Çfarë parashikojnë luftërat dhe krizat e vitit 2022 për vitin 2023

Në fund të shekullit të 20-të, psikologia amerikane Jeane Dixon, e mbiquajtur ‘Falltorja e Uashingtonit’, fitoi një numër të madh ndjekësish pasi parashikoi, në një artikull të revistës 1956, se një njeri që i ngjan John F. Kennedy-t do të zgjidhej President katër vjet më vonë – dhe më pas do të vdiste në zyrë. Por ajo tha gjithashtu se Lufta e Tretë Botërore do të fillonte në vitin 1958 dhe se Bashkimi Sovjetik do ta zbriste njeriun e parë në Hënë. Profetizmi nuk është shkencë.

Megjithatë, disa nga linjat e prirjeve për botën në vitin 2023 janë tashmë të dukshme; luftërat dhe krizat e vitit 2022 do t’i formojnë sfidat e Vitit të Ri. Midis tyre, autokratë të pamëshirshëm po ushtrojnë fuqinë e tyre në mënyra që e tendosin gjerësinë e brezit diplomatik, burimet financiare dhe rezervat e armëve të demokracive. Asnjë nga krizat më shqetësuese në botë – pushtimi i tmerrshëm i Ukrainës nga Vladimir Putin, stërvitjet e paprecedenta ushtarake të Xi Jinping rreth Tajvanit, progresi bërthamor i Iranit dhe shitja e armëve në Rusi, provokimet rekord të raketave të Kim Jong Unit, sundimi gjithnjë e më mizor i Talibanëve në Afganistan, marrja nën kontroll e Haitit nga qindra banda dhe përhapja e ekskluziviteteve të ISIS në të gjithë Afrikën – duket se ka të ngjarë të pakësohet së shpejti.

Tre dekada pasi shpërbërja e Bashkimit Sovjetik shënoi të ashtuquajturin fundin e historisë, viti 2022 shënoi “kthimin e historisë”, vuri në dukje këtë muaj Richard Haass, presidenti i Këshillit për Marrëdhëniet me Jashtë. Është një pasqyrim i kthjellët i trajektores së njerëzimit. Ndërvarësia globalizuese e fillimit të shekullit të 21 nuk e ka penguar një rigjallërim të agresionit që ka lënë të vrarë tashmë dhjetëra mijëra njerëz. Organizatat globale – më së shumti Kombet e Bashkuara, të themeluara pas dy luftërave botërore shkatërruese të shekullit të kaluar – janë dukur kryesisht të pafuqishme për ta ndaluar gjakderdhjen. Me përfundimin e vitit 2022, afërsisht gjysma e demokracive të botës ishin në rënie, sipas Institutit Ndërkombëtar për Demokraci dhe Asistencë Zgjedhore, në Suedi. Shoqëritë e polarizuara nuk u besuan zgjedhjeve. Korrupsioni ishte bërë i pazgjidhshëm. Liritë civile dhe liritë e shtypit u kërcënuan.

Dështimet e këtij viti krijuan një precedent ogurzi për vitin e ardhshëm. “Ndërkohë që ndarja mes demokracive dhe autokracive të botës forcohet, bota po hyn në një periudhë të rinovuar konkurrence dhe konfrontimi”, thotë Anders Fogh Rasmussen, ish-kryeministri danez dhe Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s, në shtator për Foreign Policy. Mirëpo, axhendat afatgjata të thugokratëve (batakçinjëve) përballen me pengesa brenda dhe jashtë vendit, pavarësisht mënyrave autokratike të liderëve edhe në Moskë, Pekin dhe Teheran.

Në Rusi, Putini u modelua publikisht në qershor si Pjetri i Madh i shekullit të 21, me vizione irredentiste të pushtimit të fqinjëve për ta rivendosur Perandorinë Ruse. Lufta në Ukrainë duket se mund të vazhdojë – me mijëra të tjerë të vrarë nga të dyja palët – edhe në vitin 2023, madje edhe më tej. “Është tepër vonë që Putini të heqë dorë nga sipërmarrja më e madhe e karrierës së tij”, shkroi këtë muaj Eugene Rumer, ish-specialist i inteligjencës amerikane për Rusinë, tani në Carnegie Endowment for International Peace. “Ai po ashtu mund ta vazhdojë luftën duke shpresuar të mbizotërojë disi dhe më pas ta shkruajë kapitullin e fundit të karrierës së tij si fitues. Ai do të preferonte të vdiste duke u përpjekur ose të provonte derisa të vdesë.” Supozimi i përhapur është se diplomacia, në rastin më të mirë, ka më shumë gjasa ta ngrijë konfliktin sesa t’i japë fund agresionit të Putinit, më tha Sir Robin Niblett, ish-drejtori i Chatham House, instituti ndërkombëtar në Londër.

Për herë të parë në një gjysmë shekulli, SHBA-të janë gjithashtu të shqetësuara seriozisht për përdorimin e një arme bërthamore nga Moska, veçanërisht nëse Putini fillon të ketë frikë nga humbja e luftës ose frikë nga humbja e fuqisë së tij. Armët bërthamore mbetën një parim qendror i doktrinës strategjike ruse gjatë dhe pas Luftës së Ftohtë. Këtë vjeshtë, gjeneralët e Putinit raportohet se diskutuan se si dhe kur ta përdorin potencialisht një armë bërthamore taktike në Ukrainë. “Kur lideri i një fuqie moderne bërthamore, siç është Putin, flet në mënyrë të pamatur dhe të papërgjegjshme, siç ka bërë ai, për përdorimin e mundshëm të armëve bërthamore në Ukrainë, atëherë duhet ta merrni seriozisht atë”, u tha  John Kirby gazetarëve të Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

Megjithatë, agresioni i Putinit në Ukrainë gjithashtu ka rezultuar i kundërt. Pushtimi i tij e ekspozoi dobësinë e ushtrisë së tij, strategjitë fatkeqe të gjeneralëve të tij dhe pamaturinë e tij. Rusia ka pësuar të paktën njëqind mijë viktima, thotë një deklarate e Pentagonit e muajit të kaluar. Putini është përballur gjithashtu me sfida të brendshme. Rekrutët ushtarakë janë ankuar se janë dërguar në vijën e parë me stërvitje të mangët dhe armatim të vjetëruar. Komentatorët rusë e kanë vënë në dyshim publikisht se si Moska e ka zhvilluar luftën. Sanksionet perëndimore e kanë vënë në rrezik ekonominë e tij. Rusia, tani për tani, nuk duket më një superfuqi.

Pushtimi rus në Ukrainë njëkohësisht e ka forcuar dhe rigjallëruar NATO-n, e kundërta e asaj që synonte Putini. Para luftës në Ukrainë, NATO-ja dukej e dobësuar pas kërcënimeve të përsëritura të Presidentit Donald Trump për t’u larguar nga kjo organizatë dhe tërheqjes katastrofike të Bidenit nga misioni i udhëhequr nga NATO në Afganistan. Përkundrazi, aleanca e tridhjetë kombeve mori një mision të ri – dhe më shumë vrull se në çdo moment që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë. Suedia dhe Finlanda, të cilat i kishin rezistuar anëtarësimit për më shumë se shtatë dekada, po përpiqen t’i bashkohen tani NATO-s.

Në Kinë, Xi krijoi një mandat të tretë historik si President i kombit më të populluar në botë në Kongresin e Partisë Komuniste në muajin tetor. Ai ka më shumë fuqi – dhe, pohojnë disa ekspertë, qëllime më ambicioze ushtarake, ekonomike dhe rajonale – se çdo lider kinez që nga Mao Ce Duni. Ai ka kërcënuar se do t’i përdorë “të gjitha masat e nevojshme” për t’a ribashkuar Tajvanin me kontinentin aziatik. Në një samit në Bali, në nëntor, Xi i tha Presidentit Biden se ndërhyrja në emër të Tajvanit është “vija e parë e kuqe” që SHBA-të bëjnë mirë të mos e kalojnë.

Uashingtoni dhe Pekini, megjithatë, nuk janë ende në një Luftë të re të Ftohtë, thotë Ian Bremmer, presidenti i Grupit Eurasia. “Nuk është vetëm Biden që e thotë këtë. Xi nuk ka asnjë interes për të. Dhe ka shumë ndërvarësi”, shton tutje Bremmer, pavarësisht konkurrencës intensive mbi teknologjinë dhe Tajvanin. Me gjithë forcën e re politike të Xi-së, ai ka nevojë për tregtinë perëndimore për ta rikthyer ekonominë e tij krye. As aleatët e SHBA-së nuk duan të detyrohen të zgjedhin midis dy fuqive ekonomike dhe ushtarake, thotë Bremmer. Ashtu sikurse Putini, plotfuqia në dukje e Xi-së u sfidua kohët e fundit kur protestat në qytete të shumta kërkuan t’i jepej fund politikës së tij gjithëpërfshirëse “zero Covid”. Një qeveri që kaloi vite duke e forcuar kontrollin mbi komunikimet – veçanërisht internetin – u përpoq të parandalonte që videot e demonstratave dhe brutaliteti i policisë të bëheshin virale. Xi përfundoi duke hequr dorë nga terreni dhe duke i lehtësuar kufizimet.

Në një përpjekje për t’i forcuar pozitat e tyre në shtëpi dhe për t’iu kundërvënë Perëndimit, Putini dhe Xi zgjeruan aleancën e tyre në vitin 2022. Në prag të Lojërave Olimpike në muajin shkurt, të dy udhëheqësit – të veshur me kravata ngjyrë vjollce – u mburrën se partneriteti i tyre i “pa kufijve” do të krijonte një “epokë të re”. Putini e mbështeti pretendimin e Kinës ndaj Tajvanit, ndërkohë që Xi ra dakord që zgjerimi i NATO-s në Evropë ishte kërcënim për Rusinë. Gjerësia e bashkëpunimit të tyre ushtarak në rritje ishte e dukshme në shtator kur Kina vendosi më shumë se dy mijë trupa, njëzet e një avionë luftarakë dhe tri anije luftarake për një stërvitje të përbashkët në Rusi. Disa muaj më vonë, Rusia dhe Kina ekzekutuan patrulla të përbashkëta në ajër – duke përfshirë bombardues të aftë për të mbajtur armë bërthamore – mbi Detin e Japonisë dhe Detin e Kinës Lindore.

Në afat të shkurtër, dy fuqitë e mëdha në Evropë dhe Azi janë më kohezive dhe më pak të prekshme ndaj presionit të SHBA-së, thotë Niblett. Në vitin 2023, ndarja midis Perëndimit dhe aleancës Rusi-Kinë ka të ngjarë të thellohet edhe më shumë. Mirëpo SHBA-ja po e forcon pozicionin e saj duke lidhur aleatët e saj në Atlantik dhe Paqësor: ajo e ka bërë këtë duke afruar Japoninë, Korenë e Jugut dhe Australinë më pranë NATO-s dhe G7-ës. Në të njëjtën kohë, është duke i inkurajuar evropianët që t’i shndërruar angazhimet e tyre retorike ndaj sigurisë Indo-Paqësorit në hapa praktikë.

Në Iran, Presidenti Ebrahim Raisi e konsolidoi kontrollin e vijës së ashpër mbi degët ekzekutive, legjislative, gjyqësore dhe ushtarake të qeverisë. Regjimi zbatoi me rreptësi kodet sociale dhe kufizoi më tej liritë personale. Pas më shumë se një viti diplomaci për ringjalljen e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, Teherani gjithashtu hoqi dorë nga kushtet e dakorduara nga SHBA, Britania, Franca, Gjermania, Rusia dhe Kina – dhe e përshpejtoi programin e tij bërthamor. Tani do të duhet më pak se një javë për të pasur uranium të mjaftueshëm të pasuruar për ndezjen e një bombe. (Duhen hapa të tjerë për ta ndërtuar atë.) Irani gjithashtu siguroi qindra dronë për Moskën që forcat ruse i përdorën për ta shkatërruar infrastrukturën dhe për të vrarë civilë në Ukrainë. Garda Revolucionare u dërgua në Krime për t’i trajnuar homologët e tyre rusë, sipas zyrtarëve të inteligjencës amerikane dhe britanike.

Megjithatë, në vjeshtë, një gjeneratë e re, e udhëhequr nga vajza adoleshente dhe vajza të tjera të reja, mobilizoi muaj me protesta në të gjithë Iranin pas vdekjes së një gruaje (mahsa Amini) njëzet e dy vjeçare që ishte arrestuar sepse nuk i kishte mbuluar mjaftueshëm flokët e saj. Ishte sfida më e guximshme ndaj Republikës Islamike që nga revolucioni i vitit 1979 – në një kohë kur Udhëheqësi Suprem, Ayatollah Ali Khamenei, është i moshuar dhe i sëmurë. “Për vitin 2023, unë parashikoj se historia më e madhe do të jetë Irani dhe ndërveprimi i protestave, vazhdimësia e mundshme në krye dhe çështja bërthamore”, më tha Haass, presidenti i Këshillit për Marrëdhëniet me Jashtë.

“Megjithatë nuk ishte gjithçka aq keq”, shton Haass për vitin 2022. Rivalët kryesorë të Amerikës u përballën me probleme të brendshme në të njëjtën kohë kur shumë nga mohuesit më të këqij të demokracisë u mundën në zgjedhjet afatmesme në SHBA. Perëndimi demonstroi qëndrueshmëri dhe një unitet të rigjallëruar, vuri në dukje ai. Të njëjtën gjë e bënë protestuesit nëpër kontinente tjera.  “Nga Mariupoli në Managua, nga Kabuli në Kigali, nga Taipei në Teheran, ne kemi parë akte të panumërta trimërie dhe sfidash në emër të lirisë dhe kundër agresionit autoritar”, thotë Freedom House, organizata jofitimprurëse që monitoron demokracinë në mbarë botën. Pavarësisht nga të gjitha krizat e jashtëzakonshme që SHBA-ja dhe demokracitë e tjera do të duhet të kalojnë në vitin 2023, thugokratët ka të ngjarë të përballen edhe me sfidat e tyre./Newyorker.com

Përgatiti: Nuhi Shala