Ilustrim

Bërlloku, kjo jashtëqitje njerëzore

Ruajtja e ambientit, degradimi i lumenjve, riciklimi i mbeturinave e plastikës, planet për përdorimin e qymyrit, derdhja e ujërave të zeza në lumenj, problemet me ndërtimet e jashtëligjshme, ndërtimi i rrugës në Parkun Kombëtar ishin disa nga temat që u diskutuan në #debatpërnime për mbrojtjen e mjedisit të organizuar në qytetin e Pejës që trasnmetohet te enjten ne ora 20:30 në RTK.

Gazmend Muhaxheri, Kryetar i Pejës, tha se brenga kryesore të banorëve të komunës së Pejës është tendenca e ndërtimit të një hidrocentrali në lumin Lumbardh.

Gazmend Muhaxherri, Kryetar i Pejës

“Ata që e kanë varrosur Lumbardhin e Deçanit dhe kanë përfitime të mëdha prej kësaj varrosjeje nuk kanë me heq dorë lehtë prej Lumbardhit të Pejës, kane me bë përpjekje që në momentin e parë të përshtatshëm me u mundu me e realizu interesat e tyre vetanake” tha Muhaxheri.

“Ne jemi të vendosur që të mos e lejojmë, asambleja komunale ka nxjerrë vendim për anulimin e të gjitha procedurave” shtoi ai.

Fatos Lajçi, ambientalist nga OJQ ‘Era’ perderisa e ceki që Muhaxheri i ka përkrahur ambientalistët në mbrojtjen e Lumbardhit të Pejës, kjo gjë nuk ka vlejtur sa i përket Parkut Kombëtar Bjeshkët e Nemura.

“Asfalti për ndërtimin e rrugës së re që po e ndërton Komuna së bashku me Ministrinë e Infrastrukturës ka hyrë më tepër se 1 kilometër në zonë të mbrojtur” gjë që sipas Lajcit e dëmton florën dhe faunën e Parkut Kombëtar.

Fatos Lajçi

Muhaxheri iu pergjigj kësaj kritike me argumentin se me ndërtimin e kësaj rruge komuna është duke provuar ta ndalojë tendencën e shpërnguljes së banorëve nga zonat e thella të Rugovës.

Millena Zdravkoviq, Zëvendësministre e Mjedisit që mori pjesë në diskutim tha se problem kryesor i parqeve kombëtare janë ndërtimet pa leje. Sipas saj janë rreth 400 mijë objekte të ndërtuara pa leje në Kosovë.

Millena Zdravkoviq, Zëvendësministre e Mjedisit

“Kur flasim për parqet kombëtare, edhe ministria e bart një pjesë të përgjegjësisë. Vitin e kaluar është miratuar ligji për legalizimin e objekteve. Pas miratimit të udhëzimit administrativ, shpresojmë brenda një muaji, të hyjë në fuqi dhe të zbatohet. Në këtë rast, të gjithë ata që kanë ndërtuar pa leje në park kombëtar do të duhen ta dorëzojnë raporte dhe tërë dokumentacionin për legalizim të objektit”, tha Zdravkoviq.

“Në rast se objektet e tyre nuk i përmbushin standardet e ndërtimit dhe të cilësisë dhe të gjitha kërkesat e tjera, ligji do ta trajtojë tutje në mënyrën e duhur. Deri më tani kjo nuk është bërë, dhe është vonuar nxjerrja e legjislacionit dhe pa ligje nuk mund të reagojmë e të veprojmë”, tha Zdravkoviq.

Kurse Fatmir Morina, drejtor i Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, deklaroi se sipas matjeve të bëra në Grykë të Rugovës për ndërtimet pa leje kanë rezultuar se vetëm shtatë ndërtesa nga 2 mijë e 807 kanë leje ndërtimi.

Fatmir Morina, drejtor i Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna

“Nga këto objekte (pa leje) asnjëra nuk kanë kanalizime, por ne jemi duke punuar në këtë drejtim me përgatitjen e planit menaxhues të Parkut Kombëtar dhe gjithashtu jemi duke përgatitur edhe dy plane rregullative në Bogë dhe në gropën e Erenikut, të gjitha janë dokumente në diskutime publike dhe nuk mund të kalojnë si të tilla pa kaluar plani hapësinor i Parkut Kombëtar, e cila varet prej nivelit qendror”, u deklarua ai.

E ftuar në debat ishte edhe Jellena Gjokiq, profesoreshë e menaxhimit të mbeturinave në Mitrovicë, e cila tha se mbrojtja e mjedisit dhe zhvillimi i qëndrueshëm janë dy shtylla që shkojnë bashkë me njëra-tjetrën.

Jellena Gjokiq, profesoreshë e menaxhimit të mbeturinave në Mitrovicë

“Po duhet të kemi zhvillim. Por në të njëjtën kohë, duhet ta mbrojmë mjedisin. Prandaj dhe në botë dhe kudo zbatohet koncepti i zhvillimit të qëndrueshëm. Pra, qëndrueshmëria përbëhet nga tri shtylla të qëndrueshmërisë: së pari është qëndrueshmëria ekonomike, që diçka duhet të jetë fitimprurëse, ekonomikisht e mundur, së dyti që të jetë e dëshiruar nga shoqëria, siç thatë dhe ju, kot e kemi parkun kombëtar nëse nuk kemi njerëz në të, dhe së treti që të jetë në përputhje me mbrojtjen e mjedisit”, tha ajo.

Fatos Lajçi, shtoi që mbeturinat që e kanë kapluar Kosovën janë ndër problemet kryesore ambientale të Kosovës.

“Mbeturinat janë duke e shndërruar Kosovën në deponi masive e ne qytetarët disi po distancohemi nga ky problem (thuajse nuk është faji jonë), këto shishet e pllastikës, keset, bërrlogu që po e gjuajmë janë jashtëqitje njerëzore … mendoj se duhet të ndërmarrim diçka që ndotja mos me kalu në një shkallë më të keqe për neve”, tha Lajci.

Lidhur me atë se a kanë zgjidhje anëtarët e shoqërisë civile për problemet e ambientit, Dajana Berisha nga koncorsiumi i shoqërisë civile, KOSID, tha se ata kanë ofruar paketë zgjidhjeje për problemet me energjinë dhe mjedisin.

Dajana Berisha, KOSID

Partitë politike mund të fillojnë të adaptojnë politika të gjelbërta dhe njëra ndër to është paketa 4 hapëshe që e ka ofruar KOSID.

Këto hapa, sipas Berishës duhet të aplikohen “para fillimit të ndërtimit të një termocentrali me thëngjill që e fut Kosovën në 40 vjetët e ardhshme në kredi financiare, por gjithashtu e merr edhe krejt ujin e Ujmanit për me i ftohë turbinat, shkakton zhvendosjen e popullsisë lokale, prishë tokën bujqësore, ndotje të ajrit.”

“Në vend se të mendohet një ndërtim i tillë duhet të bëhet një izolim i shtëpive në gjitha Kosovën sepse kjo edhe do të ulte shpenzimin e rrymës edhe do të  hapte vende pune për të rinjtë që janë papunë” të cilët do të mund të angazhoheshin në program gjithëkombëtar të izolimit mbarë Kosovës. .

Ai shtoi se si “energji alternative më e preferueshme në Kosovë është ajo me diell dhe erë sepse energjia hidrike, e cila po mundohet të investohet po varrosin kapacitetet ujore që i ka Kosova”.

Ramë Nimani, banorë i fshatit Gallviqicë ka pyetur kryetarin e komunës së Pejës rreth ndaljes së krimit mbi natyrën, të cilin po e shkaktojnë gurthyesit e asaj zone.

“Në fshatin nga vij unë operojnë shtatë ose tetë operatorë gurthyes, çka kishe be kryetar për ndaljen e këtij krimi sepse je në rrjedha prej se je në pushtet?”, pyeti ai.

Gazmend Muhaxhiri tha se janë duke e punuar planin zhvillimor komunal dhe në mbledhjen e radhës të asamblesë ne besoj do të ndalojmë shfrytëzimin e zhavorrit nga lumenjtë dhe tokat bujqësore.

Darko Dimitrijevic, nga Gorazhdeci ka pyetur se kur mund të presim që shtrati i Lumbardhit përfundimisht të rregullohet dhe t’i ngjajë një lumi, ndërsa pyetja e dytë është e lidhur edhe me parkun kombëtar edhe më të gjitha pyjet të cilat priten ilegalisht.

Millena Zdravkoviq tha se Ministria e Mjedisit ka në plan ndërtimin e një kolektori për pastrimin e ujërave të zeza, ndërsa për gjobat për ata që hedhin mbeturina tha se janë përgjegjësi e komunës.

“Kompetencat mbi gurthyesit në përgjithësi dhe veprimtarive të tilla janë tek ministria dhe inspektorati. Ajo që mund të bëhet, dhe kjo vlen edhe për mbeturinat, është që në komunë ekziston njësia e inspektoratit, e cila ka obligim dhe mund të lëshojë gjobë mandatore të gjithëve që hedhin mbeturina. Pra këto gjoba janë nga 20 deri në 100 euro dhe prej kur është aprovuar ky udhëzim administrativ, ministria ka kuptuar se janë lëshuar 500 gjoba të tilla”, u përgjigj ajo.

Shabi Nikqi, ishte njëri prej qytetarëve që ka dërguar pyetje nga mediat sociale:

“A mundet Komuna e Pejës të marr masa kundër atyre që djegin mbeturinat në pronën e tyre. Gjatë pushimeve babai im non -stop djeg mbeturina ne oborr dhe nuk mundem me bind. Po të ishte ndonjë dënim komunal së paku 50 euro të betohem që kurrë babai im nuk do kishte djegur mbeturina sepse e don shume euron, më shumë se shëndetin”.

Lidhur me këtë Muhaxheri tha që komuna do të nxjerr një vendim që do t’i bëj këto dënime të mundshme.