Dyshimet për tenderin e Prizrenit, ulëset e reja nisin të ndryshken

Një numër i konsideruar ulësesh të vendosura në ‘Sheshin Kej’ të Prizreni janë dëmtuar.

Sipas disa fotografive, ulëset shihet se janë ndryshkur.

Ulëse të njëjta KALLXO.com ka gjetur se deri më tani komuna e Prizrenit i ka blerë vetëm 20 copë, ndërsa sipas kontratës kanë qenë të planifikuara të blihen 70 të tilla.

Kontrata tre vjeçare e nënshkruar në dhjetor të vitit 2018 me konzorciumin e kompanive “NABS” dhe “Arching”, me një vlerë të përgjithshme prej 289 mijë e 124 euro, parasheh pajisjen e mini-parqeve të qytetit me ulëse, shtylla të ndriçimit e shporta të mbeturinave.

Drejtësia në Kosovë ka gjetur se janë kontraktuar ulëse afërsisht të ngjashme, por me çmime që kanë deri në 1,000% dallim. Njëra ulëse 995 euro, e tjetra veç 11 euro. Loja e njëjtë me çmime është aplikuar edhe me shtylla elektrike.

Deri më tani, janë shpenzuar 289 mijë e 94 euro, apo vetëm 30 euro më pak se totali i kontratës. Por, me këto para, Komuna e Prizrenit ka blerë shumë më pak produkte se ato që ishin planifikuar.

Duke analizuar kontratën dhe produktet e porositura, del se janë vendosur 183 ulëse nga 340 sa i kishte planifikuar komuna. Janë vendosur 157 ulëse më pak, por komuna e Prizrenit i ka paguar 107 mijë euro, apo 19 mijë euro më shumë së vlera e planifikuar për të blerë 340 ulëse. Pra, kemi më pak ulëse e rreth 20 mijë euro më shumë të shpenzuara.

KALLXO.com ka kërkuar informacione në Komunën e Prizrenit rreth ulëseve të dëmtuara. Ata në një e-mail kanë konfirmuar se këto ulëse kanë kushtuar 11 euro për copë dhe janë vendosur në vjeshtën e vitit 2019.

“Ulëset sipas përshkrimit të lokacionit në fotot e bashkangjitura janë vendosur gjatë sezonit vjeshtor në vitin 2019. Projekti:  Ndërtimi  i miniparqeve, furnizimi dhe vendosja  në hapësira publike e ulëseve, koshave për plehra, dhe NP në Komuna e Prizrenit. Investitor:  Drejtoria e Shërbimeve Publike  – Komuna e Prizrenit. Kontraktuesi:  OE – “NABS” SHPK nga Prishtina dhe NPTSH “ARCHING” nga Prizreni Çmimi kontraktues:   289,124.00€. Kjo ulëse i takonit poz. Nr. 1.2,  nga kontrata, me çmimin kontraktues prej 11.00 €”, thuhet në përgjigjen e komunës për KALLXO.com.

Dyshimet për ‘gjakderdhjen’ financiare në Prizren