Eksporti - Foto: REL/EPA

Thellohet kriza ekonomike deficiti tregtar rritet për 12%

Të dhënat nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) për muajin prill 2019, tregojnë për një deficit tregtarë më shumë se 12 për qind. Në këtë muaj, Kosova eksportoi më shumë metale bazë për të blerë makineri dhe pajisje. Në anën tjetër mbi 50 për qind u rrit shkëmbimi tregtar me vendet e BE-së përderisa mbi 30 për qind ra me vendet e CEFTA-së.

“Të dhënat nga Tregtia e Jashtme të Mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 5.6% në muajin prill 2019, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2018, gjegjësisht në vlerë prej 258.5 milionë Euro, krahasuar me deficitin prej 244.7 milionë Euro në vitin 2018. Eksporti mbulon importin me 12.5%.”, thuhet në komunikatën e ASK-së.

Sipas ASK-së, eksporti i mallrave në muajin prill 2019 kishte vlerën 36.9 milionë euro, ndërsa importi 295.4 milionë euro, që është një rritje prej 44.7 për qind për eksport dhe 9.3 për qind për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2018.

Rreth gjysmën e eksporteve të Kosovës e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre

“Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 42.8% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 15.5% e përbëjnë prodhimet minerale; 11.9% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 8.6% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 3.8% e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 2.9% e përbëjnë tekstili dhe artikujt prej tij; 2.7% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike etj.”, bën të ditur komunikata.

Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 14.2 për qind e përbëjnë prodhimet minerale; 12.9 për qind e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 12.4 për qind e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 11.2 për qind e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 8.6 për qind e përbëjnë mjetet e transportit; 7.4 për qind e përbëjnë prodhimet e industrisë kimike; 6.8 për qind e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre, etj.

Për 50% u rriten eksportet dhe importet e vendit

Në komunikatën e ASK-së thuhet se eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 12.3 milionë euro, ose rreth 33.4 për qind të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 51.9 për   qind. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE janë: Italia (9.6%), Gjermania (5.3%), Holanda (3.9%), Sllovenia (3.8), Britania e Madhe (2.0%), etj.

Kosova importoi mbi 156 milionë euro mallra nga Bashkimi Evropianë

“Importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 156.3 milionë euro, ose 52.9% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 35.4%. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania (13.5%), Greqia (7.8%), Italia (5.9%), Sllovenia (3.2%), etj.”, tregon ASK.

Shqipëria e para e CEFTA-së për t’i shitur mallra Kosovës

Në komunikatë thuhet se në muajin prill 2019, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 15.6 milionë euro, ose 42.4 për qind të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 13.2 për qind. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s janë: Shqipëria (16.4%), Maqedonia (10.8%), Serbia (9.7%), Mali i Zi (4.1%).

Importet ranë për më shumë se 34 për qind.

“Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-s në muajin prill 2018, arritën në 47.7 milionë Euro, ose 16.1% të importeve të përgjithshme, me një rënie prej (-34.1%). Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Shqipëria (8.1%), Maqedonia (7.0%) dhe Serbia (0.2 %).”, njofton ASK.

Tutje thuhet se eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 8.9 milionë Euro, ose 24.2 për qind. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport, vlen të përmenden: India (13.6%), Zvicra (6.8%).

Në anën tjetër Kosova importoi nga vendet e tjera më shumë se 91 milionë euro

“Ndërsa, importet e Kosovës nga vendet e tjera të botës arritën në 91.4 milionë Euro, ose 30.9%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia (12.7%) dhe Kina (7.7%).”