Foto: KALLXO.com

Kuvendi i përfshirë në zgjedhje lokale, tri dështime radhazi të mbledhjes së kryesisë

Kuvendi i Kosovës, që nga periudha e zgjedhjeve lokale 2021, ka pasur dinamikë të ulët të punës, shkaku i angazhimit të partive politike dhe deputetëve të cilët ishin pjesëmarrës në aktivitete zgjedhore nëpër komuna.

Kryesia e Kuvendit të Kosovës për tri mbledhje radhazi ka dështuar ta zhvilloj mbledhjen shkaku i mungesës së kuorumit.

Madje kryesia e Kuvendit është duke funksionuar me një nënkryetar më pak.

Nënkryetari i PDK-së Bedri Hamza, që nga 1 nëntori ka dhënë dorëheqje nga pozita e deputetit pasi që në zgjedhjet lokale kishte kandiduar për kryetar të Mitrovicës së Jugut, ku edhe i ka fituar 53% të votave.

Kuvendi i Kosovës në përgjigje për KALLXO.com ka thënë se vendi i Bedri Hamzës është në pritje për tu zëvendësuar.

Ndërsa, që nga aksioni i zhvilluar i Policisë së Kosovës në veri të vendit, edhe anëtari i Lista Serbe Slavko Simiq, ka filluar ta bojkotoj punën në kryesi.

Kryesia e Kuvendit më datën 8 nëntor kishe thirrur mbledhje, por kjo mbledhje ka dështuar të mbahet.

Kuvendi përmes një e-maili kishte njoftuar për shtyrjen e mbledhjes për një ditë tjetër, pa e arsyetuar shtyrjen e kësaj mbledhje.

“Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës, e paraparë për sot në orën 11:00, shtyhet për një ditë tjetër”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Kuvendi i Kosovës.

KALLXO.com, ka kërkuar përgjigje se pse nuk është mbajtur mbledhja e Kryesisë së Kuvendit nga nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës Sarnda Bogujevci, shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Kosovës Abelard Tahiri dhe nga shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Besnik Tahiri, por deri në publikimin e artikullit nuk kanë kthyer përgjigje.

Për zgjedhjet lokale, të 17 tetorit të këtij viti, shumë deputetë të Kuvendit ishin të angazhuar si kandidat për kryetar të Komunave, kandidat për asamble komunale dhe mbështetës të fushatës zgjedhore.

Ndërsa zgjedhjet për raundin e dytë të votimit për balotazh pritet të mbahen më 14 nëntor.

Vetëm gjatë ditës së 8 nëntorit, kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca dhe nënkryetarja e Kuvendit nga LVV Saranda Bogujevci ishin prezent për ta mbështetur në fushatë kandidatin për kryetar të Komunës së Podujevës Shpejtim Bulliqi.

Gjithashtu Konjufca më 8 nëntor ishte prezent edhe në hapjen e Fushatës në Komunën e Prishtinës së bashku me kryeministrin Albin Kurti dhe kandidatin për kryetar të Komunës së Prishtinës Arben Vitia.

Glauk Konjufca, kryetar i Kuvendit të Kosovës pjesëmarrës në hapjen e fushatës në Podujevë. Foto nga profili i Facebookut të kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Podujevës Shpejtim Bulliqi 08.11.2021
Glauk Konjufca, kryetar i Kuvendit të Kosovës, pjesëmarrës në hapjen e fushatës zgjedhore në Komunën e Prishtinës, së bashku me kryeministrin Albin Kurti dhe një pjesë të kabinetit qeveritar dhe kandidatin për kryetar të Komunës së Prishtinës Arben Vitia. Foto është postuar më 8 nëntor 2021, në faqen e rrjetit social Facebook të Lëvizjes Vetëvendosje.
Saranda Bogujevci, nënkryetare e Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, pjesëmarrëse në takimet dhe tubimet me qytetarë të Komunës së Podujevës. Foto nga rrjeti social Facebook e publikuar nga Shpejtim Bulliqit kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Komunës së Podujevës.

Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit kishte dështuar edhe dy herë tjera gjatë dy javëve të kaluara.

Javën e kaluar mbledhja e kryesisë dështoi pas dakordimit të anëtarëve të kryesisë që të caktohet një ditë tjetër, pasi që gjatë gjithë javës kishte takime punuese për MSA-në.

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci kishte thënë se shumë deputetë janë angazhuar në takime punuese.

“U dakorduam që javën që vjen të mblidhemi për ta caktuar seancën e radhës. Kjo vjen si rezultat i takimeve punuese që janë për MSA-në gjatë kësaj jave dhe kemi një numër të madh të deputetëve që janë të angazhum në pjesën e këtyre takimeve”, kishte thënë Bogujevci.

Kjo deklaratë u konfirmua menjëherë edhe nga dy shefat e grupeve opozitare Abelard Tahiri nga PDK, dhe Besnik Tahiri nga AAK.

Megjithëse për këtë mbledhje të kryesisë kishte dakordim që të shtyhet, nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Kujtim Shala, nuk ishte prezent.

Ai gjatë ditës së 4 nëntorit është parë në fushatë zgjedhore në Komunën e Gjilanit.

Lufti Haziri, kandidat për kryetar të Komunës së Gjilanit, kishte pasur takim të përbashkët me kryetarin e LDK-së, Kryesinë, kandidatët për kryetarë dhe Shtabin Qendror, për përgatitjet përfundimtare të fushatës zgjedhore në mesin e tyre Kujtim Shala.

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e LDK-së Kujtim Shala, në fushatën zgjedhore në Gjilan. Foto është postuar në rrjetin social Facebook të kandidatit për kryetar të Komunës së Gjilanit më 4 nëntor 2021.

Edhe më 26 tetor 2021, mbledhja e kryesisë dështoi shkaku i kuorumit.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së Abelard Tahiri kishte thënë se legjislativi duhet të mblidhet sa më shpejt në seancë në lidhje me dy pozitat vakante në Gjykatën Kushtetuese.

“Një prej çështjeve më të rëndësishme janë dy vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese. Është në limitet e saj. Kuvendi është i obliguam të mblidhet sa më shpejtë. Është obligim ligjor e kushtetues i Kuvendit. I kemi kërkuar forcave politike të gjejmë dakordim që gjykata Kushtetuese mos të përballet me moskuorum”, kishte thënë Tahiri pas dështimit të mbledhjes së kryesisë duke përmendur edhe pozitat vakante të Bordit të Organin Shqyrtues të Prokurimit.

Tahiri nuk e kishte konsideruar të qëllimshme mungesën e nënkryetarëve të Kuvendit për mos mbajtjen e mbledhjes së kryesisë duke thënë se “mungesa e nënkryetarëve ishte edhe e partive tjera jo vetëm e Vetëvendosjes”.

Ndërkaq, AAK-ja pas çdo dështimi të mbledhjes së kryesisë, në foltoren për media ka kërkuar debat parlamentar për dy çështje “ngritjen enorme të çmimeve dhe debate për projektin e gazit programet amerikane të MCC”.

Njohësja e zhvillimeve të Kuvendit, Agnesa Haxhiu tha për KALLXO.com se tri mbledhje të kryesisë së Kuvendit radhazi kanë dështuar shkaku i angazhimit të partive politike dhe deputetëve të cilët ishin pjesëmarrës në aktivitete zgjedhore nëpër komuna.

Sipas saj, kryesia nuk ka arritur të zhvilloj mbledhje të rregullta e njëkohësisht të caktoj edhe mbajtjen e seancave plenare.

“Në fakt, Kuvendi që nga fillimi i sesionit vjeshtor është karakterizuar me një dinamikë të ultë të punës për shkak të fokusit që kanë pasur partitë politike të zgjedhjet lokale dhe pjesëmarrja e deputetëve nëpër aktivitete zgjedhore nëpër komuna. Disa deputetët, madje, edhe kanë qenë vet pjesë e garës zgjedhore e një pjesë e tyre deputetë që kanë funksione udhëheqëse brenda Kuvendit, siç është rasti me nënkryetarin nga radhët e PDK-së, z.Hamza”, tha ajo.

Sipas saj dorëheqja e Hamzës në njërën anë dhe bojkoti i Listës Serbë rrjedhimisht anëtarit të tyre në Kryesi në anën tjetër dhe mungesat e kohëpaskohshme edhe të anëtarëve të tjerë të Kryesisë, ka bërë që Kryesia të ketë të pamundur arritjen e kuorumit prej katër anëtarëve në mënyrë që t’i zhvilloj mbledhjet e saj.

“Mos mbajtja e mbledhjeve të Kryesisë, ka pamundësuar edhe caktimin e seancave të reja plenare duke bërë kështu që çështjet që janë tash e tri javë në pritje për tu shqyrtuar nga deputetët të shtyhen deri në përfundimin e zgjedhjeve lokale dhe kthimit të vëmendjes së deputetëve në punën në Kuvend”, tha Haxhiu.

Sipas Haxhiut, pjesa dërrmuese e pikave që po presin shqyrtim janë projektligje, shqyrtim në lexim të parë dhe deri tani në procedurë të shqyrtimit në Kuvend janë 54 projektligje.

Në rend dite për mbledhjen e kryesisë ishte parapa që diskutohen disa pika të rendit të ditës, ndër to plotësimi i vendeve vakante në Organin Shqyrtues të Prokuromit Publik pasi që nga 31 marsi i këtij viti OSHP-ja është pa bord funksional.

Ndërkaq, alarm është ngritur edhe për mos miratimin e Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Agjencisë Austriake për Zhvillim për zbatimin e Projektit “Hulumtimi dhe shkencat e aplikuara në arsimin e lartë + (HERAS+) (ada numri referues 8116-00-2020)”.

KALLXO.com ka shkruar se mos ratifikimi i kësaj marrëveshje rrezikon zhvillimin e arsimit të lartë dhe shkencës në vend.

Që nga fillimi i sesionit vjeshtor i cili ka filluar në shtator të këtij viti Kuvendi i Kosovës ka mbajtur vetëm tri seanca.