Komuna e Rahovecit

Ndikimi i aplikimit të praktikave të mira në realizimin e planit të prokurimit në Komunën e Rahovecit

Implementimi i planit të prokurimit është thelbësor për të siguruar një menaxhim efikas, të drejtë dhe të përgjegjshëm të burimeve publike në një komunë, gjë që ndihmon në përmirësimin e përgjithshëm të qeverisjes, përmirësimin e shërbimeve për qytetarët dhe për të ndërtuar besimin e qytetarëve në administratën komunale.

Për të kryer një planifikim të mirë të prokurimit zyrtarit të prokurimit i nevojitet bashkëpunimi dhe kordinimi i ngushtë me drejtoritë e tjera komunale. Zyrtari i prokurimit duhet të takohet me personat përgjegjës për buxhet dhe drejtoritë e tjera si njësi kërkuese dhe diskuton kërkesat e tyre për prokurim dhe buxhetin që është në dispozicion për vitin e ardhshëm dhe në fund vendoset se cilat aktivitete të prokurimit do të përfshihen në planifikimin paraprak dhe final të prokurimit.

Komuna e Rahovecit deri në fund të muajit maj 2024, ka realizuar 89% të planit të prokurimit, duke u bërë kështu një nga komunat me zbatimin më të madh të planit të prokurimit. Faktori që ka ndikuar që Komuna e Rahovecit të ketë një përqindje kaq të lartë të zbatimit të këtij plani, është një praktikë që ka filluar ta zbatojë qe rreth dy vjet e gjysmë.

Zyra e Prokurimit në komunën e udhëhequr nga Smajl Latifi në baza tremujore takon, informon dhe inkurajon drejtoritë përkatëse që të zbatojnë planin e prokurimit. Kjo praktikë e mirë që po zbatohet në Komunën e Rahovecit është iniciuar me mbështetjen direkte të USAID KMI dhe e njëjta ka dhënë rezultate të prekshme.

U.d shefi i Prokurimit në Komunën e Rahovecit, Astrit Mullabazi, ka treguar se kjo praktikë e mirë është zbatuar në vitin 2022, 2023 dhe tash përgjatë vitit 2024.

“Nuk e di për institucione të tjera, por falë bashkëpunimit me këshilltarë të prokurimit, përkatësisht zonjën Florije Salihu në kuadër të projektit USAID KMI, Komuna e Rahovecit e ka realizuar planin e prokurimit, ashtu sipas planifikimit” – deklaroi Mullabazi.

Duke krahasuar me vitet paraprake, Mullabazi thotë se në vitin 2024 ka dukshëm një realizim më të madh të planit të prokurimit, duke dhënë rezultate të prekshme praktika e mirë e nisur nga Komuna e Rahovecit me mbështetjen e USAID KMI.

“Unë po i marr si shembull vetëm tri vitet e fundit, vitin 2024, 2023 dhe 2022, ku deri në muajin 10-të të vitit 2022 realizimi i planit të prokurimit ka qenë diku 58.54%; për vitin 2023 deri në muajin qershor ka qenë 62%, ndërsa për vitin 2024 deri në muajin e pestë është realizuar 89%” – ka thënë ai.

Si po implementohet kjo praktikë në Komunën e Rahovecit?

U.d shefi i Prokurimit në Komunën e Rahovecit, Astrit Mullabazi, ka treguar se fillimisht bëhet plani i prokurimit bashkë me drejtoritë përkatëse deri para datës 1 dhjetor të vitit paraprak dhe i njëjti më pas dorëzohet tek kryetari i komunës. Në këtë plan caktohen datat e fillimit, punimit dhe përfundimit të projekteve për secilën drejtori.

“Drejtoritë përkatëse i respektojnë afatet kohore. Në formë elektronike apo formë fizike e verbale, i njoftojmë drejtoritë për afatin e planifikimit të aktivitetit. Drejtoritë janë të përgjegjshme për inicimin e aktivitetit të prokurimit” – ka thënë Mullabazi.

Si një nga drejtoritë me më së shumti projekte, drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Rahovecit, Përparim Krasniqi, ka thënë se për drejtorinë e tij ka qenë e mirëpritur fillimi i një praktike të tillë. Ai ka treguar se vetëm në vitin 2023 zbatimi i planit të prokurimit nga Drejtoria e Shërbimeve Publike ka qenë 100%.

“Përqindja ka qenë 100%, përveç një projekti që nuk ka mundur të ekzekutohet në teren edhe e kam bërë arsyeshmërinë. Domethënë ne zakonisht e bëjmë arsyeshmërinë nëse nje projekt nuk mundet me u ekzekutu në teren për shkak të procedurave, ose për shkak të specifikës së terenit të atij projekti. Mundet me hasë për shembull në pengesa nga banorët.. Përndryshe 100% e kam pas realizimin në vitin 2023” – ka thënë Krasniqi.

Edhe për vitin 2024 Krasniqi ka treguar se nga tetë procedura që kanë qenë të planifikuara deri në maj të vitit 2024, të gjitha janë shpallur sipas afatit.

Krasniqi deklaroi se Zyra e Prokurimit vazhdimisht çdo tre muaj raporton për ecurinë e planit të prokurimit në mënyrë që drejtoritë e Komunës së Rahovecit t’i nisin procedurat e parapara.

“Ne në fazën që jemi tash, Drejtoria e Shërbimeve Publike i ka pasur tetë procedura dhe të gjitha i ka shpallur në afatin kohor sipas planit të prokurimit” – ka shtuar ai.

Drejtori Krasniqi konsideron se kjo praktikë i ndihmon Komunës për transparencë, si dhe zbatim të plotë të projekteve.

“Kjo i ndihmon komunës, i ndihmon transparencës, i ndihmon edhe procedurës dhe shpalljes për shkak se Ligji i Prokurimit e ka një afat të caktuar për të cilën procedurat marrin kohë deri në momentin që lidhet një kontratë dhe të fillohet me ekzekutimin e atij projekti” – ka treguar Krasniqi.

Është bërë e ditur nga Krasniqi se jashtë planit të prokurimit realizohen vetëm projektet që janë donacione.

“Kemi projekte që mbështeten nga donatorë të caktuar për të cilat nuk kalkulohet në planin e prokurimit,  mirëpo kemi të drejtën ta shpallim gjatë vitit në bashkëpunim me partnerët” – ka thënë ai.

Kjo praktikë është pritur mirë nga drejtoritë dhe nga kryetari i Komunës së Rahovecit, ka treguar U.d shefi i Prokurimit në Komunën e Rahovecit, Astrit Mullabazi. Ai ka thënë se kryetari Latifi insiston që çdo herë të realizohet plani prokurimit deri në fund.

“Komunën e ndihmon shumë në realizimin sa më të mirë të planit të prokurimit edhe shfrytëzimi sa më racional i parasë publike ose menaxhimi i fondeve publike të Komunës së Rahovecit, që projektet të shpallen në afat kohor dhe jo të shpallen në fund të vitit, si zakon i keq që ka qenë te shumica e autoriteteve që i shpallshin në fund të vitit aktivitetet dhe e shpenzojnë buxhetin jo në formë të duhur” – përfundoi Mullabazi.

Ndërsa drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Rahovecit, Përparim Krasniqi e ka dhënë si rekomandim që edhe komunat e tjera në Kosovë të fillojnë me implementimin e kësaj praktike, pasi sipas tij, i ndihmon atyre për zbatimin e plotë të projekteve.

“Normal është praktikë e mirë, ua kishim rekomanduar. Është mirë ta marrin këtë praktikë të Komunës së Rahovecit sepse i ndihmon asaj komune që të realizojë projektet e caktuara në komunën e tyre” – ka potencuar Krasniqi.

Sipas raportit të prokurimit për periudhën janar – dhjetor 2023, Zyra e Prokurimit e Komunës së Rahovecit kishte proceduar 78 aktivitete të prokurimit, me vlerë të parashikuar mbi 16 milionë euro.

Deri më 29 dhjetor 2023, sipas raportit, ishin nënshkruar 71 kontrata për punë, furnizime e shërbime, me vlerë prej 11 milionë e 597 mijë euro. Tri aktivitete ishin anuluar, ndërsa 16 të tjera kanë qenë në procedurë.

Sipas Rregullores për Prokurim Publik, jo më pak se 30 ditë para fillimit të çdo viti fiskal që do të thotë jo më vonë se 1 dhjetori i çdo viti, secili autoritet kontraktues duhet të përgatis një plan paraprak të prokurimit me shkrim, në të cilin duhet të identifikohen me detaje të arsyeshme të gjitha furnizimet, shërbimet dhe punët që autoriteti parasheh t’i realizojë përgjatë vitit fiskal.

Kjo ua mundëson institucioneve që të jenë më të saktë, më transparentë dhe më efikas në realizimin e projekteve.

Planet e prokurimit të autoriteteve kontraktuese publikohen në platformën e prokurimit publik – e-prokurimi, dhe të njëjtat mund t’i gjeni KËTU.

Ky artikull është përgatitur nga BIRN-i përmes mbështetjes nga Aktiviteti i Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) për Integritetin e Komunave të Kosovës. Pikëpamjet e paraqitura në këtë artikull nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e USAID-it ose të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara.