore e veçantë e Komisionit Rregullativë të Prokurimit ju ka mundësuar institucioneve që të angazhojnë me kontrata për shërbime ekspert të fushave të ndryshme përmes tenderëve. Por, KRPP-ja ka dhënë sqarime se punësimet përmes tenderëve mund të bëhen vetëm për profile që stafi aktual i institucioneve nuk i plotësojnë.

“Konsulenti/ Kontraktori individual është një specialit për një fushës specifike i angazhuar nga AK në rolin e një këshilluesi”, thuhet në udhëzimin e bërë nga KRPP-ja për institucionet.

Komuna e Rahovecit ka hapur tender për punësimin e 33 personave me kontrata për shërbime.

Sipas njoftimit për kontratë, kjo komunë ka planifikuar  të shpenzojë 130  mijë e 680 euro për punësimin në kohëzgjatje prej një viti të 33 konsulentëve.

Komuna e Rahovecit po planifikon të punësojë 6 Konsulent individual për pranimin e aplikacioneve të fermerëve në Rahovec. Pastaj, Komuna në njoftimin për kontratë ka kërkuar oferta për angazhimin e 3 konsulentëve individual për anketues të tatimit në pronë në Rahovec, si dhe 2 konsulent individual për buxhet dhe financa në Rahovec. Pastaj, 3 konsulent individual për pranimin e lëndëve dhe regjistrimin e kërkesave, 1 Konsulent individual për menaxhimin e pyjeve në Rahovec, 1 Konsulent individual për Asistimin e zyrtareve në drejtorinë e ekonomisë dhe 1 Konsulent individual për Asistimin ne qendrën e regjistrimit te bizneseve. Emërtimi konsulent është përdorë edhe për pozita tjera si: Konsulent individual për Asistimin ne zyrën e taksave komunale, Konsulent individual – Arkitekt, Konsulent individual – Zyrtar për pranimin e lendeve, shkresave dhe dokumenteve tjera etj.

Për të gjitha këto pozita, Komuna e Rahovecit ka kërkuar nga kandidatët që të kenë të përfunduar Shkollimin Universitar (Bachelor) dhe të  kenë së paku gjashtë (6) muaj përvojë pune në fushën përkatëse.

Për këto pozita kanë aplikuar 37 persona. Për këtë tender kontratat do të lidhen në formë individuale me aplikuesit dhe jo me Operatorë Ekonomikë.

I angazhuari, sipas Komunës së Rahovecit, do të punojë dyzetë (40) orë në javë, prej të Hënës deri të Premten sipas orarit 08:00-16:00, brenda një periudhe gjashtë (12) mujore dhe do të ketë pagë mujore 330 euro ndërsa pagë vjetore 3  mijë e 960 euro.

Komuna e Rahovecit këtë kontratë e ka bërë duke u thirrur në mundësinë që ka lënë Ligji për Zyrtarët Publike që ekspertët të angazhohen me kontrata për shërbimeve përmes tenderëve.

Por në rregulloren e Prokurimit të Shërbimeve të Veçanta si dhe Ligji për Zyrtarët Publik thuhet se në procedurë e tillë mund të përdorët për punësimin e personave me profile që nuk i kanë institucionet.

Sipas kësaj rregulloreje, shërbimet konsulente individuale mund të ofertojnë personat fizik nga të cilët nuk mund të kërkohet që të kenë biznes të regjistruar, por personi fizik duhet të regjistrohet në platformën e prokurimit elektronik si OE- person fizik.

Edhe vet Komuna e Rahovecit në dosjen e tenderit thotë se këto punësime po planifikohen për shkak se ka mungesë të kuadrove brenda komunës.

“Duke pasur parasysh nevojat e Komunës së Rahovecit dhe mungesën e kuadrove në këtë lëmi, Komuna e Rahovecit ka nevojë për angazhimin e një konsulenti të tillë”, thuhet në dosjen e tenderit.

Por, Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik përmes një dokumenti që ka nxjerrë në fillim të muajin shkurt, jep vërejtje për institucionet që po e shfrytëzojnë këtë formë të punësimit të punëtorëve të profileve të ndryshme.

KRPP po ashtu përsëri ka dhënë sqarim për kategorinë e punëtorëve të cilët mund të punësohen me një procedurë të tillë.

KRPP ka nënvizuar nenin 3 të Rregullores së Prokurimit Publik të Shërbimeve të Veçanta i cili thotë se me këtë formë institucionet duhet të punësojnë specialist të një fushe të caktuar.

“Kohëve të fundit është bërë fenomen përdorimi i procedurës së prokurimit për shërbime të veçanta (konsulent/Kontraktorët individual) për një numër të madh të profileve të ndryshme për punësimin e punëtorëve. Kjo është në kundërshtim me nenin 3 të Rregullave për Prokurim të shërbimeve të veçanta i cili thotë: Këto rregulla aplikohen  vetëm për prokurimin e Shërbimeve të Veçanta të cila mund të sigurohen përmes procedurave të rekrutimit sipas Ligjit për Zyrtarët Publik. Shërbimet e veçanta të cilat nuk mund të sigurohen përmes procedurave të rekrutimit janë shërbime profesionale për të cilat AK ka nevojë por që nuk I plotëson kërkesat me stafin që ka. Konsulenti/ Kontraktori individual është një specialit për një fushës specifike i angazhuar nga AK në rolin e një këshilluesi”, thuhet në dokumentin e KRPP.

Komuna e Rahovecit në përgjigjen e tyre kanë thënë për KALLXO.com se të gjitha pozitat janë në përputhje me rregullat e KRPP për lidhjen e marrëveshjes për shërbime të veçanta.

“Opinioni apo Njoftimi i KRPP-së, ka qenë pasi që shumë Autoritete Kontraktuese kanë zhvilluar ketë procedure në kundërshtim me rregulloren e KRPP-së, duke kërkuar punëtor vozitës apo mirëmbajtës dhe jo konsulent, kurse ne Dosjen tone kemi kërkuar konsulent me Detyrat dhe Specifikat e veçanta te punës sipas Termave te Referencës. Të gjitha pozitat e kërkuara janë në pajtim të plotë me rregullat dhe udhëzuesi e LPP-së. Po sipas B59 Rregullat për Shërbime të veçanta (Konsulentët/Kontraktorët individual) të miratuar dhe aprovuar nga KRPP-ja dhe B60 Dosja e Tenderit për Shërbime te Veçanta”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Rahovecit.

KALLXO.com kishte raportuar javën e kaluar se si Komuna e Ferizajt kishte planifikuar të punësojë 53 persona të profileve të ndryshme.

Lidhja dhe shkëputja e dyshimtë e kontratës për punësimin e 53 personave