Sheshi para Qeverise dhe Kuvendit të Kosovës - FOTO: KALLXO

Buxheti 2020, ndërmjet qeverisë në detyrë dhe ngërçit politik

Zvarritja e mëtejshme e formimit të Qeverisë së Kosovës, pas zgjedhjeve të 6 tetorit të vitit të kaluar, mes shumë çështjeve të tjera, ka lënë në pritje edhe miratimin e buxhetit për vitin 2020.

Ngërçi politik ka nxitur reagimin e sindikatave vendore, të cilat kanë kërkuar procedimin e miratimit të buxhetit për të shmangur rrezikun për pagat e punëtorëve të sektorit publik, nga 1 prilli i këtij viti.

Në anën tjetër, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca në një takim me sindikalistët, ka thënë se po punohet për ndërtimin sa më të shpejtë të institucioneve, duke i hapur kështu rrugë edhe miratimit të Ligjit për Buxhetin.

Lëvizja Vetëvendosje (VV) e cila doli fituese e zgjedhjeve dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) që u pozicionua e dyta, ende nuk kanë arritur që të arrijnë një marrëveshje koalicioni për bashkëqeverisje, ndonëse kanë kaluar më shumë se 3 muaj nga zgjedhjet nacionale, si dhe rreth 6 muaj nga dorëheqja e qeverisë.

Lidhur me këto çështje, Skender Ahmeti, profesor në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës, ka thënë për Gazetën Jeta në Kosovë, se buxheti mund të procedohet nga Qeveria në detyrë dhe të miratohet nga Kuvendi i sapo konstituuar.

“Buxheti ndikon në çështje të funksionimit të administratës në përgjithësi, si dhe duke marrë parasysh të gjitha nivelet që financohen prej tij”, ka thënë ai.

Sipas Ahmetit, nëse vazhdon kriza politike duhet gjetur një zgjidhje tjetër.

“[Mund të jetë] çështja  e formimit të një qeverie teknike apo çfarëdo qoftë për të funksionuar institucionet sepse përndryshe në këtë nivel nuk mund të mbahet pezull formimi i qeverisë”, theksoi ai për Gazetën JnK.

Bordet, mes pritjes dhe kritikave për nepotizëm

Si pasojë e gjendjes aktuale politike, të pa funksionalizuara kanë mbetur edhe shumica e ndërmarrjeve publike dhe agjencive të pavarura, bordet e të cilave duhen proceduar dhe emëruar pas miratimit në legjislativ.

Pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës, me 26 dhjetor të 2019-s, propozuesi mundet që bordet t’i riprocedojë për miratim nga ana e deputetëve.

Megjithëkëtë, Qeveria e udhëhequr nga Ramush Haradinaj kishte kompletuar disa borde të ndërmarrjeve publike.

Kompletimi i këtyre ndërmarrjeve ishte bërë bazuar në një konkurs që ishte shpallur për bordet e 14 ndërmarrjeve publike.

Por Gazeta Jeta në Kosovë kishte gjetur se tri nga bordet e ndërmarrjeve publike që janë votuar nga Qeveria e koalicionit PAN (PDK, AAK, Nisma) kishin në përbërje persona direkt të lidhur me partitë politike apo që bëjnë fushatë për partitë që ishin në pushtet.

Edhe profesori universitar Skender Ahmeti thekson, se bordet e ndërmarrjeve publike kanë qenë të politizuara.

“Bordet ashtu-kështu kanë qenë politike. Nuk mendoj se ka pas njerëz të profileve të larta, profesionale të fushave të ndryshme në ato borde, prandaj me rëndësi njëherë është që të funksionojë ekzekutivi në ato ndërmarrje”, tha ai për Gazetën JnK.

Në anën tjetër, legjislatura  e gjashtë e Kuvendit nuk ka arritur të funksionalizojë bordin e ndërmarrjes KOSTT, përkundër që lista me emrat e kandidatëve të emërueshëm kanë qenë të gatshëm në muajin janar të vitit 2019.

Zvarritje ka pasur edhe në emërimin e disa bordeve të tjera, siç është ai i Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil të Kosovës (KPMShCK)  që është jofunksional nga 21 janari i vitit 2019.

Gazeta Jeta në Kosovë kishte listuar të gjitha bordet që janë jofunksionale dhe që do t’i mbeten si detyrë e parë e të zgjedhurve të 6 tetorit.

Lista me gjashtë kandidatët më të suksesshëm për anëtarë të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil të Kosovës (KPMShCK) ishte dërguar në Kuvendin e Kosovës në fillim të muajit prill të vitit të kaluar.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë pasur për detyrë për të zgjedhur vetëm tre anëtarë, të cilët do të mbushin boshllëkun që është lënë në Këshill.

KPMShCK është jofunksional që nga 21 janari 2019, pasi Kuvendi nuk ka arritur t’i emërojë anëtarët e bordit të këtij institucioni.

Gjithashtu, edhe lista e kandidatëve për drejtorë të Bordit të KOSTT-it ka qenë duke pritur që nga muaji janar për t’u votuar në Kuvendin e Kosovës.

Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal ka dërguar në Kuvend 12 emrat e kandidatëve më të poentuar për drejtorë të Bordit të KOSTT më 22 janar të vitit të kaluar.

Për dallim nga dy bordet e përmendura më herët, Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë është funksional ani se Kuvendi kishte dështuar të zgjedh kryesuesin në dy tentimet e para.

Qeveria e Kosovës për herë të tretë ka mbetur të dërgojë në Kuvend emrat për kryesues të Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, të cilët janë zgjedhur pa asistencën e britanikëve.

Edhe Radio Televizioni i Kosovës (RTK) është me bord të pakompletuar.

Më 11 korrik është bërë klasifikimi i kandidatëve të cilët kanë hyrë në listë të ngushtë për intervistim.

Njëjtë me institucionet e tjera të cilat kanë mbetur të pakompletuara apo janë jofunksionale për shkak se nuk janë votuar anëtarët e tyre nga Kuvendi i Kosovës, është edhe Komisioni i Pavarur për Media (KPM).

Takimi i parë i komisionit është zhvilluar me datë 11 qershor me ç’rast komisioni ka bërë shqyrtimin e aplikacioneve të pranuara nga 4 kandidatë të cilët kanë aplikuar për pozitën e Anëtarit të Bordit për Komisionin e Pavarur për Media.

Edhe anëtarët e Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) ende nuk janë zgjedhur. Lista e kandidatëve të rekomanduar kanë shkuar në Qeveri.

Por Qeveria në detyrë nuk i kishte dërguar emrat në Kuvend për tu votuar nga deputetët.