Lidhja dhe shkëputja e dyshimtë e kontratës për punësimin e 53 personave

Komuna e Ferizajt ka shkëputur kontratën e nënshkruar me titullin “Kryerja e shërbimeve mbështetëse profesionale për nevojat e Komunës së Ferizajt” me datën 11 shkurt 2021. Kjo kontratë e lidhur me një biznes parashihte që të punësoheshin 53 persona në Komunën e Ferizajt.

Sipas komunës së Ferizajt, kontrata është shkëputur pasi është arritur marrëveshje mes Zyrës së Prokurimit dhe operatorit ekonomik “Eco & Conto” shpk.

“Me vullnetin e dyanshëm të palëve është ndërprerë kjo kontratë pa filluar implementimin, e cila pra nuk ka prodhuar efekt juridik dhe njëkohshëm shpenzime sipas planifikimit, gjersa në këtë marrëveshje është precizuar dhe dakorduar edhe heqja dorë e OE për çfarëdolloj kontestimi në procedurë administrative apo gjyqësore”, thuhet në përgjigjen e komunës së Ferizajt.

Kjo kontratë është ndërprerë me rekomandim të Menaxheres së kontratës, Ibadete Hamiti.

Sipas rekomandimit të Hamitit, kjo kontratë nuk ka pasur specifikacione të qarta se kur do të implementohet dhe se sa mund të zgjasë.

“Afatet kohore nuk kanë qenë të përcaktuara në mënyrën e duhur, ku në njërin dokument gjegjësisht te deklarata e nevojave dhe përcaktimit të disponueshmërisë së fondeve është përcaktuar 24 muaj, ndërsa te njoftimi për kontratë është 12 muaj. Dmth është e pamundur ekzekutimi i kësaj kontrate andaj rekomandoj që kjo kontratë të ndërpritet me marrëveshje të dyanshme”, thuhet në rekomandimin e menaxheres së kontratës.

Komuna e Ferizajt kishte lidhur kontratë me operatorin “Eco & Conto” shpk për punësimin e 53 personave për kryerjen e shërbimeve mbështetëse profesionale për nevojat e Komunës së Ferizajt.

KALLXO.com ka dërguar pyetje rreth këtij tenderi në fillim të muajit shkurt, por Komuna e Ferizajt nuk është përgjigjur.

Komuna e Ferizajt ka zgjedhur një formë inovative për të angazhuar punëtorë me kontrata për shërbime përmes tenderëve. Kjo komunë nuk ka kërkuar ofertues individual, mirëpo ka kërkuar oferta nga bizneset që do t’i ofrojnë komunës burime njerëzore me kualifikime të ndryshme.

Në dosjen e tenderit për “kryerjen e shërbimeve mbështetëse profesionale për nevojat e Komunës së Ferizajt”, Komuna ka vendosur kritere për staf të cilat nuk kanë asnjë ndërlidhje me stafin e kërkuar që do të punojë për Komunën.

Kriter i vendosur ka qenë që biznesi që do të ofertojë duhet jetë i licencuar si kompani ligjore e auditimit. Përveç kësaj, biznesi që do të ofertojë është kërkuar të ketë edhe dy auditorë të certifikuar si dhe një kontabilist të certifikuar.

Mirëpo, profilet që do të angazhohen në komunë janë të fushave të ndryshme, duke përfshirë: agronom, zyrtar për shërbime publike, gazetar, jurist, zyrtar të personeli e pronës, zyrtar për taksa, tarifa dhe ngarkesa komunale, zyrtar të hyrave, arkatar, zyrtar përgjegjës për përkthimin dhe mirëmbajtjen e rrjeteve sociale, aktor, gjeodet, arkitekt etj.

Komuna e Ferizajt pas procesit të hapur të prokurimit kishte lidhur kontratën me kompaninë “Eco & Conto”shpk. Në kontratën e publikuar në “E-Prokurim” janë listuar pozitat që do të punësohen me kontrata për shërbime në Komunë si dhe pagesën që do të bëjë komuna për kompaninë për secilin prej profileve që ajo do t’i ofrojë komunës. KALLXO.com e ka analizuar kontratën dhe ka gjetur se ka një dallim të madh në mes të shumës që Komuna ishte e obliguar t’ia paguajë kompanisë për secilin punëtorë si dhe pagën që në fund është paraparë të marrë punëtori.

Në kontratë thotë se “paga e të gjithë punëtorëve të cilët do të punojnë tek operatori ekonomik fitues do të jetë në shumë prej 320 euro”, ndërsa kompania është paraparë të paguhet shumë më shumë.

Shembull, është paraparë të angazhohet një ‘zyrtar për pranim të lëndëve’ e që Komuna për të do t’i paguante Operatorit Ekonomik të kontraktuar 498 euro, apo 178 euro më shumë se sa është paraparë të paguhen punëtorët. Për ‘zyrtarin e personelit’ komuna do të paguante 495 euro, kurse për ‘ekonomist’ 497 euro. Kostoja më e lirë e caktuar në kontratë për një punëtor është 450 euro aq sa Komuna do të paguaj për një ‘lektor’.

Komuna e Ferizajt këtë kontratë e ka bërë duke u thirr në mundësin që ka lënë Ligji për Zyrtarët Publike që ekspertët të angazhohen me kontrata për shërbimeve përmes tenderëve.

Por, rregullores së Prokurimit të Shërbimeve të Veçanta si dhe Ligji për Zyrtarët Publik thotë se në procedurë e tillë mund të përdorët për punësimin e personave me profile që nuk i kanë institucionet.

Kjo kontratë nuk kishte paraparë kryerjen e ndonjë shërbimi profesional për nevojat e komunës, pasi që në këtë kontratë nuk ka figuruar asnjë lloj i shërbimit specifik, por shumë prej profile janë pozita të zakonshme në nivelin komunal të shërbimit civil.

Sipas kësaj rregulloreje, shërbimet konsulente individuale mund të ofertojnë personat fizik nga të cilët nuk mund të kërkohet që të kenë biznes të regjistruar, por personi fizik duhet të regjistrohet në platformën e prokurimit elektronik si OE- person fizik.

E ish-nënkryetari i komunës së Ferizajt, Naim Ferati, i cili ka dhënë dorëheqje në qershor 2020 për KALLXO.com ka thënë se është këshilltar ligjor i kompanisë fituese “ECO & CONTO” Sh.P.K ashtu siç është edhe i kompanive tjera meqë është duke punuar si avokatë.

Por, Ferati ka thënë që kompani ka informacione më të sakta për pozitën që i është caktuar në këtë “ECO & CONTO” Sh.P.K. Për angazhimin e Feratit nga kompania që e ka nënshkruar kontratën ka raportuar edhe Organizata INPO në hulumtimin e tyre.

Kallxo.com e ka kontaktuar disa herë kompaninë “Eco & Conto” shpk në numrin që ata kanë lënë në ARBK, por ata nuk janë përgjigjur.

Sipas INPO-s angazhimi i ish-nënkryetarit të komunës në këtë tender/kontratë është në kundërshtim të plotë me Ligjin Nr.06/L -011 për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik, respektivisht nenin 18, paragrafin 1, nën-paragrafin 1.3, i cili përcakton se: “Zyrtari i lartë nuk ka të drejtë: të përfaqësojë, ndihmojë ose këshillojë ndonjë person fizik ose juridik, drejtpërdrejt ose nëpërmjet ndonjë personi të afërm ose të besuar, në një konflikt ose marrëdhënie biznesi me institucionin, për detyrën që ai ka kryer ose që është në vazhdimësi të saj për një periudhë deri në dy (2) vjet pas përfundimit të funksionit publik”.