G
Pushtimi i tregut kosovar me 2 eurot false - VIDEO
Qarkullimi i monedhës 2 euro false në Kosovë ka marrë përmasa të mëdha, përderisa qytetarët kanë deponuar qindra ankesa në institucionet përkatëse. Telashet me monedhat u rritën kur bizneset dhe qytetarët filluan të mos pranojnë fare 2 euroshe.
Rreth 36 mijë monedha 2 euroshe janë identifikuar si false në tregun e Kosovës, deri në fund të muajit tetor, ndërsa para disa javësh pati edhe të arrestuar për çështjen e monedhave.
Situata po vlerësohet të jetë problem serioz ekonomik, ndërsa institucionet bëjnë thirrje për verifikim të mjeteve monetare.
Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka udhëzuar të gjitha autoritetet për kujdes të shtuar.
Sipas Jeton Bajramajt, Udhëheqës i Departamentit të Parave dhe Marrëdhënieve Bankare në BQK, falsifikimi i parasë paraqet rrezik për ekonominë dhe “është burim i humbjes financiare për shoqërinë”.
Zyrtari i BQK-së thekson se asnjë autoritet nuk mund të vendos për ndalimin apo jo të përdorimit të një monedhe.
“Valuta zyrtare është euro dhe kjo nënkupton çdo kartëmonedhë dhe monedha është e vlefshme. Asnjë autoritet nuk mund të vendos për ndalimin apo lejimin e asnjë instrumenti të ligjshëm në Kosovë, kjo është qëndrimi zyrtar i BQK-së” – tha ai në një intervistë për KALLXO.com.
Sipas të dhënave të Agjencisë Kosovare të Forenzikës, të cilat i citoi Bajarmaj, deri më 31 tetor 2023, janë identifikuar mbi 36 mijë monedha 2 euroshe të falsifikuara.
BQK u ka bërë thirrje bizneseve që furnizimin me monedha të bëjnë vetëm përmes bankave dhe se monedhat e pranuara t’i verifikojnë para se të njëjtat t’i ri-qarkullojnë.
“…institucionet tjera financiare duhet të vazhdojnë të ngrisin kapacitetet e tyre në adresimin e kësaj dukurie, të lehtësojnë furnizime me monedha të reja për qytetarët dhe bizneset dhe të shtojnë komunikimin me klientët dhe autoritetet përkatëse sa më efektivisht”.
Banka Qendrore e Kosovës ka publikuar manualin për veçoritë teknike dhe tiparet e sigurisë së monedhave në Kosovë.
Qindra ankesa
Në anë tjetër 400 ankesa nga qytetarët kanë pranuar brenda 10 dite Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit në Ministri të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT).
Por ky institucion thotë se nuk e ka në përgjegjësi këtë fushë.
“Përgjatë javëve te fundit Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit në Ministri të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) ka pranuar dhe vazhdon të pranojë qindra ankesa për mospranimin e monedhave (2 euro) nga subjektet tregtare dhe te njëjtat i ka përcjellë tek Banka Qendrore e Republikës së Kosovës. Në 10 ditëshin e fundit janë pranuar afër 200 ankesa përmes uebfaqes https://konsumatori.rks-gov.net/ , ndërsa mbi 200 ankesa janë pranuar përmes linjës telefonike pa pagesë 0800 11000”- thuhet në përgjigjen e MINT për KALLXO.com.
“Problem serioz ekonomik”
Gjithë këtë situatë, profesori i ekonomisë, Mustafë Kadrijaj po e sheh si problem serioz ekonomik.
Kadrijaj tha se qarkullimi i monedhës 2 euroshe fals po krijon pasiguri tek qytetarët e bizneset.
“Pasoja që ka dhe do të ketë është krijimi i pasigurisë tek qytetarët. Ata nuk do të kenë guximin të bëjnë tregti sepse nuk e dinë nëse mjetet që i kanë janë valide ose jo” – thotë ai.
“Monedha 2 euroshe është një ndër mjetet që e ka lëvizshmërinë më të madhe në treg sepse gastronomia punojnë shumë me të”- thekson Kadrijaj.
Profesori Kadrijaj tha se “dilerët ekonomikë” të cilët kanë falsifikuar këtë monedhë kanë menduar jashtëzakonisht mirë duke arritur ta trazojnë tregun në Kosovë.
Për të, zgjidhja më e mirë në këtë situatë do të ishte që pagesat të kryhen në mënyra elektronike.
“Vlerësoj që më e mira do të ishte që pagesat të bëhen përmes llogarive elektronike, që të largohet pjesa fizike monetare, po ashtu organet e rendit të jenë më vigjilent në këtë drejtim” – thotë ai.
Që nga janari i këtij viti e deri në nëntor, Policia e Kosovës ka thënë se kanë regjistruar mbi 1 mijë raste të falsifikimit të parasë.
Prokuroria Speciale kishte njoftuar për arrestimin e gjashtë personave për falsifikim të parave më 29 nëntor 2023. Tre prej tyre janë shtetas të Maqedonisë së Veriut ndërsa tre të tjerë janë shtetas së Republikës së Kosovës.
Prokuroria Speciale bëri të ditur se ishin sekuestruar thasë me monedha të 2 eurove, e të cilat kapin vlerën e 85 mijë eurove.