A do të jetë viti 2024 vit i shkatërrimit të demokracisë, ngjashëm siç ishte viti 1933?

Hitleri u bë kancelar i Gjermanisë përmes kutive të votimit. Me zgjedhjet që zhvillohen në shumë pjesë të botës, ky vit mund ta shkaktojë një kthesë po aq tragjike.

Hitleri u emërua kancelar i Gjermanisë. Për mbështetësit e tij, ishte një ditë “revolucioni kombëtar” dhe rilindje. Gjermania, besonin ata, kishte nevojë për forcën restauruese të një njeriu të fortë autoritar pas 14 vjetësh të “sistemit” liberal-demokratik të Weimarit. Atë natë, këmishëkafët me pishtar të Hitlerit marshuan nëpër qendrën e Berlinit për ta shënuar agimin e një epoke të re.

Ishte gjithashtu një moment triumfues në historinë e mashtrimit popullor. Që në ditët e para të Republikës së Vajmarit, politika e saj ishte përcaktuar nga fushatat e dezinformimit, duke përfshirë gënjeshtrën se demokracia e Vajmarit ishte vepër e komplotistëve hebrenjë dhe socialistësh që “e kishin goditur Gjermanisë pas shpine” për të siguruar humbjen e saj në Luftën e Parë Botërore.

Sot, pak njerëz kundërshtojnë se ardhja e Hitlerit ishte një pikë kthese në historinë botërore, fillimi i një procesi politik që do të çonte në Luftën e Dytë Botërore dhe Holokaustin. Mirëpo, Hitleri nuk “kapi pushtetin”, siç pretenduan më vonë nazistët. Në vend të kësaj, siç ka shpjeguar biografi i tij Ian Kershaw, ai “u fut në pushtet” nga një grup i vogël njerëzish me ndikim.

Një nga ata burra ishte Franz von Papen, i cili shërbeu si kancelar në vitin 1932. Ai (më famëkeq) mendoi se Hitleri dhe Partia Naziste – deri tani partia më e madhe pas zgjedhjeve të Rajhstagut të vitit 1932 – mund të përdoreshin për të çuar përpara një axhendë konservatore. Ngjashëm, presidenti i Gjermanisë, ish-Marshalli Paul von Hindenburg, donte ta përdorte Hitlerin për ta rivendosur monarkinë.

Megjithatë, planet e këtyre konservatorëve u fshinë shpejt nga udhëheqja e pamëshirshme e Hitlerit, dhuna naziste dhe nxitimi i publikut gjerman për t’iu bashkuar regjimit dhe për t’u bërë pjesë e rizgjimit kombëtar të premtuar. Liberalët dhe socialdemokratët që e kundërshtuan Hitlerin ose iu nënshtruan dhunës ose u kapën nga ikja e tyre optimiste. Sado keq që gjërat u bën, ata e siguruan veten, sundimi i Hitlerit përfundimisht do të shembet. Lufta e brendshme naziste me siguri do t’i jepte fund qeverisë së re.

Përtej liberalëve dhe socialistëve, një pjesë më e gjerë e shoqërisë gjermane supozoi se Hindenburgu, i cili kishte premtuar të ishte president i të gjithë gjermanëve, do ta mbante Hitlerin në kontroll, ndërsa të tjerët prisnin që ushtria ta bënte këtë. Të gjithë ishin mashtruar nga aftësia e Hitlerit për t’u dukur i respektueshëm në vitet e fundit të Republikës së Vajmarit.

Brenda 100 ditëve pasi Hitleri u bë kancelar, siç ka treguar historiani Peter Fritzsche, përpjekjet e pamëshirshme të nazistëve për pushtet u bën shumë të qarta. Nga fundi i verës së vitit 1933, shoqëria gjermane iu përshtat situatës së re. Nuk kishte më parti të pavarura politike, sindikata apo organizata kulturore. Vetëm kishat e krishtera e ruajtën njëfarë shkalle pavarësie.

Një vit më vonë, në verën e vitit 1934, Hitleri urdhëroi vrasjen e rivalëve të tij të brendshëm të partisë dhe, pas vdekjes së Hindenburgut më 2 gusht, e shpalli veten Fyhrer gjerman. Diktatura e tij ishte e plotë. Në atë kohë, kampet e para të përqendrimit ishin ngritur tashmë dhe ekonomia po vihej në rrugën e luftës.

Kjo periudhë e historisë mbetet shumë e rëndësishme edhe sot. Qindra miliona njerëz do të votojnë në zgjedhjet kryesore këtë vit, dhe megjithëse shenjat paralajmëruese janë të dukshme, pak komentues janë të përgatitur ta thonë me zë të lartë: viti 2024 mund të jetë viti i ngjashëm me vitin 1933.

Vetëm imagjinojeni botën një vit pas prej tani, me dezinformatat që e kanë shkatërruar shumicën demokratike në mbarë botën. Presidenti Donald Trump i jep fund mbështetjes së Shteteve të Bashkuara për Ukrainën. NATO nuk është më një frenues për ëndrrat e Vladimir Putinit për ndërtimin e një Perandorie të re Ruse në të gjithë Evropën Lindore. Një masë kritike e partive të ekstremit të djathtë në Parlamentin Evropian e bllokon një reagim të unifikuar evropian. Polonia, Estonia, Lituania dhe Letonia mbesin në forcat e veta. Me zgjerimin e luftës në Gaza në një konflikt rajonal, Putini e shfrytëzon mundësinë për ta lëshuar një tjetër sulm, të shoqëruar nga raketa me rreze të gjatë veprimi. Dhe mes kaosit, Kina vendos ta pushtojë Tajvanin.

Perspektivat për vitin 2024 janë aq të zymta sa shumë refuzojnë t’i mendojnë ato. Ashtu sikurse liberalët në vitin 1933 parashikuan se Hitleri do të dështonte shpejt, mendimet e dëshirueshme sot po turbullojnë gjykimin tonë. Po ecim në gjumë, si somnabulë – për ta huazuar metaforën e duhur të Christopher Clark për fillimin e Luftës së Parë Botërore – në një rend të ri ndërkombëtar.

Në historinë e saj mjeshtërore me dy vëllime të epokës ndërmjet luftërave, Zara Steiner i referohet viteve 1929-33 si “vitet e menteshës”, kur idealizmi në marrëdhëniet ndërkombëtare u zëvendësua nga “Triumfi i errësirës”. Mirëpo, deri në vitin 1926, liberalët dukej se po fitonin: Ministri i Jashtëm francez Aristide Briand dhe homologu i tij gjerman, Gustav Stresemann, ndanë çmimin Nobel për Paqen për punën e tyre mbi pajtimin franko-gjerman dhe Gjermania u bashkua me Lidhjen e Kombeve. Nacionalizmi ekstrem dukej se ishte i izoluar në Italinë e Musolinit.

Përballë krizave të sotme globale, nuk ka vend për optimizëm. Ne jemi potencialisht në një vit tjetër të varur. Nëse liberalët veprojnë tani, ata ende mund të mbizotërojnë.

Si një shenjë premtuese, qindra mijëra gjermanë dolën kohët e fundit në rrugë për ta mbështetur demokracinë dhe diversitetin dhe për ta denoncuar të djathtën ekstreme. Mirëpo, demonstratat në një vend nuk mjaftojnë. Liberalëve gjermanë duhet t’u bashkohen të tjerë në mbarë kontinentin. Një demonstrim në mbarë kontinentin do të dërgonte një mesazh të fuqishëm. Ndjenja e urgjencës duhet të shtrihet lart, veçanërisht tek liderët e biznesit siç janë Shefi Ekzekutiv i JPMorgan Chase Jamie Dimon, i cili, duke i mbrojtur bastet e tij, tashmë ka filluar të bluajë imët dhe t’i paqësojë gjakrat në raport me Donald Trumpin.

Jo shumë kohë më parë, liderët evropianë u mblodhën dhe bën gjithçka që duhej për ta shpëtuar euron, sepse e kuptuan se dështimi i monedhës së përbashkët do t’i jepte fund vetë Bashkimit Evropian. Evropianët tani duhet ta kërkojnë të njëjtën urgjencë për t’i përmbushur kërcënimet e këtij viti. BE-së i duhet një plan për një botë pa NATO. Ajo ka nevojë për mjete të reja për t’u marrë me liderët e shteteve anëtare si kryeministri hungarez Viktor Orbán dhe ai sllovak Robert Fico, të cilët, që të dy më parë do ta puthnin unazën e Putinit sesa ta mbrojnë demokracinë. Është thjesht e papranueshme që Orbánit ende i jipet mundësia të ushtrojë veton e tij mbi vendimmarrjen e BE-së.

Në SHBA, mobilizimi politik është variabli i madh. Kundërshtarët e Trump duhet t’i lënë mënjanë dallimet e tyre dhe të rreshtohen pas Presidentit Joe Biden. Ne e dimë shumë mirë se ku mund të çojë përçarja dhe optimizmi naiv./El Pais

Përgatiti: Nuhi Shala