Kandidati nga LDK - 'Taksat në turizëm duhen ulur' - VIDEO

Kandidati për deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ruzhdi Shehu ka thënë se prioritet nëse merr mandatin për të përfaqësuar qytetarët do të jetë sundimi i ligjit dhe rendit në Kosovë, zhvillimi ekonomik dhe arsimi.

Ai shton se nëse merr mandatin do të vazhdoj të jetë deputet e jo të kaloj në ndonjë post ministror.

Ai shton se taksat për turizëm duhet të ulen.

“Mendoj se nuk ka nevojë të rriten taksat ndërsa ulje duhet të ketë në sektorin e hotelerisë dhe turizmit”, thotë ai në një intervistë për KALLXO.com.

Tutje ai tregon edhe për amendamentet që do të propozoj.

“Unë do të propozoj, për ndërmarrjet e sektorit privat te ligji i lehonisë mendoj se duhet të merret një amendament shumë shpejt në mënyrë që të zgjatët pagesa për gratë duhet të jetë barrë nga shteti 9 muaj pa pagesë e jo të bie barrë e biznesit”, tregon ai.

Shehu tregon edhe për problemet në Komunën prej nga vjen atij të Junikut.

“Juniku është një komunë rurale është themeluar në 2005 probleme ka të mëdha, tri  problemet janë mbrojta e ambientit, ujërat pastrimi i tyre dhe ndërtimi i rrugës që është projekt i viteve 2007-2008 të ndërlidhet me kufirin Shqipëri- Mali i Zi që lidh dhe bjeshkët e Gjeravicës”, thotë Shehu për KALLXO.com.

Ai nuk pretendon ta ndërroj partinë dhe se thotë se do të mundohen që të harmonizojnë qëndrimet që mos të votoj kundër qëndrimeve të grupit parlamentar të LDK-së.

Përkrahjen e Shehut më së shumti do ta kenë, shtresa e varfër dhe njerëzit me nevoja të veçanta.

Ai  tregon edhe projektet që do të i ndërmerr për mbrojtjen e ajrit dhe ambientit në Kosovë.

“Së pari duhet të marrim masa për mbrojtjen e ambientit sidomos në lumenjtë e Kosovës, duhet të shikojmë mundësinë e pajtimit çështjen e përgjegjësisë për familjet të cilët gjatë sezonit dimëror përdorin thëngjill, njerëzit e varfër të i ndihmojmë në financa të tyre”, thotë tutje Shehu për KALLXO.com.

Në lidhje me çështjet që morën vëmendje të madhe në shoqëri dhe opinion, Shehu jep qëndrimet e tij personale.

Ai thotë se ‘duhet të jemi të kujdesshëm dhe duhet të aranzhojmë ekspertë për të vlerësuar gjendjen, e ndërtimit të termocentralit të tretë me qymyr’, ndërsa shton se nuk është pro ndërtimit.

Tutje ai thotë se është kundër djegies së qymyrit nëpër shtëpi gjatë dimrit, përdorimit të qeseve të plastikës dhe kundër privatizimit të Telekomit të Kosovës.

Ai shton se është pro ndërtimit të autostradës së Dukagjinit, kundër shkëmbimit të territoreve me Serbinë ndërsa jep një qëndrim për tarifën ndaj Serbisë.

“Çështja e tarifës duhet të mbetet, por duhet të shqyrtohet mundësia që të diskutohet edhe për masa të tjera që Serbia të mos pengoj procesin e shtetësisë”, thotë ai.

Tutje Shehu thotë se është kundër ndërtimit të hidrocentraleve në lumenjtë e Kosovës dhe nëse nuk plotësojnë universitetet kushtet atëherë duhet të mbyllen.

Gjithashtu kundër është përgjigjur se është edhe ndaj monopolit në homologim ndërsa thotë se martesat në mes të gjinisë së njëjtë duhet të trajtohen sikurse në vendet e civilizuara.

Ai thotë se është kundër bartjes së shamive në shkolla dhe se është për përfaqësues nga diaspora në kuvend.

Në lidhje me ridizajnimin e skemës për veteranët e luftës, Shehu thotë se është për deri sa tregon edhe se është për heqjen e kartonit të gjelbër ndaj diasporës.

Për fushatën e Shehut po përkujdeset familja dhe personalisht vetë.

Ai shton se ka një vend pune dhe do të mbaj vetëm atë të deputetit.

Në lidhje me pasurinë dhe të hyrat mujore, Shehu thotë se ka pasuri të përbashkët dhe të hyrat janë deri në 2 mijë e 800 euro në muaj.

Në lidhje me pasurinë e përbashkët me bashkëshorten, Shehu thotë se ende ka pasuri të përbashkët me familjen por shton se nëse do ta ndajë atëherë do të ndërmarr masat për të bërë pasurinë e përbashkët me bashkëshorten.

Në rast të ndonjë sëmundje Shehu thotë se viziton spitalet publike gjë që shton se do të vizitoj edhe nëse bëhet deputet.

Ai thotë se nuk do të punësoj familjarë nëse merr mandatin e deputetit.

“Jo unë faktikisht kam vetëm vajzën e papunë dhe bashkëshorten por nuk do të i punësoj do të jenë prioritete ata që kanë nevojë”, tha ai për KALLXO.com.

Tutje ai tregon se është kundër privatizimit të gjigandit Trepça deri sa shton se nuk do të ketë ndonjë projekt që do ta kushtëzoj votën e tij por shton edhe se do të jap  mendimet e tij sa i përket zhvillimit ekonomik.

Ai premton se do të jetë aktiv dhe i përgjegjshëm në çdo seance apo çdo komision.

Ai shton se do të bëj minimumi  32 pyetje parlamentare brenda një viti.

“Zakonisht parlamenti mban në javë nga një seancë, minimum 32 pyetje parlamentare”, thotë Shehu duke shtuar se do të mbaj takime me qytetarë çdo muaj.

Makinat më të vjetra se 10 vite sipas Shehut nuk duhet të lejohen të importohen në Kosovë.

Ai premton se nëse do të marr mandatin e deputetit dhe ndaj tij do të ngritët aktakuzë do të jap dorëheqje menjëherë duke shtuar edhe se do të votoj rrëzimin e qeverisë nëse kryeministri ka aktakuzë.

Shehu thotë se do të tentoj që të mos votoj një qeveri që ka më shumë se 15 ministri dhe se një ministri sipas tij duhet t’i ketë dy zëvendësministra.

Ai thotë se në ndërmarrje publike dhe shoqërore nuk do të votoj njerëz që nuk i  plotësojnë kushtet por vetëm njerëz profesional dhe se premton se do të bëj transparente fondet e partisë dhe shpenzimet e faturat.