Konjufca takon sindikalitët, flet për miratimin e buxhetit

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka pritur sot në takim kryetarin e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jashari, kryetarin e Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla dhe atë Sindikatës së Policisë së Kosovës, Valbona Kamberi.

Kuvendi i Kosovës njofton se drejtuesit e sindikatave të punëtorëve paraqitën shqetësimet e tyre lidhur me vonesën e ndërtimit të institucioneve të Kosovës, për pasojë të të cilës po rrezikohet miratimi i buxhetit për vitin 2020.

“Ata e konsideruan të domosdoshme gjetjen e një zgjidhjeje për të mos ardhur deri te një situatë e tillë”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, citohet të ketë thënë se po punohet për ndërtimin sa më të shpejtë të institucioneve, duke i hapur kështu rrugë edhe miratimit të Ligjit për buxhetin.

“Ai theksoi angazhimin e tij maksimal për të ardhur deri të një zgjidhje e cila do të evitonte rrezikun e mbetjes pa paga të punonjësve të sektorit publik”, njofton Kuvendi.

Ndërsa përfaqësuesit e tri sindikatave kanë shprehur shqetësimet e tyre në emër të mijëra anëtarëve.

“Duke kujtuar se pas zhgënjimit që ndodhi lidhur me Ligjin e Pagave, nëse ndodh që të mos ketë as Ligj të Buxhetit dhe procedim të pagave, atëherë situate do të jetë tepër e tensionuar dhe mund të ndodhin edhe veprime e reagime nga më të ndryshmet, sepse shumica e të punësuarve në këta sektorë jetojnë nga paga e tyre”, thuhet në komunikatën e sindikatave.

100 ditë pas zgjedhjeve nacionale të 6 tetorit, ende nuk është formuar qeveria e re e Kosovës. Lëvizja Vetëvendosje si partia fituese e zgjedhjeve dhe Lidhja Demokratike e Kosovës e cila është renditur e dyta, nuk po arrijnë të merren vesh për formimin e koalicionit qeverisës.