Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden.

Biden paralajmëron se bota do të përballet me një 'Apokalips' në rast se Putin përdor armë taktike bërthamore në Ukrainë

Presidenti amerikan Joe Biden ka paralajmëruar se bota mund të përballet me “Armagedonin” (Apokalipsin) nëse presidenti rus Vladimir Putin përdor një armë taktike bërthamore në përpjekje për ta fituar luftën në Ukrainë.

Presidenti amerikan i bëri komentet e tij më të hapura deri më tani për kërcënimin e luftës bërthamore, në një mbledhje fondesh demokratike në Nju Jork, duke thënë se kjo është katastrofa bërthamore më e afërt që bota i është afruar për gjashtëdhjetë vjet.

“Ne nuk jemi përballur me perspektivën e Armagedonit që nga koha e Kennedyt dhe kriza e raketave kubane”- tha ai.

“Ne kemi një person që e njoh mjaft mirë”- tha Biden, duke iu referuar presidentit rus i cili “nuk bën shaka kur flet për përdorimin e mundshëm të armëve bërthamore taktike ose armëve biologjike ose kimike, sepse ushtria e tij, mund të themi, është shumë e dobët”.

Putin dhe zyrtarët e tij kanë kërcënuar vazhdimisht se do ta përdorin arsenalin bërthamor të Rusisë në një përpjekje për të penguar SHBA-në dhe aleatët e saj që ta mbështesin Ukrainën dhe ta ndihmojnë atë t’i rezistojë pushtimit të gjithanshëm rus të nisur në muajin shkurt. Një frikë është se ai mund të përdorë një armë bërthamore “taktike” me rreze të shkurtër veprimi për të provuar të ndalojë kundërsulmin e Ukrainës në rrugën e saj dhe të detyrojë Kievin të negociojë dhe pastaj ta shkëputë territorin ukrainas.

Në rast se Rusia do ta përdorte një armë bërthamore, ajo do t’i linte SHBA-të dhe aleatët e saj me dilemën se si të përgjigjen, me shumicën e ekspertëve dhe ish-zyrtarëve që parashikojnë se nëse Uashingtoni do të kundërpërgjigjet ushtarakisht, me shumë gjasa do të ishte me armë konvencionale, në përpjekje për të shmangur përshkallëzimin e shpejtë drejt një lufte bërthamore gjithëpërfshirëse. Megjithatë, Biden deklaroi të enjten mbrëma se “nuk mendoj se ka ndonjë gjë të tillë si aftësia për të (përdorur) lehtësisht një armë bërthamore taktike dhe për të mos përfunduar në një Apokalips”.

“Për herë të parë që nga kriza e raketave Kubane, ne kemi kërcënimin e një arme bërthamore nëse në fakt, gjërat vazhdojnë në rrugën që po shkojnë”, tha presidenti. “Ne po përpiqemi të kuptojmë se cila është rruga e jashtme e Putinit. Ku e gjen ai një rrugëdalje? Ku e gjen veten ku jo vetëm humbet fytyrën, por edhe pushtetin e rëndësishëm?”.

Agjencitë e inteligjencës amerikane besojnë se Putini e ka parë humbjen në Ukrainë si një kërcënim ekzistencial për regjimin e tij, të cilin ai e lidh me një kërcënim ekzistencial për Rusinë, duke e justifikuar, potencialisht, sipas botëkuptimit të tij, përdorimin e armëve bërthamore.

Më herët të enjten, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy ka deklaruar se Putini e kupton se “bota nuk do t’ia falë kurrë” një sulm bërthamor rus.

“Ai e kupton se pas përdorimit të armëve bërthamore nuk do të jetë më në gjendje ta ruaj, si të thuash, jetën e tij dhe unë jam i sigurt për këtë”- a shtuar Zelenskiy./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala