Haxha Zbrapset Para Xharrës

Në Gjykatën Komunale në Prishtinë, për të hënën, ishte caktuar mbajtja e seancës gjyqësore, lidhur me padinë për “shpifje” që ish-kryeshefi Ekzekutiv të PTK-së, Shyqyri Haxha, kishte ngritur ndaj gazetares Arbana Xharra.

Padia kishte të bënte lidhur me shkrimin “S’po na vjedhin, po na plaçkisin”, botuar në janar 2010 në të përditshmen “Zëri”. Haxha kishte kërkuar kompensim dëmi prej 500.000 eurosh.

Edhe pas më shumë se 30 minuta pritjeje, Haxha nuk është paraqitur, prandaj gjykatësi vendosi ta hapë shqyrtimin. Ai konstatoi se nuk është paraqitur paditësi, megjithëse atij i është dërguar ftesa në PTK, kurse në fletëkthesë thuhej se Haxha nuk gjendet në këtë adresë.

Shyqri Haxha nuk e ka lajmëruar Gjykatën për ndryshimin e adresës, gjë të cilën, sipas ligjit, do të duhej ta bënte.

Gjykata, duke u bazuar në Kodin e Procedurës Penale të Kosovës, konsideron se Haxha ka hequr dorë nga padia, prandaj e ka hedhur atë poshtë.

Në këtë seancë, Arbana Xharra u paraqit së bashku me avokatin Tomë Gashi, të cilët e njoftuan Gjykatën se nuk e kanë pranuar kopjen e padisë, për çka gjykatësi ua siguroi një kopje.

Ky nuk është rasti i parë që Haxha, megjithëse ka ushtruar padi private, nuk paraqitet në Gjykatë. Kjo po ndikon në grumbullimin e lëndëve në Gjykatë.

Haxha, në atëkohë kryeshef i PTK-së, nuk ishte paraqitur në Gjykatën Komunale të Prishtinës, as më 29 tetor 2011, për ta “mbrojtur” padinë ndaj Krenar Gashit, ish-drejtor i KIPRED-it, për fyerje dhe shpifje që, sipas tij, përmbante një opinion i botuar, po ashtu në “Zëri”. Ai nuk ishte paraqitur as më 11 nëntor, kur ishte shtyrë seanca.

Me Gashin, Haxha ishte treguar më “zemërgjerë”, kishte kërkuar vetëm 100 000 euro, kompensim “për dëmin moral dhe material, përfshirë këtu humbjen e shanseve për karrierë profesionale”.