Takimi Kadri Veseli- Shpend Ahmeti- Fatmir Limaj. Foto: Kuvendi i Kosovës

Zgjedhje para dialogut: LDK e VV i krijojnë mur ekipit të Thaçit, Ahmetit e Limajt

Kosova tani më ka hyrë ne fazën finale të dialogut me shtetin e Serbisë, dhe pikërisht për këtë proces, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Donald Trump i ka dërguar ditë më parë një letër homologut të tij nga Kosova, Hashim Thaçit duke i kërkuar angazhim në gjetjen e një zgjidhjeje përfundimtare në dialogun me fqinjin verior.

Mirëpo kjo letër nuk duket se i ka bërë shumë ‘përshtypje’ dy partive opozitare më të mëdha në Kosovë, Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), dhe Lëvizjes Vetëvendosje (LVV).

Pavarësisht se këto dy parti kanë përshëndetur këtë letër të Presidentit amerikan Donald Trump, ato nuk janë të gatshme t’i bashkohen ekipit negociator dhe ta mbështesin rezolutën për dialogun të miratuar të shtunën në Kuvendin e Kosovës.

Sipas tyre, para procesit të dialogut janë të nevojshme zgjedhjet në mënyrë që nga këto zgjedhje të dalë një ekip i plotë që mund të përfaqësojë Kosovën në këtë proces.

Në anën tjetër organizatat që monitorojnë procesin e dialogut Kosovë-Serbi kanë sugjeruar që të arrihet konsensusi në mënyre që të mos përsëritet një ‘skenar’ i njëjtë si ai i demarkacionit me Malin e Zi i cili për vite të tëra u përcoll me trazira brenda sallës së Kuvendit dhe në rrugë.

LDK dhe VV nuk zmbrapsen, kërkojnë zgjedhje!

Deputetja nga LDK-ja, Besa Gaxherri ka thënë për KALLXO.com se ky subjekt do të vazhdojë ta luajë rolin e një opozite të zëshme.

“Bazuar në historikun e LDK-së, sidomos kur ka procese kombëtare, ne kemi qenë të gatshëm por në situatën aktuale, LDK-ja do të jetë një opozitë konstruktive pa i penguar proceset e rëndësishme për vendin duke i monitoruar mirë proceset dhe duke e parë se çfarë do të ndodhë”, tha Gaxherri.

Ajo nënvizoi se LDK nuk do t’i bashkangjitet ekipit negociator sepse “mostransparenca e Presidentit (Thaçi) ka ndikuar që të ketë një ‘terr’ në të cilin kjo parti nuk mund të futet”.

“LDK-ja nuk i bashkangjitet këtij ekipi dhe nuk e përkrahë këtë ekip, sepse me një rezolutë është i ngarkuar kryeministri i vendit me e udhëheq ekipin shtetëror. Në anën tjetër e kemi problemin e mostransparencën e Presidentit. Prandaj LDK-ja nuk i bashkangjitet një grupi apo një njeriu që nuk dihet që deri ku ka arriur. Dhe pikërisht për këtë është e nevojshme që të shkojmë në zgjedhje dhe pas tyre të merret besimi i sovranit dhe pastaj të merren përgjegjësitë për dialogun Kosovë-Serbi”, shtoi Besa Gaxherri.

‘Stoike’ në qëndrimin e saj vazhdon të mbetet edhe Lëvizja Vetëvendosje. Kështu ka bërë të ditur për KALLXO.com deputetja Arbërie Nagavci e cila ka thënë që unifikimi i spektrit politik nuk mund të bëhet nga Presidenti Thaçi.

Foto: ZKM

“Letra e presidentit Trump rithekson rendësinë e procesit në të cilin ne jemi, dhe vet fakti që ai kërkon një unifikim të spektrit politik është e qartë. Presidenti Thaçi nuk mund të bëjë atë unifikim sepse është vet personi që ka sjellë përçarje të mëdha në skenën politike me veprime të njëanshme pa transparencë dhe shumë herë edhe pa mandat”, tha ajo.

Ashtu si Gaxherri edhe deputetja Nagavci ka kërkuar që së pari të mbahen zgjedhje dhe pastaj të vazhdoj dialogu.

“Ekipi negociator po i mundëson Thaçit të vazhdoj këtë proces të dialogut pa përkrahjen e shumicës së opozitës. Ne si VV besojmë se duhet të bëhet një rishikim I të gjitha marrëveshjeve të deri më tanishme. Besojmë që në këtë format të cilin jemi, duhen zgjedhje të reja në mënyre që të emërohet negociatori legjitim sepse procesi I dialogut nuk ka asnjë ngutë” tha ajo.

KDI: Konsensusi dhe transparenca jetike për dialogun

Jeta Krasniqi, hulumtuese bë Institutin Demokratike të Kosovës (KDI), ka thënë se letra e presidentit Trump tregon përkrahjen e SHBA-ve për këtë proces por, sipas saj, kjo letër poashtu vë në pah kërkesën për arritje të konsensusit.

“Letra e ardhur nga presidenti Trump, për presidentin Thaçi dhe, ku kishte raportime se një letër e ngjashme i është dërguar edhe presidentit Vuçiq shpreh mbështetjen e SHBA-ve për dialogun Kosovë-Serbi si dhe për dy president që janë duke e udhëhequr këtë proces. Por mbetet evidente që është kërkuar unifikim të spektrit për të arritur marrëveshja” tha ajo.

Sipas Krasniqit, mostransparenca në procesin e dialogut lë shumë gjëra në mjegull duke filluar nga hapat e arritur deri më tani e deri te roli që do ta ketë ekipi.

“Nëse e shohim letrën mund të kuptojmë se procesi përfundimtar ka filluar tashmë, nuk dihen hapat drejt arritjes pasi që ka mungesë të madhe të transparencës. Ende mbetet i paqartë funksionimi mes ekipit negociator dhe Presidentit. Duhet të ketë konsensus politik pasi që duhet 2/3 e votave për ta përmbyllur këtë proces, duhet konsensus që të mos i kemi problemet si në rastin e demarkacionit me Malin e Zi”, tha ajo.

Pavarsisht kundërshtimeve të opozitës dhe paqartësive për formatin e punës, ekipi i ri negociator ka vazhduar sot takimet me drejtues të institucioneve.

Shpend Ahmeti dhe Fatmir Limaj, si bashkëdrejtues të këtij ekipi, janë takuar të enjten me kryeministrin Ramush Haradinaj dhe kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli.

“Me qëllim të koordinimit të veprimeve dhe afateve për procesin e dialogut, takova sot bashkëkryesuesit e Ekipit Negociator të votuar në Kuvend, së bashku me grupin e ekspertëve të Zyrës së Kryeministrit”, ka shkruar kryeministri Haradinaj pas takimit të sotëm.

“Qeveria e Kosovës ka ndërtuar një ekip dinamik të ekspertëve që ka përgatitur materien gjithpërfshirëse, të gjallë, të hapur për debat, që procesi i Dialogut ndërmjet dy shteteve të jetë transparent. U zotova se Qeveria do të jetë në funksion të plotë të ekipit negociator dhe ai mund të llogaris tërësisht në ekspertizën të cilën e posedojnë të gjithë mekanizmat dhe sektorët e shtetit”, tha ai.

Ndërsa në takim me Ahmetin e Limajn, ka ftuar në një takim të përbashkët Presidentin, Kryeministrin, Ekipin Negociator, si dhe përfaqësuesit e grupeve parlamentare nga partitë opozitare ende të papërfaqësuara në Ekipin Negociator, LDK dhe VV, për t’u koordinuar për Dialogun.

“Në këto momente të rëndësishme, kur Kosova përgatitet për fazën finale të Dialogut me Serbinë, Kuvendi i Republikës së Kosovës do të jetë vendi i unitetit”, tha Veseli pas takimit.

“Si Kryetar i Kuvendit, do t’i ftoj për të mërkurën, në orën 10:00, Presidentin, Kryeministrin, Ekipin Negociator, si dhe përfaqësuesit e grupeve parlamentare nga partitë opozitare ende të papërfaqësuara në Ekipin Negociator, LDK dhe VV”, shtoi Veseli.

“Do të mblidhemi për të trajtuar temat e Dialogut, të cilat janë të domosdoshme për arritjen e marrëveshjes finale, që Kosovës ia siguron njohjen nga Serbia, ulësen në OKB dhe anëtarësimin në NATO e BE”, tha ai.​