Tenderët e bllokuar në OShP dhe zvarritja për plotësimin e vendeve vakante në bord

Qindra tenderë janë bllokuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit që nga 1 prilli kur ky institucion nuk ka bord funksional për t’i shqyrtuar ankesat e operatorëve ekonomik.

Nga data 1 prill e deri më 10 nëntor 2021, OShP ka pranuar gjithsejtë 506 ankesa, të cilat në mungesë të bordit janë pa vendimmarrje.

OShP-ja ka thënë për KALLXO.com se për ankesat e kompletuara caktohet eksperti shqyrtues dhe lëshohet raport i ekspertizave, ndërsa ankesat e pa kompletuara hudhen si të pa lejuara.

“Në bazë të kompetencave që OSHP ka sipas LPP-së, shqyrtimi i ankesës mbetet deri tek raporti i ekspertit shqyrtues, në ketë gjendje që OSHP është pa bord ngase mungesa e bordit nuk i jep mundësi vendimmarrjes nga OSHP”, thuhet në përgjigje.

Gjithashtu nëse këto ankesa nuk trajtohen OShP-ja thotë se dorëzimi i një ankese e obligon autoritetin kontraktues që automatikisht ta pezullojë zbatimin e aktivitetit të prokurimit me të cilin ka të bëjë ankesa.

KALLXO.com ka shkruar në vazhdimësi për pozitat vakante në OShP.

Edhe në muajin gusht të këtij viti, OShP-ja kishte njoftuar se janë grumbulluar 324 ankesa, të bizneseve për tenderë të ndryshme të iniciuara nga institucionet e Kosovës.

KALLXO.com ka monitoruar përzgjedhjen e anëtarëve të bordit të OSHP-së.

Asnjë grua nuk ishte rekomanduar për të qenë pjesë e bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit nga komisioni vendor i përbërë nga tre gjyqtarë: Hajriz Hoti nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Nenad Laziq nga Gjykata e Apelit dhe Mejreme Memaj nga Gjykata Supreme.

Ndërsa përfaqësuesit e projektit të Ambasadës së Britanisë që kanë asistuar në këtë projekt, kanë vlerësuar se dy gra i plotësojnë kushtet për të qenë pjesë e bordit të OShP-së, që njihet si Gjykata e Tenderëve.

Konkursi për kryetar dhe anëtarë të bordit të OShP-së ishte hapur nga Qeveria e Kosovës, e cila ka në kompetencë vetëm shortlistimin e kandidatëve që i plotësojnë kriteret minimale të konkursit.

Më pas Qeveria ka marrë vendim që lista prej 27 kandidatëve të dërgohet në Kuvend për intervistim.

Kuvendi e ka bërë një panel vlerësues në përbërje prej 3 gjyqtarëve: Hajriz Hoti nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Nenad Laziq nga Gjykata e Apelit dhe Mejreme Memaj nga Gjykata Supreme.

Konkursi është zhvilluar me asistencë të përfaqësuesit të projektit të Ambasadës së Britanisë për asistim në rekrutim të pozitave të larta drejtuese.

Komisioni vendor i vlerësimit ka nënshkruar raportin përfundimtar duke i rekomanduar Kuvendit vetëm nga një kandidat për secilën pozitë, pra një për kryetar të bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OShP) si dhe katër kandidatë për katër vendet të lira në bordin e OShP-së.

Për kryetar të bordit të OShP-së, komisioni vendor e ka dërguar në Kuvend kandidatin Ardian Behra, të cilin e kishin poentuar me 32.3 pikë. Kurse për anëtarë të bordit janë rekomanduar: Hasim Krasniqi me 28.7 pikë, Faruk Rexhaj me 28.0 pikë, Adem Spahiu me 26.3 pikë dhe Ruzhdi Morina me 26.0 pikë.

Ndërkaq, procesi është duke u zvarritur edhe nga Kuvendi i Kosovës, pasi që Kryesia e Kuvendit të Kosovës kohëve të fundit ka pasur probleme me kuorumin për çka tri herë radhazi nuk ka arritur të zhvilloj mbledhje të rregullta dhe të caktoj mbajtjen e seancave plenare.

Kuvendi i Kosovës, që nga periudha e zgjedhjeve lokale 2021, ka pasur dinamikë të ulët të punës, shkaku i angazhimit të partive politike dhe deputetëve të cilët ishin pjesëmarrës në aktivitete zgjedhore nëpër komuna.

Kryesia e Kuvendit të Kosovës për tri mbledhje radhazi ka dështuar ta zhvilloj mbledhjen shkaku i mungesës së kuorumit.

Në rend dite për mbledhjen e kryesisë ishte parapa që diskutohen disa pika të rendit të ditës, ndër to plotësimi i vendeve vakante në Organin Shqyrtues të Prokuromit Publik pasi që nga 31 marsi i këtij viti OSHP-ja është pa bord funksional.

Ndërkaq, që nga fillimi i sesionit vjeshtor në shtator të këtij viti, Kuvendi ka arritur t`i mbaj vetëm tri seanca.

Nga 31 marsi 2021, nuk mund të shqyrtohet asnjë ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OShP), pasi bordit të këtij organi i skadoi mandati.

Menjëherë pas skadimit të mandatit të bordit, organizata Demokraci Plus kishte kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të përmbyll procesin sa më shpejtë.

“Demokraci Plus kërkon nga Qeveria e Kosovës që të përmbyllë procesin e konkursit për përzgjedhjen e anëtarëve të bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit, i cili është hapur më 12 janar 2021 dhe të konkursit të hapur më 8 prill 2019. Qeveria e Kosovës duhet të dërgojë sa më parë nga dy të propozuar për secilën pozitë, në mënyrë që Kuvendi i Kosovës të formojë Organin e Pavarur Përzgjedhës e pastaj të procedojë me votim”, thuhej në komunikatën e lëshuar nga D+.

Bordi aktual i OSHP-së sipas Ligjit për Prokurimin Publik ka një mandat pesë vjeçar pa pasur mundësi për rizgjedhje.