Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Gjykata Kushtetuese - Shkarkimi i Kimete Gashit nga Bordi i OSHP-së antikushtetues

 

Gjykata Kushtetuese ka nxjerrë vendim lidhur me kërkesën e deputetëve të LDK-së për vlerësim të kushtetutshmërisë së vendimit të Kuvendit të Kosovës për shkarkimin e anëtares së Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit, Kimete Gashi.

Vendimi i Kuvendit, sipas kushtetueses, nuk është në përputhje me paragrafin 9 të nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit] dhe paragrafin 1 të nenit 142 [Agjencitë e Pavarura] të Kushtetutës.

Vendimin e Kuvendit për shkarkim, partitë opozitare e kishin dërguar për vlerësim të ligjshmërisë në Gjykatën Kushtetuese, me arsyetimin se shkarkimi i Gashit ishte antiligjor.

Shkarkimi i Kimete Gashit ishte bërë nga Kuvendi i Kosovës më 13 korrik 2023 , me propozim të Qeverisë së Kosovës, lidhur me tenderin e Ministrisë së Shëndetësisë për insulina.

Ndryshe, në Komisionin për Buxhet nuk kishte kaluar rekomandimi që Kimete Gashi të shkarkohet nga pozita e anëtares së bordit të OSHP-së.

Më 10 maj 2023, Qeveria e Kosovës i kishte propozuar Kuvendit të Kosovës shkarkimin e Gashit për shkak të tenderit të Ministrisë së Shëndetësisë për insulina.

“Në rastin KO157/23, Gjykata ka vendosur, njëzëri, që (i) të deklarojë kërkesën të pranueshme; dhe (ii) me tetë (8) vota për dhe një (1) kundër, që Vendimi [nr.08-V-583] i 13 korrikut 2023 i Kuvendit të Republikës së Kosovës për shkarkimin e anëtares së Bordit të OSHP-së, nuk është në përputhshmëri me paragrafin 9 të nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit] dhe paragrafin 1 të nenit 142 [Agjencitë e Pavarura] të Kushtetutës”- thuhet në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.

Në aktgjykim thuhet se “me ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për Prokurimin Publik të marsit të vitit 2016, përjashtimisht, është përcaktuar edhe mundësia që Qeveria t’i propozojë Kuvendit shkarkimin e kryetarit apo një anëtari të OSHP-së, “nëse ai/ajo vepron në kundërshtim me etikën profesionale që ndërlidhet me detyrat e tij/saj”, bazë mbi të cilën ka rezultuar shkarkimi i anëtares së OSHP-së në rrethanat e rastit konkret”.

Por, sipas njoftimit, as Qeveria e Kosovës dhe as Kuvendi nuk kanë dhënë arsyetim se Kimete Gashi e ka cenuar etikën profesionale.

“Megjithatë, bazuar në sqarimet e dhëna në Aktgjykim, as Qeveria dhe as Kuvendi nuk kanë dhënë asnjë arsyetim lidhur me cenimin e pretenduar të “etikës profesionale” të anëtares së OSHP-së, bazë kjo mbi të cilën ishte bërë propozimi dhe shkarkimi i saj. Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere i Kuvendit i kishte rekomanduar këtij të fundit të mos e miratojë propozimin e Qeverisë për shkarkim. Për më tepër, Gjykata Themelore dhe ajo e Apelit, kishin hedhur si të palejuar padinë dhe ankesën e Ministrisë së Shëndetësisë për anulimin e Vendimit të OSHP-së. Në fakt, bazuar në rrethanat e rastit, rezulton që anëtarja e OSHP-së është shkarkuar për vendimmarrjen e saj lidhur me nxjerrjen e Vendimit të OSHP-së për anulimin dhe kthimin në rivlerësim të Njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë për anulimin e aktivitetit përkatës të prokurimit”- thuhet në njoftim.

Për shkarkimin e Gashit kishte reaguar edhe organizata e shoqërisë civile, Organizata ‘Demokraci Plus’ (D+).

Ata më datë 22.11.2023 kishin publikuar një analizë bashkë me rekomandime në lidhje me procedurat e shkarkimit të anëtarëve të agjencive të pavarura.

“Procedura e shkarkimit të anëtares së OShP-së është e pazakontë ngase as Ligji Sektorial (LPP) e as ligji për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore dhe agjencive të pavarura (LOFAShAP) nuk parashohin një procedure të tillë” – kishte thënë Dardan Gashi nga D+.