Kandidatja e LDK-së pro shitjes së Telekomit e ndërtimit të autostradës së Dukagjinit

Kandidatja për deputete nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Brikenda Kryeziu ka dhënë qëndrimet e saj në një intervistë për KALLXO.com ku flet për çështje të ndryshme të cilat morën vëmendje të madhe në opinion.

Kryeziu e cila kandidon për të dytën herë si deputete nga LDK thotë se kauza e saj primare do të jetë zhvillimi ekonomik.

“Kauza ime është çështja e zhvillimit ekonomik dhe mundësitë e rinisë për punësim dhe hapje të vendeve të punës dhe çështjet e mirëqenies sociale, kauza ime kryesisht do të ndërlidhet me zhvillimin e ekonomisë”, thotë ajo për KALLXO.com.

Tutje Kryeziu thotë edhe se nuk e ka ndërmend të marr post ministror pasi që sipas saj pozita e deputetes do të jetë si rrjedhojë e votave të qytetarëve që i besojnë që t’i përfaqësoj në Kuvend.

Sipas Kryeziut taksat të cilat duhet të rriten në Kosovë janë taksat për alkool e duhan, ndërsa ato që duhet të ulen janë ato që prekin direkt siç e quan ajo shportën e qytetarëve të Kosovës.

Kryeziu për KALLXO.com tregon se njëra ndër amendamentet që do të propozoj në kuvend në qoftë se merr mandatin e deputetes është rregullimi i ligjit për ndërmarrjet publike.

Ajo flet edhe për tri problemet apo nevojat e komunës prej nga vije, Gjakova.

“Papunësia, zhvillimi ekonomik do të tentojmë që përmes pozicionit tonë të zhvillojmë dhe krijojmë mundësi për zhvillim ekonomik, zhvillim të bujqësisë dhe të arsimit”, thotë ajo.

Brikenda Kryeziu thotë se nuk e ka në plan të ndërroj partinë dhe këtë gjë nuk do ta bëjë asnjëherë duke treguar nëse do të votoj ndonjëherë kundër qëndrimit të grupit të saj parlamentar.

“Zakonisht qëndrimet e grupit parlamentar janë qëndrime koherente dhe s’do të besoj që do të ketë ndonjë arsye të votoj kundër grupit parlamentar”, tregon ajo për KALLXO.com.

Personat me nevoja të veçanta do ta kenë përkrahjen e Kryeziut nëse merr mandatin e deputetes deri sa shton edhe se me cilat projekte do të kontribuoj për përmirësimin e ajrit dhe ambientit të ndotur në Kosovë.

“Ka mekanizma të mjaftueshëm ligjor por duhet të zbatohen, gjithsesi në programin politik që e kemi do të mundohemi që të krijojmë mundësi të krijimit të energjisë alternative që do të ndikoj në përmirësimin e ajrit në Kosovë”, tregon ajo.

Kryeziu tha se është kundër ndërtimit të termocentralit të tretë me qymyr, djegies së qymyrit nëpër shtëpi gjatë dimrit dhe përdorimit të qeseve të plastikës.

Ajo shton se është për shitjen e Telekomit të Kosovës dhe ndërtimit të autostradës së Dukagjinit.

Kundër ka thënë se është edhe për shkëmbimin e territoreve me Serbinë dhe heqjes së tarifës me po të njëjtin vend.

Kryeziu shton se është kundër ndërtimit të hidrocentraleve në lumenjtë e Kosovës ndërsa është pro mbylljes së Universiteteve Publike nëpër komuna nëse nuk i akreditohen programet nga Agjencia e Akreditimit.

Brikenda Kryeziu shton se është kundër monopolit për homologim dhe për martesave mes gjinisë së njëjtë.

Në lidhje me bartjen e shamive në shkolla, Brikenda Kryeziu deklaron se është kundër, ndërsa për kuotë të deputetëve nga diaspora thotë se është për.

Edhe për ridizajnimin e skemës për veteranët e luftës dhe heqjen e kartonit të gjelbër Kryeziu thotë që është për.

Në lidhje me financimin e fushatës, Kryeziu thotë se kjo i takon gjithsecilit kandidat të financoj fushatën e tij.

“Fushata është çështje e pjesës së përgjegjësisë që i takon subjektit politik, e pjesa tjetër është pjesë vullnetare e gjithsecilit kandidat për deputet”, tha ajo.

Ajo tregon edhe se ka një vend pune në sektor publik, por, që nëse merr mandatin e deputetes do të mbes vetëm deputete.

Të hyrat mujore të Kryeziut siç tregon sillen deri në 730 euro ndërsa shton se ka pasuri të përbashkët me bashkëshortin.

Ajo shton se në rast se ka nevojë për trajtim mjekësor shkon në ato publike, dhe se do të vazhdoj të përdor spitalet publike edhe nëse merr mandatin e deputetes.

Siç thotë Kryeziu, një fëmijë i saj është në shkollë private, njëri në shkollë publike.

Gjithashtu Kryeziu tregon edhe nëse do të punësoj familjarë të saj nëse merr postin e deputetes.

“Familja e ngushtë, fëmijët janë në studime, bashkëshorti punon. Në punë duhet të punësohen njerëz meritor që janë profesional për punën që e kryejnë dhe nuk do të ketë diferencime të subjekteve që u takojnë”, thotë ajo.

Kryeziu thotë se fati i Trepçës duhet të mbetet nën qeverisje shtetërore deri sa shton se me cilindo projekt që i shkaktohet dëm Kosovës ajo do të kushtëzoj votën.

Kandidatja për deputete nga LDK tregon edhe se me çfarë do të kujtohet ajo.

“Do të isha munduar që potencialin tim ta adresoj për çështje ekonomike sidomos te ndërmarrjet publike, kontrollin mbikëqyrjen monitorimin, zbatimin ligjor të institucioneve direkt te ndërmarrjet publike”, thotë ajo.

Sa i takon parashtrimit të pyetjeve parlamentare, Kryeziu thotë se do të parashtroj sa të jetë e nevojshme duke shtuar se do të mbaj takime me qytetarë sa herë të jetë e nevojshme.

“Besoj që për secilën temë që do të ketë interes për cilindo komunitet do të jem e gatshme të mbajë takime”, thotë ajo.

Tutje Kryeziu jep qëndrimin e saj edhe për importin e veturave në Kosovë.

“Nuk kam ide por besoj që ato automjete që kanë normë të dëmit në ambient më të lartë (nuk duhet të lejohen të importohen në Kosovë) s`kam njohuri shumë”, tha ajo.

Kryeziu deklaron se do të jap dorëheqje nëse ndaj saj ngritet aktakuzë si dhe do të votoj rrëzimin e qeverisë nëse kryeministri ka aktakuzë.

Ajo shton se do të e votoj një qeveri që ka mbi 15 ministri si dhe një ministri sipas Kryeziut duhet të ketë vetëm një zëvendësministër.

Kryeziu ka deklaruar se nuk do të i votoj për anëtarësim në borde të ndërmarrjeve publike dhe shoqërore njerëzit që nuk i plotësojnë kushtet për emërim si dhe do të bëj transparente fondet e partisë si dhe faturat e shpenzimeve në kuvend apo ministri varësisht se cilën pozitë do të jetë.