Dyshimet për 'gjakderdhjen' financiare në Prizren

Qytetarët e Prizrenit do të kenë mundësi të ulen e pushojnë në një ulëse që është paguar hiq më pak se 995 euro.

Blerja e tyre është bërë përmes një kontrate të nënshkruar nga kryetari i komunës, Mytaher Haskuka që në vete ka shumë anomali që kanë mundësuar zhvatjen e buxhetit të komunës.

Kontrata tre vjeçare e  nënshkruar në dhjetor të vitit 2018 me konsorciumin e kompanive “NABS” dhe “Arching”, me një vlerë të përgjithshme prej 289 mijë e 124 euro, parasheh pajisjen e mini-parqeve të qytetit me ulëse, shtylla të ndriçimit e shporta të mbeturinave.

Drejtësia në Kosovë ka gjetur se janë kontraktuar ulëse afërsisht të ngjashme, por me çmime që kanë deri në 1,000% dallim. Njëra ulëse 995 euro, e tjetra veç 11 euro. Loja e njëjtë me çmime është aplikuar edhe me shtylla elektrike.

Deri më tani, janë shpenzuar 289 mijë e 94 euro, apo vetëm 30 euro më pak se totali i kontratës. Por, me këto para, Komuna e Prizrenit ka blerë shumë më pak produkte se ato që ishin planifikuar.

Duke analizuar kontratën dhe produktet e porositura, del se janë vendosur 183 ulëse nga 340 sa i kishte planifikuar. Janë vendosur 157 ulëse më pak, por komuna e Prizrenit i ka paguar 107 mijë euro, apo 19 mijë euro më shumë së vlera e planifikuar për të blerë 340 ulëse. Pra, kemi më pak ulëse e 20 mijë euro më shumë të shpenzuara.

Hulumtimi ka zbuluar se e njëjta ka ndodh edhe me shtylla elektrike. Janë planifikuar të vendosen 230 shtylla nëpër qytet me një kosto prej 100 mijë e 320 euro. Ne kemi gjetur se deri më tani janë vendosur vetëm 143 shtylla e janë shpenzuar 128 mijë euro. Pra, janë vendosur 87 shtylla elektrike më pak se planifikimi, ndërsa janë shpenzuar 27 mijë euro më shumë.

Kjo ‘formulë’ për të shpenzuar shumë para dhe për të blerë më pak produkte është mundësuar nga komuna e Prizrenit, e cila ka vendos me porosit produkte të shtrenjta dhe shumë më pak produkte të lira.

Modeli i parë i ulëseve është kontraktuar me një çmim prej 995 euro copa. Të tilla ishin planifikuar të vendosen 60 copa.

Përkundër kontraktimit me një çmim enormë, Komuna e Prizrenit i ka porositur gjithsejtë 78 copa apo 18 copa më shumë se sa ishte planifikuar në kontratë. Këto 78 copa ulëse i kanë kushtuar Komunës së Prizrenit hiq më pak se 77 mijë e 610 euro.

Për këto 18 copa të ulëseve që janë porositur përtej sasisë së parashikuar, Komuna e Prizrenit ka paguar 17 mijë e 910 euro.

Kurse, modelin e dytë të ulëseve Komuna e Prizrenit i ka kontraktuar me një çmim prej vetëm 11 euro për copë. Në kontratë ishte planifikuar të bliheshin 70 ulëse të tilla. KALLXO.com ka gjetur se deri më tani ka blerë vetëm 20 copa.

Sa për krahasim, me paratë e një ulëse prej 995 do të mund të bliheshin hiq më pak se 90 copa ulëse me një çmim prej 11 euro.

Ulëset nga çeliku, Foto: KALLXO.com

 

E njëjta ‘lojë’ me çmime është aplikuar edhe në rastet tjera e rezultati është më pak ulëse dhe më shumë pare.

Janë kontraktuar dy modele të ulëseve të drurit: njëra me çmim prej 4.50 euro e tjetra hiq më pak se 450 euro për copë.

Komuna e Prizrenit i ka porositur vetëm 20 ulëse që kanë kushtuar 4.5 euro nga 60 të planifikuara.

Ulëeset e drurit nga bungu, Foto: KALLXO.com

Mirëpo, komuna nuk ka kursyer në ulëset e shtrenjta, përkundrazi i ka porositur 65 copa apo 15 më shumë se sa i kishte planifikuar. Vetëm këto 15 copa ulëse shtesë i kanë kushtuar Komunës 6,750 euro.

Sa për krahasim me parat që janë blerë 15 ulëse shtesë do të mund të bliheshin hiq më pak se 1,500 ulëse të 4.5 eurove.

Kurse, dy modelet tjera të ulëseve që janë kontraktuar me vetëm 48 euro copa, komuna e porositur asnjë edhe pse në kontratë janë planifikuar 100 copa.

E njëjta praktikë është aplikuar edhe tek produkte tjera. Shembull, dy shtylla elektrike  të cilat janë 90% të njëjta kanë dallim në çmim 889 euro.

Një shtyllë ndriçimi me dukje antike dekorative me llambë LED është kontraktuar nga komuna me një çmim prej 900 eurove.

Komuna i ka kontraktuar 50 shtylla të tilla, mirëpo i ka blerë 65 copa. Pra, për 15 copa shtesë, Komuna e Prizrenit i ka paguar 13 mijë e 500 euro.

Shtyllat antike dekorative të ndriçimit, Foto: KALLXO.com

Por, një shtyllë antike me specifikacione të njëjta dhe shtesë me sistem solar është kontraktuar me një çmim prej 11 euro. Është planifikuar të blihen 60 shtylla të tilla, por Komuna e Prizrenit e ka kursy kompaninë duke mos porosit asnjë deri më tani. Sa për ilustrim, me 900 euro sa ka kështu vetëm një shtyllë e shtrenjtë do të mund të bliheshin hiq më pak se 81 shtylla të njëjta që e kanë shtesë edhe sistemin solar. Ndërsa, nëse e marrim vetëm shumën prej 13 mijë e 500 euro sa janë shpenzuar për 15 shtylla shtesë që janë blerë do të bliheshin hiq më pak se 1 mijë e 227 shtylla elektrike me sistem solar.

Një shtyllë tjetër elektrike me pamje moderne është kontraktuar me çmim prej 900 euro. Të tilla shtylla, Komuna e Prizrenit i ka porosit 78 copa, apo 18 më shumë se sa i kishte planifikuar.

Shtyllat moderne të ndriçimit, Foto: KALLXO.com

Kurse, shtylla tjetër moderne, me specifika të afërsisht të ngjashme por me sistem solar, Komuna i ka kontraktuar me një çmim prej 11 eurove. Deri më sot, komuna nuk e ka porosit asnjë prej 60 të planifikuara.

Kontrata e nënshkruar në fund të vitit 2018, tashmë është afër përfundimit. Nga 289 mijë e 124 euro sa ka qenë vlera e parashikuar e kontratës, Komuna e Prizrenit ka shpenzuar tashmë 289 mijë e 94 euro. Meqë është kontratë kornizë, Komuna e Prizrenit ka të drejtë që të bëjë blerje edhe 30% më shumë se sa vlera e parashikuar e kontratës.

Deri më tani Komuna e Prizrenit ka zbatuar katër faza të kontratës ndërsa ka bërë porosinë e disa produkteve në fazën e pestë në shkurt të këtij viti, por për shkak të pandemisë COVID-19, faza e pestë ende nuk është zbatuar.

Kompania e kontraktuar nga Komuna e Prizrenit “NABS” e kanë dhënë një arsyetim për çmimet me dallime të mëdha.

“Në bazë të relacioneve tona kontraktuese me furnitorët, në shumë raste produktet të cilat janë të prodhuara në sasi të mëdha na ofrohen me zbritje, qoftë për shkak të tepricës së prodhimit ose rabateve tjera që i pranojmë ne në kuadër të afarizmit tonë”, thuhet në përgjigjet e Kompanisë “NABS” për emisionin Drejtësia në Kosovë.

Përveç kësaj, kompania thotë që këto çmime të ofruara janë pjesë e politikës së tyre biznesore.

“Normalisht, edhe ne në kuadër të politikave të kompanisë tonë, në disa raste fitojmë më shumë në produkte, në disa raste veprojmë me çmime më të ulëta dhe marzhe minimale për të qenë konkurrues në treg. Në çdo rast, klientët tanë, qofshin autoritete kontraktuese ose klient të rregullt afarist, produktet i kanë në dispozicion për blerje sipas çmimeve të vendosura nga kompania jonë dhe politikave tona afariste”, thuhet në përgjigjet e Kompanisë “NABS”.

Po ashtu edhe në lidhje me dallimet tek ulëset siç ka qenë dorezat, kompania thotë se nuk e di se sa kushton një dorezë e tillë.

“Ne e kemi të pamundur të përgjigjem për dorëzat anësore të ulëseve për shkak se ulëset ne i importojmë si tërësi dhe jo me pjesë. Sipas specifikave të tenderit, ne kemi ofertuar për të dy llojet e ulëseve, të dyja i kemi në dispozicion me çmimet e ofertuar dhe të dyja i kemi ofruar sa here janë kërkuar nga autoriteti kontraktues”, thuhet tutje në përgjigje.

Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prizrenit, Levent Kasami, nuk ka dashur të jep detaje në lidhje me këtë çështje përkundër insistimit të vazhdueshëm KALLXO.com. I njëjti ka dhënë dorëheqje nga posti i drejtorit gjatë kohës sa Drejtësia në Kosovë ka nisur hulumtimin për këtë tender.

Në një raport të cilin fillimisht kishte marrë KALLXO.com tregohej se në cilat lokacione kishte përfunduar procesi i vendosjes së produkteve të kontraktuara gjë që nuk e bënte të qartë se cila produkte saktë ishin vendosur.

Me anë të telefonit, Kasami i kishte thënë KALLXO.com se ishin vendosur të gjitha llojet të cilat janë porositur. Dokumentet dhe faturat që na i ka ofru komuna e demantojnë Kasamin pasi aty vërtetohet se disa prej produkteve nuk janë porositur fare.

Në anën tjetër zyrtarisht me anë të një emaili, Kasami kishte thënë se nuk mund të jepte detaje për çmimet e kontraktuara.

“Ju lusim që për të gjitha detajet në lidhje me produktet dhe çmimet e tyre të kontaktoni me Operatorin Ekonomik fitues për shkak se ne si Komunë nuk kemi informata dhe obligim për të marr informata mbi çështjet afariste të Operatorëve”, ka thënë Kasami.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, në një intervistë për KALLXO.com ka thënë se nuk kishte shumë detaje në lidhje me kontratën.

“Nuk e di, si të them, në këtë aspekt se di sa operator ekonomik kanë aplikuar. Edhe në raste të tjera janë parashtruar pyetje se pse ky çmim. OE japin çmimet e tyre. Nuk mundem me paragjyku se çfarë matematike kanë pasur por kam kërkuar që të gjitha të blihen dhe normal me siguri janë marrë të gjitha dhe të gjitha produktet janë dorëzuar komunës edhe ato me çmim të lartë edhe ato më çmim të ulët”, ka thënë Kryetari Haskuka.

Haskuka tutje kur ishte pyetur në lidhje me daljen në terren për të parë mini-parqet, ka thënë se nuk është detyrë e tij.

“Të themi të drejtën nuk është detyrë e imja por e di kur e kemi bërë për-urimin e disa parqeve, ne nuk mund të diktojmë çmimet e operatorëve ekonomik”, ka thënë Haskuka për emisionin Drejtësia në Kosovë.

Kryetari i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, Osman Vishaj, tha se rregullorja nuk e specifikon se çka ndodh në rastet kur çmimet janë normalisht të ulëta, ndërsa për çmimet e larta ai tha se oferta bie.

“Çmimet jo normalisht të ulëta, e thamë rregullorja nuk e specifikon shumë. Autoritetet Kontraktuese duhet me u siguru që çmimet janë të tregut dhe çmimet jo normalisht të larta ai bie dhe nuk ka asgjë të specifikuar në ligj”, tha Vishaj.

Tutje Vishaj shtoi edhe se janë duke punuar në ndryshimin e Ligjit për Prokurimin Publik.

“Ne jemi duke e ndryshu Ligjin për Prokurimin Publik, koncept dokumentin e kemi përfundu por prapë edhe në ligj nuk mundem me thanë por nuk e kemi paraparë këtë fenomen kur çmimi është më i lartë”, shtoi Vishaj.