Punimet në lumin Lepenc (prill 2022)

Banorët kundërshtojnë ndërtimin e hidrocentralit në Soponicë të Kaçanikut

Kundërshtimit të qindra banorëve anekënd Kosovës për futjen e lumenjve në gypa i janë bashkuar edhe banorët e disa fshatrave të Kaçanikut.

Hidrocentralet e planifikuara në këtë zonë kanë krijuar sherr në mes të banorëve dhe ndërmarrjes “2 Korriku” që po planifikon të ndërtojë një hidrocentral përgjatë lumit Lepenc në fshatin Soponicë të Kaçanikut.

Ibrahim Dalloshi, administrator i fshatit Soponicë, ka thënë për KALLXO.com se nuk kanë marrë pjesë në dëgjimin publik të organizuar nga ndërmarrja.

Dalloshi pretendon që në këtë dëgjim publik kanë marrë pjesë vetëm punëtorët e ndërmarrjes.

“Kompania e ka mbajtë dëgjimin publik pa pjesëmarrjen e fshatit. Është mbajtur në dhjetor të 2020-ës dhe aty kanë marrë pjesë disa individë të kompanisë. Ne e kemi marrë informatën në muajin mars. Më pas kemi bërë kërkesë në komunë dhe ata na kanë deklaruar që nuk dinë asgjë. Më pas kemi shkuar në Ministrinë e Ambientit dhe aty e kemi kuptuar që është mbajtur dëgjimi publik”, ka thënë Dalloshi.

Në anën tjetër, Hasan Dalloshi, po nga ky fshat, kujton kohën kur tokat bujqësore të këtij fshati ujiteshin nga lumi Lepenc.

Dalloshi po ashtu thotë se në lumin Lepenc në kohën kur kishte ujë të bollshëm ka pasur numër të madh të llojeve të peshqve.

“Unë si fëmijë kam zënë peshkun me dorë. Një numër i madh i llojeve të peshqve kanë jetuar në lumin tonë e sot shumica janë zhdukur. Banorët kanë ardhur prej lagjeve të tjera dhe kanë mbushur disa “shejka” për ujë të pijshëm. Ky lumë ka pasur karakterin e vet ekologjik dhe kimik. Për ne është vdekje”, është shprehur Dalloshi.

Edhe 90-vjeçari Azem Deda nga fshati Doganaj ka thënë se nga uji i lumit Lepenc është varur jetesa e këtyre banorëve.

“Këta njerëz që kanë ardhë këtu, krejt e kemi një dert. Unë jam duke shku në prag për 90 vjet dhe me këtë Lepenc kemi rrnu babë e babgjysh, që nuk na janë hek buret kurrë prej kerri duke bartur ujë prej këtij Lepenci e duke ju çu familjes ujë në shtëpi. Besoni! E sot për interesa të disa personave me e kthy këtë dynja prapë, veç tash se s’u pa kurrë”, tha ai.

Gjithashtu Deda thotë se nëse lumi Lepenc hyn në gypa atëherë do të rrezikohet jeta e kafshëve dhe njerëzve në këto fshatra.

“Prej Kaçanikut e deri në Doganaj, te ura e Bonovinës ka ky Lepenc si të mshelet në gypa as bagëtia më nuk kanë ku me pi ujë se jo njerëzit. Se ne kemi qenë një lagje Dedaj, Koxhaj e krejt me këtë Lepenc kemi rrnu me kafshë, me njerëz, me krejt duke bajtë ujë me bure e duke çu në shtëpi sepse ka qenë i pastër Lepenci”, ka thënë Deda.

Komuna e Kaçanikut, e cila ka dhënë pëlqimin që ky hidrocentral të ndërtohet, ka thënë për KALLXO.com se nuk kanë qenë pjesë e organizimit të debatit publik.

Në lidhje me debatin publik për ndërtimin e hidrocentralit në fshatin Soponicë, Komuna ka deklaruar se përmbajtja e prezantuar nga kompania nuk është përputhur me përmbajtjen e faqes së Komunës.

“Ju informoj se njoftimi për debat publik në ueb-faqe i prezantuar nga kompania nuk është përputhur me përmbajtjen e ueb-faqes zyrtare dhe fotografia për shpallje e vendosur në tabelën e komunës ka qenë e fotografuar nga larg dhe me këtë rast ne iu kemi përgjigjur kryetarit të këshillit të fshatit me këto konstatime dhe ua kemi lënë në dorë organeve të sigurisë/hetuesisë për t’i vërtetuar këto fakte (sepse përfaqësuesit e fshatit e kanë dërguar lëndën në këto organe). Me fjale tjera, sipas të dhënave tona Komuna e Kaçanikut nuk ka qenë e përfshirë në debat publik”, thuhet në përgjigjen e Komunës.

Tutje Komuna ka deklaruar se nuk kanë lëshuar asnjë dokument i cili ndalon punimet për ndërtimin e këtij hidrocentrali.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se autorizimi i dhënë për ndërtimin e hidrocentralit “Soponica” me kapacitet të instaluar 1.3MW, i planifikuar të ndërtohet në komunën e Kaçanikut përgjatë lumit Lepenc nga ndërmarrja “2 Korriku” SH.P.K. ka skaduar. 

Sipas ZRrE-së, kjo ndërmarrje duhet të aplikojë nga fillimi për marrjen e një autorizimi për ndërtimin e hidrocentralit.

“Sipas legjislacionit ne fuqi ky OE mund të Aplikoj dhe të filloj procesin që nga fillimi. Deri më sot ZRRE nuk ka pranuar Aplikacion të tillë nga OE “2 Korriku” sh.p.k.”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Në muajin tetor të vitit 2015 Ministria e Mjedisit kishte lëshuar pëlqimin mjedisor ndërsa dy muaj më vonë, në dhjetor të vitit 2015, Ministria e Mjedisit kishte dhënë kushtet ujore për ndërtimin e HC-SOPONICË.

Në muajin maj të vitit 2016, e njëjta ministri i kishte dhënë ndërmarrjes “2 Korriku” pëlqimin ujor me kapacitet instalues 1.3 MW në lumin Lepenc.

Në shtator të vitit 2018, “2 Korriku” kishte bërë kërkesë për ndryshimin e kapacitetit nga 1.3 MW në 3.75 MW. Gjithashtu ndërmarrja kishte bërë kërkesë edhe për ndërrimin e segmentit për shtrirjes së hidrocentralit.

Kjo kërkesë i ishte aprovuar nga Ministria e Mjedisit.

Më pas në muajin shkurt të vitit 2020, Ministria kishte pezulluar vendimin për ndryshimin e kapaciteteve të HC SOPONICË. Në muajin shtator Ministria e Mjedisit i kishte dhënë të drejtë “2 Korrikut” që të shfrytëzonte pasurinë publike ujore për shtrirjen e tubacioneve.

Një vit pasi ishte pezulluar shtimi i kapacitetit të hidrocentralit, Ministria e Mjedisit, në shkurt të vitit 2021 kishte vendosur që ta anulonte vendimin për pezullimin e përkohshëm dhe me këtë akt i kishte lejuar kompanisë ndryshimin e kapacitetit. Gjithashtu ndërmarrjes “2 Korriku” i ishte dhënë pëlqim i ri mjedisor me kapacitet të ri.

Banorët e këtij fshati, të cilët janë kundër ndërtimit të hidrocentralit, kanë dërguar kallëzim penal në Prokurorinë e Ferizajt.

Për dyshimet e ngritura nga banorët, Prokuroria e Ferizajt ka filluar hetimet.

“Referuar kërkesës suaj për të dhëna, ju njoftojmë se rasti në fjalë është duke u trajtuar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj dhe është në procedurë hetimore”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë duke mos dhënë detaje të tjera shtesë për lëndën.

Ndërmarrja “2 Korriku” në një deklratë për KALLXO.com ka deklaruar se tashmë kanë kompletuar tërërësisht dosjen dhe sapo të marrin autorizimin final do të fillojnë me ndërtimin e hidrocentralit pavarësisht ankesave të banorëve.

Ejup Kovaçi, pronar i “2 Korrikut”, ka thënë se ka mbajtur dy dëgjime publike me banorët e interesuar, ndërsa shton se nuk është përgjegjës për mospjesëmarrjen e banorëve.

“Unë  kam njoftuar zyrtarisht, kam bërë kërkesë në bashkësinë lokale ku banoj dhe e kam marrë pëlqimin e hidrocentralit në lumin Lepenc. Kam bërë edhe një dëgjim publik, transparent, në një shkollë fillore. Asambleja Komunale e Kaçanikut ka marrë vendim që me përkrah pa asnjë votë kundër, si projekt dhe ndërmarrje në vitin 2015. Tokat që kanë qenë aty është dashur të behën në shndërrim nga bujqësore në ndërtimore. Tri herë kanë marrë vendime pozitive komuna”, tha ai.

Kovaçi theksoi se kanë dashur të bëjnë rritje të kapacitetit për shkak se ekspertë të ndryshëm i kanë sugjeruar se  ka mundësi për diçka të tillë dhe që është në interes të vendit e ndërmarrjes. “Janë rritur kapacitet në 3.75 nga 1.3 MW fuqi instaluese. Dokumentet të gjitha janë prezantuar në proces”, shtoi ai.

“Ne vetëm e kemi ndërru poziciononin. Për shkak të sasisë së ujit që futet në gyp, pasi aty ka mundësi edhe 2-3 lumenj të hyjnë në ta, këtu nuk është qëllimi i rrjedhjes por i ruajtjes së ujit. Gjatë punës në gjenerator nuk mund të manipulosh me ndryshime”, theksoi tutje ai.

Sipas tij, nuk ka person në komunë që nuk ka qenë i njoftuar.

“Ministria na ka thënë ta bëjmë edhe një debat publik, është shpallur prapë edhe pse nuk ka pas nevojë pasi unë e kam pas dokumentacionin. Në dhjetor 2020 kemi pasë debat publik, personat që kanë marrë pjesë nuk kanë qenë punëtor të ndërmarrjes, njoftimi për debatin është bërë sipas ligjeve, Dua të them se nuk po bëj asnjë dëm në marrje të ujit”, përfundon ai.

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka filluar auditimin e performancës në fushën e energjisë dhe mjedisit me temën “Sistemi i licencimit të hidrocentraleve dhe ndikimi i tyre në mjedis dhe ujëra (2015 – 2021)”.  Trajtimi i kësaj teme të auditimit është me rëndësi të veçantë pasi që shfrytëzimi i ujërave për prodhimin e energjisë elektrike duhet të bëhet në mënyrën e duhur duke mos ndikuar në cilësinë dhe rrjedhën e ujërave.

Raportimet e ndryshme në media dhe hulumtimet fillestare në fazën e planifikimit në këtë fushë tregojnë se ka indikacione që procesi i licencimit të hidrocentraleve karakterizohet me mangësi dhe mungesë të transparencës. Po ashtu ka indikacione për moskoordinim mes palëve përgjegjëse gjatë procesit të licencimit, mungesë të mbikëqyrjes së duhur nga institucionet përgjegjëse që për pasojë mjedisi mund të rrezikohet nga kjo veprimtari. Ndikimi që ka kjo veprimtari në mjedis dhe treguesit fillestarë të problemeve në këtë fushë kanë shërbyer që ZKA-ja të fillojë këtë auditim.