Policia arreston Korab Gashin, i dyshuar për grabitjen e armatosur në Suharekë
Policia e Kosovës ka arrestuar Korab Gashin në lidhje me dyshimet se i njëjti është i përfshirë në grabitjen e armatosur në Suharekë në një argjendari si dhe për plagosjen e një zyrtari policor në nëntor të vitit 2023.
Korab Gashi i cili për shtatë muaj ka qenë në arrati, është vënë në pranga nga Policia në Prishtinë sot, më 01.07.2024.
“Policia e Kosovës sot më 1 korrik 2024 gjatë një operacioni të organizuar nga njësitet relevante të saj ka arrestuar në Prishtinë personin e dyshuar me iniciale (K.G.), i cili dyshohet se është i përfshirë në rastin e Grabitjes së argjendarisë në Suharekë. I apostrofuari me iniciale (K.G.) ndodhej në arrati që nga muaji nëntor i vitit 2023 dhe tani më është arrestuar nga autoritetet policore”-thuhet në komunikatë.
Si lidhet Korab Gashi me grabitjen në Suharekë dhe plagosjen e policit?
Në orët e pasdites të datës 22.11.2023 kishte ndodhur një grabitje e rëndë e armatosur, në të cilin u plagos një zyrtar policor.
Argjendaria “Diakos” që gjendet në qendër të Suharekës, u grabit nga katër persona të cilët të maskuar e të armatosur kishin hyrë dhe kishin arritur që të grabisnin një pjesë të madhe të arit që gjendej në lokal.
Gjatë kohës sa ishte duke u kryer grabitja e armatosur në vendin e ngjarjes pas marrjes së një informacioni kishte shkuar një ekip i Policisë, i cili u sulmua, e një zyrtar policor ishte plagosur.
Ekipe të ndryshme të Policisë së Kosovës u panë po atë natë për orë të tëra në argjendarinë “Diakos” e që për qëllim të këqyrjes së vendit të ngjarjes u rrethua edhe perimetri i sigurisë.
Për shkak të sulmit ndaj Policisë, ekipet e njësisë së qenve K9 por edhe pjesëtarë të Njësisë Speciale Intervenuese u panë në vendin e ngjarjes.
Madje në po të njëjtën natë u aktivizua edhe “Unaza e çeliktë” e cila kishte për qëllim vendosjen e njësive policore në pika të ndryshme për të kontrolluar për veturën dhe të dyshuarit.
Për dy ditë nuk pati asnjë informacion për grabitjen në Suharekë, përveç faktit se prokuroria në natën kritike kishte konfirmuar se targat e veturës ishin të vjedhura.
Më 24 nëntor, Prokuroria Themelore në Prizren kishte konfirmuar për KALLXO.com se kishin gjetur veturën e cila dyshohej se ishte përdorur në rast. Vetura e gjetur ishte e dëmtuar për shkak se ishte hedhur në një humnerë.
Hetimet intensive në lidhje me këtë rast vazhduan edhe më tutje për të marrë kthesë të rëndësishme vetëm një ditë pasi u gjet vetura e dyshuar.
Dy persona ishin arrestuar më 25 nëntor, të dyshuarit A. B., dhe F. T., ishin dërguar në paraburgim për këtë ngjarje më 26 nëntor.
Vetëm katër ditë më pas ngjarje të reja u shënuan për këtë rast. Sërish pati të shtëna armësh. Një nga personat e dyshuar për këtë grabitje ishte vrarë ndërsa një polic ishte plagosur e dy të tjerë ishin lënduar.
Njoftimi zyrtar i Policisë së Kosovës më 30 nëntor 2023 konfirmoi se si rezultat i hetimeve kishin arritur që të identifikonin persona të tjerë të përfshirë në rast dhe kishin ndërmarrë disa aksione në po të njëjtën ditë në lokacione të ndryshme, Prishtinë, Fushë Kosovë dhe fshatin Carralevë të Shtimes.
Policia në njoftimin e 30 nëntorit kishte thënë se personat e dyshuar për rastin e grabitjes në Suharekë që ishin identifikuar nga policia kishin të kaluar kriminale për vrasje, grabitje, vjedhje e rëndë, sulm, kanosje, lëndim trupor, detyrim dhe armëmbajtje pa leje.
Në njoftimin e Policisë së Kosovës i cili është publikuar më 13.12.2023, Korab Gashi ishte shpallur në kërkim dhe se ndaj të njëjtit është lëshuar një urdhërarrest.