Qindra projektet kapitale bllokohen në "gjykatën e tenderëve"

Mbi 300 tenderë janë bllokuar pasi Organit Shqyrtues të Prokurimit (OShP) nuk ka bord funksional për të shqyrtuar ankesat e bizneseve.

Që nga 31 marsi kur OShP është pa bord funksional janë dorëzuar 324 ankesa të bizneseve për tenderë të ndryshme të iniciuara nga institucionet e Kosovës. Prej tyre, 141 ankesa janë për tender që janë iniciuar nga komunat e Kosovës.

“Në kohën kur OShP është pa bord deri më datë 16.08.2021 ankesa në nivel lokal janë deponuar gjithsej 141 ankesa (kundër komunave)”, kanë bërë të ditur për KALLXO.com nga ana e OShP-së.

Sipas procedurës pas dorëzimit të ankesave në OSHP pezullohen tenderët. OSHP-ja sipas procedurës ankesën ia ndanë për shqyrtim ekspertit shqyrtues.

Nga OShP po ashtu kanë bërë të ditur se nga 31 marsi deri më tani nga ekspertët janë lëshuar 280 ekspertiza për ankesat e drejtuara.

“Në bazë të kompetencave që OSHP ka sipas Ligjit të Prokurimit Publik, shqyrtimi i ankesës mbetet deri tek raporti i ekspertit shqyrtues, në ketë gjendje që OSHP është pa bord , ngase  mungesa e bordit  nuk i jep mundësi vendimmarrjes  nga OSHP”, thuhet më tej në përgjigjen e tyre.

Qeveria e Kosovës i ka përfunduar procedurat e rekrutimit dhe i ka dërguar në Kuvend listën e kandidatëve për anëtarë të bordit të OSHP-së të cilët i kanë plotësuar kriteret e përcaktuara në Konkurs.

Sipas procedurës, Kuvendi e ka themeluar një komision i cili do t’i intervistojë dhe vlerësojë këta kandidatë dhe më pas do t’i propozojë Kuvendit kandidatët më të suksesshëm.

Kuvendi i Kosovës aktualisht është në pushim dhe pritet të kthehet në seancën vjeshtore vetëm në muajin shtator.

Pas dorëzimit të ankesave në OSHP, sipas procedurës tenderët duhet të pezullohen deri në një vendim të bordit të OSHP-së.

Komuna e Dragashit dhe Ferizajt janë disa nga komunat që kanë tenderë të pezulluar në OShP për shkak të kësaj situate.

Kryetari i Komunës së Dragashit, Shaban Shabani bëri të ditur për KALLXO.com se ka dy projekte që s’ka mundur t’i përfundojë.

“Ne si Komunë kemi dy projekte që janë në proces në OShP dhe janë shumë të rëndësishme për komunën tonë. Një është për zgjidhjen e ujësjellësit që e kanë trashëguar disa fshatra edhe një për hartimin e projekteve që prej marsit është bllokuar në OShP”, tha Shabani.

Ndërsa, nga Komuna e Ferizajt kanë bërë të ditur për KALLXO.com se kanë katër projekte që janë të bllokuara në OSHP, përfshirë projektin për ndërtimin e objektit të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare.

“Janë katër projekte të kategorisë mallra dhe shërbime. Një është për shërbime grafike, një ka të bërë më Shtruarja e rrugëve me zhavorr, Ndërtimi i objektit të ri të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Ferizaj, Fizibiliteti për krijimin e parkut – sheshit në oborrin e shkollës Gjon Serreçi duke i trajtuar gjithashtu edhe ndërtimin e parkingjeve nëntokësore”, ka bërë të ditur për KALLXO.com Asmir Azemi, U.D i Udhëheqës i Zyrës së Prokurimit në këtë komunë.

Bordi i ri i gjykatës së tenderëve pritet që tek në muajin shtator të mund të votohet nga ana e Kuvendit të Kosovës. Nga ana e shoqërisë civile shprehin shqetësimin se mund të përsëritet një situatë e njëjtë sikurse në vitin 2014, kur bordi i ri nuk i kishte trajtuar ankesat.

“Një situatë e tillë ka ndodhur në vitin 2014 ku edhe në atë kohë nuk janë shqyrtuar ankesat dhe kur ka ardhë bordi i ri me një vendim, konkluzion kanë vendosur që të gjitha ankesat nuk i shqyrtojnë me arsyen se ka kaluar afati ligjor”, tha për KALLXO.com Agon Hysaj nga organizata “Democracy Plus”, e cila merret me monitorimin e proceseve të prokurimit.

Hysaj shtoi se kjo situatë mund të përsëritet edhe këtë vit.

“Mund të ndodhë dhe pritet që kjo situatë e njëjtë qysh ka kaluar në të kaluarën me ndodhë tash për arsye se disa komuna kanë nënshkruar kontrata pa e pritë fare OShP-në duke u bazuar në Ligjin për Procedurë të Përgjithshme Administrative, e disa tjera që janë në pritje, ankesat e tyre janë vonuar shumë mu shqyrtu”, tha më tej Hysaj për KALLXO.com.

Agon Hysaj nga D+ theksoi po ashtu se kjo gjë pritet të rregullohet me ligjin e ri të Prokurimit Publik.

“Në draft ligjin e ri të prokurimit publ9ik është propozuar që mos mi skadu bordit mandati të OShP që edhe kur i skadon me vazhdu punën deri sa të zgjedhet bordi i ri”, tha ai më tëj.

Në fund Hysaj po ashtu tha se pret që bordi të funksionalizohet tek në muajin tetor.

“Numri i ankesave është rritur shumë për mbi 300 janë në pritje, ndërsa Kuvendi më 12 gusht e ka themeluar Komisionin që do të intervistojë kandidatët sepse deri në shtator është në pushim dhe besoj se nëse e kryjnë punën shpejt, ka fillimi i tetorit ndoshta mund të votohet bordi në Kuvend”, thotë ai.

Gjatë vitit 2020, Organi Shqyrtues i Prokurimit gjithsej i ka shqyrtuar 1,184 ankesa të parashtruar nga operatorët ekonomikë kundrejt vendimeve të autoriteteve kontraktuese lidhur me aktivtetet tenderuese. Prej tyre, Paneli Shqyrtues u ka dhënë të drejtë bizneseve në 668 raste: në rivlerësimin janë kthy 605 raste, ndërsa 63 raste janë kthy në ritenderim.