Një pjesë e parkut "Isa Berisha" në Han të Elezit, Foto: KALLXO.com

Rëndësia e debatit me qytetarë para fillimit të projektit

Përfshirja e qytetarëve në procesin e planifikimit rrit ndjenjën e pronësisë dhe përgjegjësisë për projektin. Kjo mund të çojë në një mbështetje më të madhe dhe një implementim më të suksesshëm të projektit.

Qytetarët janë ata që do të përfitojnë nga projekti publik, kështu që është thelbësore të kuptohet se cilat janë nevojat dhe prioritetet e tyre. Kjo siguron që projekti të jetë më i përshtatshëm dhe i dobishëm për komunitetin.

Debati me qytetarët mund të ndihmojë në identifikimin dhe adresimin e çështjeve potenciale dhe shqetësimeve para se projekti të fillojë. Kjo mund të parandalojë konfliktet dhe rezistencën gjatë fazave të mëvonshme të projektit.

Kjo praktikë e mirë e diskutimit të projekteve me qytetarët para planifikimit është ndjekur nga Komuna e Hanit të Elezit dhe Rahovecit, ndërsa Komuna e Gjakovës e ka në plan të fillojë nga viti 2024.

Durim Durnjani, menaxher i projekteve nga Komuna e Hanit të Elezit thotë se mbajtja e debateve me qytetarët para fillimit të projektit ka filluar të bëhet traditë për projektet që i realizon komuna.

Komuna e Hanit të Elezit ka diskutuar me qytetarët projektin për ndërtimin e parkut “Isa Berisha” para se të fillojë projektimin e tij. Në këtë takim që kanë qenë të pranishëm 28 persona, janë parashtruar kërkesa të ndryshme nga qytetarët se çfarë duhet të përmbante ky park sipas tyre.

Durim Durnjani, menaxher i projekteve në Komunën e Hanit të Elezit, thotë se duke parë rëndësinë e projektit, Komuna e ka konsideruar si të arsyeshme që të organizohet debati me qytetarët.

“Duke parë rëndësinë e projektit, sepse ka qenë i rëndësishëm për neve dhe për qytetarët e Hanit të Elezit, e kemi parë të arsyeshme që duhet të organizohet një debat me qytetarët edhe e kemi mbajtur një debat me qytetarët, sa i përket këtij projekti” – ka thënë Durnjani.

Ai ka deklaruar se ka kërkesa të cilat i kanë bërë qytetarët gjatë diskutimit, e të cilat janë marrë në konsideratë nga Komuna e Hanit të Elezit, por ka pasur edhe kërkesa të cilat nuk janë marrë parasysh.

“E mbaj mend që ka qenë një kërkesë për një fontanë përbrenda projektit. Me thënë të drejtën, ne si ekip  profesional të fushave, kemi konsideruar se nuk është e arsyeshme sepse Hani i Elezit nuk ka edhe shumë ujë, edhe zakonisht fontanat kërkojnë një mirëmbajtje shumë më të madhe, edhe e kemi parë të arsyeshme se nuk është e nevojshme me bo atë në projekt” – ka thënë ai.

Muhamed Berisha është babai i martirit Isa Berisha, të vrarë nga forcat serbe, emrin e të cilit e mban edhe parku i ndërtuar në Han të Elezit. Berisha thotë se organizimi i debatit ka qenë shumë i rëndësishëm për mbarëvajtjen e projektit për ndërtimin e parkut.

“Nuk është që unë personalisht kam pasur ndonjë kërkesë. Por që projekti na ka pëlqyer shumë, normalisht. Në atë dëgjim publik ka pasur mjaft njerëz nga Hani i Elezit që kanë marrë pjesë aty” – ka deklaruar Berisha.

Projekti ka kushtuar rreth 250 mijë euro në total dhe është ndërtuar përmes Grantit të Performancës, të përfituar nga Komuna e Hanit të Elezit. I njëjti ka nisur të ndërtohet në vitin 2022 dhe ka përfunduar në vitin 2023.

Projekti i dedikuar personave me aftësi të kufizuar në Komunën e Rahovecit

Shoqata “Hareja” me bazë në Rahovec është organizatë që avokon për të drejtat e personave me aftësi të kufizuar. Kjo shoqatë ka arritur që përmes kërkesave të parashtruara në dëgjime publike, të ndikojë në inicimin dhe më pas implementimit të një projekti dedikuar për personat me aftësi të kufizuar në Komunën e Rahovecit.

Fjala është për projektin “Sinjalizimi i rrugëve për personat me aftësi të kufizuar”. Vlera e projektit në fjalë është 71 mijë e 568 euro, ku 37 mijë euro janë siguruar nga Granti i Performancës Komunale dhe 34 mijë e 568 euro të tjera janë siguruar nga buxheti i Komunës së Rahovecit.

Udhëheqësja e kësaj shoqate, Adelina Paqarizi, se kërkesa për këtë projekt ka qenë drejtpërdrejt nga ta dhe është marrë parasysh nga ana e Komunës së Rahovecit.

“Bile pa ndihmën e Komunës ne nuk kishim mujtë kurgjo me bo sepse tamon kanë qenë të përkushtuar për realizimin e kërkesave të personave me aftësi të kufizuar. Jemi shoqatë goxha serioze, funksionojmë prej vitit 2000 dhe i trajtojmë këta persona, kështu që zëri jonë dëgjohet goxha shumë” – ka thënë Paqarizi.

Drejtori i Financave në Komunën e Rahovecit, Afrim Limani, ka treguar se një diskutim publik është mbajtur edhe pas përfundimit të projektit të realizuar në Komunën e Rahovecit dedikuar personave me aftësi të kufizuar.

Ai ka thënë se ka pasur rekomandime dhe kërkesa për këtë projekt, të cilat janë marrë parasysh nga ana e komunës.

“Ka pasur kërkesa dhe rekomandime për këtë projekt, por në përgjithësi projektin e kanë pranuar pozitivisht dhe se është ndërtuar diçka shumë e nevojshme dhe e mirë për personat e kësaj kategorie. Diku rreth 40 qytetarë kanë marrë pjesë në diskutime”.

Projekti kishte filluar në korrik 2021 dhe kishte përfunduar në qershor 2022.

Udhëheqësja e shoqatës “Hareja”, Adelina Paqarizi ka bërë të ditur se aktualisht janë në diskutime me Komunën e Rahovecit për realizimin e një projekti tjetër, po ashtu bazuar në kërkesat dhe nevojat e personave me aftësi të kufizuar.

“Konkretisht jemi duke bisedu për renovimin e objektit të shoqatës tonë, të hapësirës së jashtme. Prej vitit 2000 që jemi vendosë në objekt, nuk kemi arritur të bëjmë investime, kështu që tash jemi me këtë propozim. Besoj që shumë shpejt kanë me realizu” – ka thënë ajo.

Drejtori i Financave në Komunën e Rahovecit, Afrim Limani, e ka pranuar që përfshirja e qytetarëve që nga inicimi i projektit bën që projekti të realizohet më mirë.

“Konsiderojmë dhe pajtohemi që projekti realizohet më mirë nëse është edhe përfshirja e qytetarëve në kuadër të një projekti” – ka thënë Limani.

Diskutimi për projektin e rrugës në Mushtisht para fillimit të implementimit

Edhe projekti për ndërtimin e rrugës “Mushtisht – Guri i Matozit” në Suharekë është një model se si është diskutuar me qytetarët para fillimit të implementimit të tij. Ky projekt është realizuar pas kërkesës së banorëve të asaj ane nëpër diskutime publike por pwr dallim nga Komuna e Rahovecit dhe Hanit të Elezit, te Komuna e Suharekës, diskutimi me qytetarë në lidhje me projektin është mbajtur pas nënshkrimit të kontratës me operatorin ekonomik fitues. Pas kërkesave të qytetarëve, projekti është ndryshuar dhe në të janë marrë parasysh disa kërkesa të qytetarëve.

Sipas Rregullores për Prokurim Publik, e cila ka hyrë në fuqi që nga 01.11.2022, në rast nevoje, ndryshimi i kontratës iniciohet nga menaxheri i kontratës. Paragrafet 1, 2 dhe 3 të nenit 71 të Rregullores së Prokurimit Publike, përcaktojnë se, ndryshimi i kontratës nuk mund të rris çmimin total të kontratës më shumë se 10% të çmimit fillestar. Ndryshimi i kontratës nuk mund të bëhet pa miratimin e Zyrtarit Kryesor Administrativ (ZKA) dhe pa marrë zotimin e mjeteve për ndryshimet e bëra. Ndryshimi i kontratës, sipas udhëzuesit, përgatitet nga departamenti i prokurimit i Autoritetit Kontraktues.

Projekti që kishte filluar në shkurt të vitit 2023, është realizuar përmes Grantit të Performancës që e kishte përfituar Komuna e Suharekës dhe ka kushtuar 309,768 mijë euro.

Drejtori i Urbanizmit në Komunën e Suharekës, Visar Kuqi, ka treguar se janë mbajtur disa diskutime në të cilat është folur për këtë projekt. Sipas Kuqit, në diskutime publike kanë marrë pjesë kategori të ndryshme të qytetarëve, ekonomistë, drejtorë të shkollave, policë, të rinj e pensionistë.

“Secili i ka pasur kërkesat e tyre, kanë qenë të lidhur me projektin e sidomos pjesa e njërit prej projekteve në Mushtisht, kanë qenë shumë aktivë” – thotë Kuqi.

Fshatrat Mushtisht e Guri i Matozit janë të shtrira në një pjesë malore e cila ka potencial për zhvillim të turizmit malor. Projekti i realizuar në këtë pjesë ishte bërë pas kërkesës së banorëve të asaj zone. Qëllimi kryesor i realizimit të këtij projekti ishte mundësia e zhvillimit të turizmit malor dhe për këtë arsye qytetarët kanë qenë aktivë në kërkesat e tyre dhe mbikëqyrjen në mënyrë vullnetare të projektit.

Drejtori Kuqi thotë se si komunë nuk kanë mundur që të marrin parasysh të gjitha kërkesat e banorëve, për shkak se kontrata ka qenë veçse e lidhur dhe rrjedhimisht ka pasur kërkesa që janë refuzuar.

Për ndërtimin e rrugës Mushtisht – Guri i Matozit, komuna kishte paraparë fillimisht që rruga të jetë 3 metra gjerësi. Me kërkesë të banorëve është zgjeruar rruga në 5 metra, si dhe 2 metra të tjera kanë mbetur shtigje të ecjes.

Shtegu i ecjes ishte planifikuar të ndërtohej në anën kah mali, gjë që ishte kundërshtuar nga banorët. Ata kanë kërkuar që shtegu i ecjes të jetë kah lumi dhe kjo kërkesë e banorëve ishte miratuar nga Komuna e Suharekës.

Reshat Selimi, kryetar i fshatit Mushtisht, është një nga personat që ka marrë pjesë në debatin publik të organizuar nga Komuna e Suharekës pas nënshkrimit të kontratës, në lidhje me projektin që ka prekur fshatin nga vjen ai.

Sipas Selimit, debatet publike janë shumë të rëndësishme për komunitetin për shkak se banorët marrin pjesë direkt në prioritetet të cilat caktohen për përmirësimin e jetës së tyre.

“Ajo që ne kemi arritur me e vërejtë si grup është që Komuna e Suharekës ka qenë shumë aktive me dëgjime publike” – thotë Selimi.

Përfshirjen e banorëve në baza vullnetare në monitorim të projekteve, drejtori Visar Kuqi e ka vlerësuar shumë. Ai ka thënë se është i interesuar që projektet të monitorohen vullnetarisht nga banorët edhe pasi të fillojë implementimi.

“Qytetari që ka qenë i kyçur në këto projekte ka dërgu fotografi prej terenit, më ka shkru. Nëse ne arrijmë me i kyç qytetarët nëpër zonat ku punohet është shumë e mirë” – ka potencuar Kuqi.

Komuna e Gjakovës planifikon ta implementojë këtë praktikë në projektet e vitit 2024

Duke përfshirë qytetarët në fazën e hershme të planifikimit të projekteve publike, autoritetet mund të sigurojnë që projektet janë më efektive, të qëndrueshme dhe në përputhje me interesat dhe nevojat e komunitetit.

Qytetarët mund të ofrojnë ide dhe sugjerime të vlefshme që mund të përmirësojnë dizajnin dhe funksionalitetin e projektit. Shpesh, qytetarët kanë njohuri të veçanta për sfidat në komunitetin e tyre që mund të mos jenë të dukshme për ata që bëjnë planifikimin e projektit.

Në ndërkohë, Komuna e Gjakovës ka thënë se deri më tash nuk është që e kanë implementuar një praktikë të tillë të mbajtjes së diskutimit para planifikimit të projekteve. Artan Haraqia, zëdhënës i Komunës së Gjakovës, ka deklaruar se që nga viti 2024 komuna ka planifikuar që të mbajë diskutime të tilla.

“Deri në këtë vit nuk është praktiku mbajtja e takimeve për projekte të veçanta. Prej këtij viti kemi fillu me pjesëmarrje, domethënë qytetarët do të zgjedhin vetë projektin” – ka bërë të ditur Haraqia.

Në anën tjetër, kryetari i Bordit të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP), Osman Vishaj, ka thënë se praktika e komunave për t’i përfshirë qytetarët në diskutime para fillimit të projekteve, është e mirëpritur.

Ai ka konsideruar se kjo ndihmon në identifikimin e nevojave reale të komunitetit dhe përshtatjen e projekteve në përputhje me to.

Një qasje e tillë pjesëmarrëse, vlerëson Vishaj, rritë gjasën që projektet të jenë më të suksesshme dhe të mirëpriten nga qytetarët.

“Kjo praktikë ndikon pozitivisht edhe në evitimin e ndryshimeve të shpeshta të kontratave gjatë zbatimit të projekteve. Kur nevojat identifikohen mirë që në fillim, është më e lehtë të planifikohet dhe hartojë një kontratë e plotë që përfshin të gjitha kërkesat dhe specifikimet e duhura. Kjo ul nevojën për aneks kontrata të shpeshta, të cilat shpesh çojnë në shtesa kostosh apo vonesash” – ka thënë Vishaj për KALLXO.com.

Vishaj ka bërë të ditur se USAID KMI është në proces të zhvillimit të një aplikacioni, që integron menaxhimin e kontratave me projektet e realizuara përmes platformës së prokurimit elektronik, përfshirë këtu modulin për menaxhim të kontratave.

Ai thotë se kjo do të jetë shumë e dobishme.

“Kjo do të mundësojë një menaxhim më të mirë të kontratave, duke ulur rreziqet e ndryshimeve të panevojshme dhe rritjes së kostos. Njëkohësisht, do të kontribuojë në rritjen e transparencës dhe llogaridhënies në këtë proces” – tha Vishaj.

Mbajtja e dëgjimeve publike para planifikimit të projektit nuk është një obligim ligjor për komunat, por është një praktikë e mirë që disa komuna kanë filluar ta ndjekin kohëve të fundit. Por mbajtja e dëgjimeve publike për buxhetin komunal (pjesa kryesore e planifikimeve për buxhetin komunal është kategoria e Investimeve Kapitale apo projektet), para aprovimit të tij në Asamble Komunale është kërkesë ligjore që buron nga Ligji për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësive. Pra komuna obligohet që buxhetin para aprovimit ta shqyrtojë në debate publike me qytetarë.

Ky artikull është përgatitur nga BIRN-i përmes mbështetjes nga Aktiviteti i Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) për Integritetin e Komunave të Kosovës. Pikëpamjet e paraqitura në këtë artikull nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e USAID-it ose të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara.