Kapiteni i Anijes ‘ka bërë gabime’

Anija “Costa Concordia” mbetet e shtrirë akoma në një anë nga goditja e shkëmbinjve në afërsi të bregut në qytetin perëndimor të Italisë, Tuskani.

Ngjarja ka ndodhur me 13 janar dhe si pasojë kanë gjetur vdekjen gjashtë persona dhe 15 të tjerë llogariten si të zhdukur. Anije bartte 3,200 pasagjerë nga Italia, Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe. Në anije ishin edhe 1,000 pjesëtarë të ekuipazhit. 

Pronarët e anijes, kompania “Costa Crociere” në një komunikatë për shtyp, thonë se kapiteni i anijes ka lundruar shumë afër bregut dhe nuk i ka përcjell procedurat emergjente të kompanisë. 

“Siç duket komandanti ka bërë gabime në gjykimin e tij që kishte pasoja serioze,” thuhet në kumtesën e Costa Crociere.

Kapiteni Francesco Schettino dyshohet për vrasje pa paramendim, por mohon për keqbërje. 

Kapiteni Schettino kishte thënë se shkëmbinjtë nuk ishin paraqitur në ekranin e navigacionit. “Nuk do të duhej të godasim asgjë sepse qartësisht ne lundronim në 300 metra mbi shkëmbinj,” Schettino i tha një televizioni Italian.

Ekipet e shpëtimit kanë gjetur një trup të një burri në një korridor të anijes të hënën. Zyrtarët thanë se ai mund të jetë një udhëtar bazuar në tipin e jelekut të shpëtimit që barte. 

Moti i dobët ka vështirësuar kërkimet e shpëtimtarëve të cilët kanë në plan të kontrollojnë qindra kabina. 

Ekspertët e industrisë së anijeve kanë thënë se nuk është e mundur që një anije e shekullit 21 të ketë bërë një gabim të tillë. 

Ndërtimi i anijes “Costa Concordia” ka kushtuar 450 milionë euro.