Ç’kuptim pati viti 2022 për botën në përgjithësi

Ishte një vit që e vuri botën në një sprovë. Nga pushtimi i Ukrainës tek Covid-19 në Kinë, nga inflacioni tek ndryshimet klimatike, nga tensionet kino-amerikane tek zgjedhjet kryesore, viti 2022 u karakterizua me situata të vështira. Sprova jo vetëm që e ka dërguar botën në një drejtim të ri, por edhe e ka shfaqur të njëjtën në një dritë të re.

Surpriza më e madhe – dhe më e mirëpritura – ka qenë qëndrueshmëria e vendeve gjerësisht liberale në Perëndim. Kur Vladimir Putin u dha urdhër trupave ushtarake ruse për invazion në Ukrainë më 24 shkurt, ai priste që qeveria e një shteti të korruptuar të dorëzohej. Pas një tërheqjeje poshtëruese nga Afganistani në vitin 2021, Perëndimi dekadent dhe i përçarë me siguri do të dështonte në dënimin lidhur me pushtimin rus  dhe me mbështetje reale për Ukrainën.

Në fakt, Volodymyr Zelensky dhe njerëzit e tij e konfirmuan se ia vlen të vdesësh për vetëvendosjen dhe lirinë. Ata u bënë frymëzim për botën mbarë. Pas një rritje të mbështetjes popullore, qeveritë perëndimore bënë gjithcka për ta mbështetur kampionin e ri të demokracisë. I udhëhequr nga administrata Biden, tani Perëndimi po ofron armë dhe ndihmë në një shkallë që as skifterët nuk e kishin imagjinuar.

Zëri i votuesve amerikanë gjithashtu u mor parasysh dhe u dëgjua, duke marrë anë kundër populistëve që shkatërrojnë tabu. Në Amerikë, pavarësisht nga shifrat e tmerrshme të miratimit të Joe Biden, centristët përdorën fletëvotimet e tyre për t’i ruajtur të drejtat themelore, duke përfshirë në disa shtete të drejtën për abort pasi Gjykata e Lartë rrëzoi rastin Roe kundër Wade. Në zgjedhjet afatmesme, mohuesit e zgjedhjeve presidencialetë vitit 2020, të miratuar nga Donald Trump, pothuajse të gjithë humbën.

Në Francë, Marine Le Pen ndonëse e kamufloi origjinën e saj të ekstremit të djathtë, prapë u mund bindshëm nga centristi Emmanuel Macron. Kur Giorgia Meloni u bë kryeministrja e parë e ekstremit të djathtë të Italisë pas luftës, ajo u përkul kah centrizmi. Edhe në Britaninë e penguar, si laburistët ashtu edhe konservatorët qeverisës po llogaritin se fitorja në zgjedhje qëndron larg ekstremeve populiste të së djathtës dhe të majtës.

Ndërkohë që demokracitë e çrregullta tregojnë vendosmëri të papritur, po ashtu autokracitë në dukje të qëndrueshme patën dobësitë e veta. Putini është shembulli kryesor, duke e dyfishuar dhe ridyfishuar bastin e tij katastrofik. Mirëpo, Putini nuk është i vetmi. Pas tre muajsh protesta pas vdekjes në paraburgim të Mahsa Amini, e cila ishte arrestuar për mosrespektim të rregullave në veshjen e hixhabit të saj, forcat e sigurisë në Iran kanë gjuatur me armë zjarri në drejtim të protestueseve femra në fytyrë, gjoks dhe në organe gjenitale. Tani që mullahët e kanë humbur besimin e popullit të tyre, të njëjtit nuk kanë levë tjetër veç dhunës.

Ata që i admirojnë udhëheqësit e fortë për realizimin e gjërave duhet të jenë të kujdesshëm për atë që dëshirojnë. Xi Jinping e ka zgjeruar dominimin e Partisë Komuniste Kineze, duke u vendosur si shefi i saj i përhershëm dhe udhëheqësi më i fuqishëm që nga Mao Ce Duni. Por hapat e tij për ta qetësuar tregun e pronave, për ta frenuar teknologjinë e konsumatorit dhe për ta bllokuar Covid-in i bën dëm të rëndë ekonomisë. Sot, ndërkohë që virusi në Kinë përhapet, është e qartë se qeveria e tij humbi muaj kur duhej t’i vaksinonte të moshuarit, të grumbullonte barna dhe të krijonte shtretër të kujdesit intensiv.

Edhe kontrolli social gjithëpërfshirës i Kinës shfaqi disa të çara. Edhe pse shërbimet kineze të sigurisë u përgjigjën ashpër protestave të gjera muajin e kaluar, këto ishin shkaktuar pjesërisht nga pamja e turmave pa maska në Katar që e shijonin Kupën e Botërorit në futboll.

Për të gjithë ata që i përqafojnë vlerat klasike liberale, qëndrueshmëria perëndimore është inkurajuese – dhe një ndryshim i rëndësishëm pas një tërheqjeje të gjatë. Por lajmi i mirë arrin vetëm kaq. Testet e vitit 2022 kanë zbuluar gjithashtu thellësitë e ndarjeve të botës dhe kanë vënë në marshim qeverinë e madhe.

Për t’i vlerësuar ndarjet, krahasoni mbështetjen pothuajse universale për Amerikën pas sulmeve të 11 shtatorit 2001 me vendosmërinë e jugut global për të qëndruar neutral në luftën për Ukrainën. Në votën më të fundit të OKB-së për ta qortuar Rusinë, 35 vende abstenuan. Kuptohet që shumë janë të pakënaqur sesi Perëndimi thotë se shqetësimet e tij janë çështje të parimit global, ndërsa lufta në Jemen ose në Bririn e Afrikës, të themi, ose thatësirat dhe përmbytjet e lidhura me klimën, duken gjithmonë të jenë rajonale.

Në pjesën më të madhe të botës, vlerat liberale luftohen. Pavarësisht humbjes së Jair Bolsonaro në Brazil, demokracia është nën tendosje në Amerikën Latine. Teksa kryeson inflacionin shkatërrues në Turqi, Rexhep Tajip Erdogan po i ndjek penalisht kundërshtarët e mundshëm në zgjedhjet e vitit 2023. Në Izrael, Binyamin Netanyahu po përpiqet ta shmangë burgun për korrupsion duke formuar një koalicion me të djathtën ekstreme që urrejnë arabët dhe homoseksualët. Indonezia miratoi një kod penal joliberal në dhjetor që kërcënon ta ndalojë seksin jashtëmartesor, ta ngulfasë lirinë e fjalës dhe ta imponojë ortodoksinë fetare. Ekonomia e Indisë po mbushet me sipërmarrje të frymëzuara nga teknologjia, por politika e saj është mazhoritare, e shëmtuar dhe mizore.

Në mbarë botën, ideja e një qeverisjeje të kufizuar është duke u mposhtur. Për shkak të problemeve të mëdha me energjinë pas pushtimit rus të Ukrainës, qeveritë evropiane po shpenzojnë miliona para për t’i rregulluar çmimet. Ato po e fuqizojnë gjithashtu tranzicionin nga lëndët djegëse fosile, në vetvete një qëllim i mirëpritur, duke e përdorur politikën industriale dhe jo tregjet. Përgjigja e SHBA-së ndaj kërcënimit të sigurisë nga Kina është vendosja e barrierave tregtare dhe subvencioneve për ta shkëputur ekonominë e saj dhe për t’i nxitur industritë e rritura në SHBA. Nëse një gjë  e tillë i dëmton aleatët e Amerikës, atëherë kjo nuk është diçka e mirë.

Nacionalizmi ekonomik është popullor. Madhështia gjatë pandemisë i ndryshoi pritshmëritë e shtetit. Shkatërrimi kreativ, i cili rialokon kapitalin dhe punën, mund të jetë i papëlqyeshëm për popullsinë e plakur që ka më pak rezervë nga rritja ekonomike dhe për votuesit më të rinj që e përqafojnë politikën e identitetit.

Mirëpo, kapitalizmi i qeverisë së madhe ka një histori të dobët. Duke pasur parasysh inflacionin e lartë prej dekadash, i shkaktuar pjesërisht nga politika e keqgjykuar fiskale dhe monetare, veçanërisht në Amerikë, është e çuditshme që votuesit duan t’i shpërblejnë politikanët dhe zyrtarët duke u dhënë atyre pushtet mbi pjesë të ekonomisë që nuk janë të përshtatshëm për t’i udhëhequr. Kampionët me mbështetje nga shteti në energji dhe teknologji ndonjëherë ia dalin, por sa më shumë vende të grumbullohen, aq më shumë do të ketë mbeturina dhe qiramarrës.

Gjendja është tejet e vështirë

E gjykuar nga kriteri liberal i qeverisjes së kufizuar, respekti për dinjitetin individual dhe besimi në progresin njerëzor, viti 2022 ka qenë i përzier. Megjithatë, ka shpresë. Perëndimi ishte arrogant pas rënies së komunizmit sovjetik. Pagoi çmimin në Irak, Afganistan dhe krizën financiare globale të viteve 2007-09. Në vitin 2022, pasi u trondit nga populizmi në vend dhe ngritja e jashtëzakonshme e Kinës, Perëndimi u sfidua dhe gjeti bazën e tij. /The Economist

Përgatiti: Nuhi Shala