Ku shkojnë vajrat motorike të nxjerra nga përdorimi, pse MMPHI nuk ka të dhëna?

Shumë motorë dhe mekanizma kanë nevojë për vajra lubrifikantë për të funksionuar. Rreth gjysma e të gjithë vajit të blerë në fund të fundit do të bëhet vaj i mbeturinave. Pjesa tjetër humbet gjatë përdorimit, ose përmes rrjedhjes, sipas direktivave të Bashkimit Evropian.

Vajrat e mbetjeve konsiderohen mbetje të rrezikshme dhe kanë disa veti të rrezikshme. Një litër vaj i mbeturinave mund të kontaminojë një milion litra ujë. Vajrat e mbeturinave në lumenj, liqene dhe përrenj kërcënojnë jetën ujore. Gjithashtu, nëse mbetjet e vajrave mbeten në tokë, ato mund të ndotin rëndë tokën.

Të gjithë, përfshirë industritë, konsumatorët dhe autoserviset kanë një rol thelbësor për të luajtur në trajtimin e vajrave të përdorur.

Karshi problemeve të theksuara me mjedis, Ministria e Ambientit nuk ka informacione as se a janë shqiptuar gjoba kundërvajtëse për personat që përdorin vajrat motorike për t`u ngrohur gjatë sezonit të dimrit.

Ndërsa, sipas ministrisë gjatë vitit 2019 janë shqiptuar rreth 200 gjoba për hedhjen e vajrave në vendet joadekuate.

“Inspektorati i MMPHI-së, përgjatë viteve të kaluara ka organizuar aksione të inspektimeve në shkallë vendi, ku janë inspektuar të gjitha qendrat grumbulluese të automjeteve mbeturinë, dhe në parregullsitë që ka hasur ka shqiptuar masa konkrete. Për shembull vetëm gjatë vitit 2019 ka shqiptuar afër 200 gjoba për hedhje të vajrave në vendet joadekuate”, thuhet në përgjigjen e ministrisë për KALLXO.com

Në vitin 2013 është miratuar Udhëzimit Administrativ për Menaxhimin e Vajrave të Përdorura dhe Mbeturinave me Vajra.

Sipas këtij UA, menaxhimi i vajrave të përdorura dhe mbeturinave me vajra, bëhet duke i zbatuar kushtet e përcaktuara me Direktivat e BE-së për shqyrtimin e vajrave të përdorura dhe mbeturinave me vajra e po ashtu ky UA përcakton dispozitat e nevojshme, të detyrueshme dhe kushtet tjera për mbledhjen, transportimin, trajtimin, ripërdorimin dhe magazinimin e vajrave të përdorura.

Sipas këtij UA. Vajrat motorike të përdorura nuk mund të shkarkohen në kontejnerë ku hidhen mbeturinat e zakonshme komunale, nuk bën të shkarkohen në ujëra nëntokësor, ujëra sipërfaqësor apo sisteme kulluese, të derdhen kudo në tokë, të derdhen në kanalizime, në rrugë, parkingjet, parqe, etj.

Këto vajra as nuk mund të magazinohen në ndonjë vend nëse nuk ka pëlqim nga Ministria e Ambientit.

Personat që bëjnë mbledhjen dhe grumbullimin e vajrave të përdorura duhet të pajisen me licencë në MMPHI, ndërsa për ta marrë këtë licencë ata duhet të kenë një certifikatë të rezultateve të analizave të vajit të përdorur nga një laborator i akredituar.

KALLXO.com ka kërkuar informacione në MMPHI se a ekziston në Kosovë një laborator i akredituar për kryerjen e testeve specifike. Të njëjtit nuk kanë dhënë informacione.

Ndërsa kanë thënë se në Kosovë ekzistojnë pesë ndërmarrje që grumbullojnë vajrat mbeturina, kurse ka vetëm dy qendra që mund të bëjnë riciklimin e vajit të përdorur motorik.

Qendrat e tilla janë të obliguara që të raportojnë çdo vit në lidhje me menaxhimin e vajrave të përdorura.

Edhe pse këto qendra janë të obliguara që të raportojnë, Ministria e Mjedisit nuk ka informacione se çfarë sasie vjetore e këtyre vajrave del nga përdorimi dhe se çfarë ndodh me këto sasi të vajrave që nxirret nga përdorimi.

“Nuk kemi të dhëna mbi sasinë vjetore të vajrave që dalin nga përdorimi”, thuhet shkurt në përgjigjen e ministrisë.

Sipas Doganës së Kosovës, në vitin 2019, importi i vajrave lubrifikant për motor ishte mbi 5.3 milionë litra ku vlera e përgjithshme e këtij lloj importi është mbi 8.7 milionë euro dhe nga ky import u inkasuan mbi 3.6 milionë euro taksa.

Në anën tjetër, eksporti i vajrave ishte mbi 1 mijë litra me vlerë mbi 3 mijë euro.

Në direktivat e BE-së për vajrat mbeturinë, u kërkon Shteteve Anëtare t’i japin përparësi përpunimit të vajrave të përdorura nga rigjenerimi, aty ku lejojnë kufizimet teknike ekonomike dhe organizative.

Rregullat e BE, të cilat kanë hyrë në fuqi në dhjetor të 2008-ës, synojnë të sigurojnë që vajrat e mbeturinave të menaxhohen në mënyrë korrekte, të shmangin ndotjen e mjedisit dhe të përfitojnë nga potenciali i tij i lartë i riciklimit.

Direktiva e mbeturinave kërkon që vendet e BE-së të marrin masa për të trajtuar mbetjet e vajrave në përputhje me hierarkinë e mbetjeve për të mbrojtur shëndetin e njeriut dhe mjedisin, të sigurohen që vajrat e mbetur të mblidhen veçmas, të sigurohen që vajrat e mbeturinave me karakteristika të ndryshme të mos përzihen, dhe që vajrat e mbeturinave të mos përzihen me lloje të tjera të mbetjeve ose substancave që do të pengonin trajtimin e tyre.

Ligji për Mbeturinat është mjaft i ashpër me gjoba.

 

Projekti “Përdorimi i mediave për të rritur vetëdijen lidhur me shkaktarët kryesorë të ndotjes së ajrit në Kosovë” është pjesë e “Dig Data Challenge” e mbështetur nga Millennium Foundation Kosovo (MFK) dhe Millennium Challenge Corporation (MCC), si pjesë e Dig Data Challenge për të dhënat mbi cilësinë e ajrit. Projekti implementohet nga Internews Kosova.