Bordet në pritje të qeverisë së re për funksionalizim

Mbajtja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare të 6 tetorit, e ka shtyrë edhe më tej afatin e funksionalizimit të disa institucioneve të Kosovës, shumica e të cilave janë ndërmarrje publike dhe agjenci të pavarura.

Shpërndarja e Kuvendit të Kosovës dy muaj më parë, që i pasoi dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj në korrik të këtij viti, si dhe mos certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve ende, për  t’i hapur rrugë formimit të qeverisë së re dhe konstituimit të legjislativit, ka bërë që të zvarritet emërimi i bordeve të ndërmarrjeve publike.

Kësisoj një varg punësh do t’i mbeten qeverisë së ardhshme të vendit, që pritet të udhëhiqet nga Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje (VV), parti e cila kjo doli fituese e zgjedhjeve, sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

Lidhur me procedurat legjislative për konkurset dhe listat e anëtarëve të bordeve që duhet të dalin në votim, sekretari i Kuvendit të Kosovës, Ismet Krasniqi ka thënë për KALLXO.com, se pasi të konstituohet Kuvendi, propozuesi duhet t’i riprocedon për miratim në Kuvend.

“Shqyrtohen nga komisionet përkatëse dhe pastaj procedohen për votim në seance plenare. Nuk mund të paragjykoj për mënyrën se si do të riprocedohet nga ana e propozuesit”, thuhet në përgjigjen e tij.

Legjislatura  e gjashtë e Kuvendit nuk ka arritur të funksionalizojë bordin e ndërmarrjes KOSTT, përkundër që lista me emrat e kandidatëve të emërueshëm kanë qenë të gatshëm në muajin janar të vitit 2019.

Zvarritje ka pasur edhe në emërimin e disa bordeve të tjera, siç është ai i Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil të Kosovës (KPMShCK)  që është jofunksional nga 21 janari.

Avokati i Popullit ka rekomanduar Kuvendin e Kosovës që t’i votojë anëtarët e tij sepse për shkak të mos funksionalizimit të këtij Këshilli janë grumbulluar një numër i madh i ankesave, të cilat nuk mund të shqyrtohen.

Gazeta Jeta në Kosovë kishte listuar të gjitha bordet që janë jofunksionale dhe që do t’i mbeten si detyrë e parë e të zgjedhurve të 6 tetorit.

Lista me gjashtë kandidatët më të suksesshëm për anëtarë të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil të Kosovës (KPMShCK) ishte dërguar në Kuvendin e Kosovës në fillim të muajit prill të këtij viti.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë pasur për detyrë për të zgjedhur vetëm tre anëtarë, të cilët do të mbushin boshllëkun që është lënë në Këshill.

KPMShCK është jofunksional që nga 21 janari 2019, pasi Kuvendi nuk ka arritur t’i emërojë anëtarët e bordit të këtij institucioni.

Gjithashtu, edhe lista e kandidatëve për drejtorë të Bordit të KOSTT-it ka qenë duke pritur që nga muaji janar për t’u votuar në Kuvendin e Kosovës.

Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal ka dërguar në Kuvend 12 emrat e kandidatëve më të poentuar për drejtorë të Bordit të KOSTT më 22 janar.

Për dallim nga dy bordet e përmendura më herët, Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë është funksional ani se Kuvendi kishte dështuar të zgjedh kryesuesin në dy tentimet e para.

Qeveria e Kosovës për herë të tretë ka mbetur të dërgojë në Kuvend emrat për kryesues të Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, të cilët janë zgjedhur pa asistencën e britanikëve.

Edhe Radio Televizioni i Kosovës (RTK) është me bord të pakompletuar.

Më 11 korrik është bërë klasifikimi i kandidatëve të cilët kanë hyrë në listë të ngushtë për intervistim.

Njëjtë me institucionet e tjera të cilat kanë mbetur të pakompletuara apo janë jofunksionale për shkak se nuk janë votuar anëtarët e tyre nga Kuvendi i Kosovës, është edhe Komisioni i Pavarur për Media (KPM).

Takimi i parë i komisionit është zhvilluar me datë 11 qershor me ç’rast komisioni ka bërë shqyrtimin e aplikacioneve të pranuara nga 4 kandidatë të cilët kanë aplikuar për pozitën e Anëtarit të Bordit për Komisionin e Pavarur për Media.

Edhe anëtarët e Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) ende nuk janë zgjedhur. Lista e kandidatëve të rekomanduar kanë shkuar në Qeveri.

Por Qeveria në detyrë nuk i kishte dërguar emrat në Kuvend për tu votuar nga deputetët.