Ia Vjedh 80 000 Euro Baxhanakut

B. Xh. nga Mitrovica akuzohet se ka vjedhur 80 000 Euro në shtëpinë e baxhanakut të tij. Sipas Prokurorisë Komunale në Mitrovicë, ai së bashku me dy shokë të tjerë, në mbrëmjen e 9 tetorit 2010, kishin hyrë në shtëpinë e baxhanakut të tij dhe ia kishin vjedhur paratë.

Në fillim, familja e dëmtuar nuk ka dyshuar aspak në baxhanakun, por pas hetimeve të policisë, atyre iu janë kujtuar “sjellje të dyshimta” të B.Xh.-së.

“Para se të më vidhen paratë, baxhanaku i vëllait tim, që është njëri prej të akuzuarve ka qenë disa herë në dyqanin tim, gjë që nuk ka ndodhur më herët”, ka thënë P. N.

“Ndërsa të akuzuarve, për 360 shkallë, iu është ndryshuar jeta sa i përket të mirave materiale”, u shpreh ai, para trupit gjykues.

P. N. tregoi se kishte qenë në punë në kohën kur kishte ndodhur vjedhja. “Vjedhja ka ndodhë në mes orës 19 dhe 19.30, ndërsa vëllai im më ka thirrur tek në orën 19.50 kur edhe ka zbuluar se ka ndodhur ky rast”.

Ai shtoi se kur ka mbërritur në shtëpi e ka parë se dhoma e tij dhe e vëllait të tij kanë qenë tërësisht të demoluara. E ka thirrur menjëherë policinë.

“Në fillim nuk kemi dyshu aspak në të akuzuarit, por policisë i kemi thënë se dyshojmë në dy persona të tjerë në fshatin tonë, të cilët janë të njohur për këso probleme”.

Pas zhvillimit të hetimeve, nga ana e policisë, P.N. tha se i kanë kuptuar edhe emrat e të akuzuarve. Madje janë paraqitur edhe dëshmitarë që i vërtetojnë dyshimet, mirëpo ata për shkaqe sigurie nuk dëshirojnë të flasin.

Në fund, P.N. tha se prej që ka ndodhur kjo vjedhje, nëna e tij e ka marrë sëmundjen e sheqerit, kurse babai është në gjendje të rëndë shëndetësore. “Ndërsa fëmijët, edhe sot e kësaj dite, nuk guxojnë të flenë vetëm”.

Në këtë seancë, tre të akuzuarit deklaruan se nuk e ndiejnë veten fajtorë, madje, njëri prej tyre as nuk pranonte mbrojtës me arsyetimin se nuk ka nevojë ta mbrojë askush, sepse nuk është fajtor.

Meqenëse mbrojtësi i të akuzuarit B. XH. avokati Bajram Tmava në fillim të seancës kishte kërkuar nga trupi gjykues që mos ta zgjasë këtë seancë, sepse do t’i duhej të ishte në një seancë tjetër në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, seanca u ndërpre në orën 12, për të vazhduar pas një muaji.