Foto: Kallxo.com

Sistemi shëndetësor "me mungesë të kushteve esenciale higjienike"

Gjatë debatit televiziv të BIRN në ‘Jeta ne Kosove’ gjatë ditës së enjte, profesionistët shëndetësorë iu përgjigjën kritikave që kanë të bëjnë me dështimin për të siguruar disponueshmërinë e kushteve esenciale siç janë sapuni dhe banjot e pastra në ambientet e kujdesit shëndetësor, ndërkohë që shqetësimet për përhapjen e coronavirusit janë në rritje e sipër.

 

Një hulumtim nga BIRN i publikuar të enjten ka vënë në pah mungesën e sapunit dhe banjove të pastra në institucionet e shëndetit publik në krejt Kosovën, përfshirë edhe fakultetet e Universitetit të Prishtinës.

Si pjesë e hetimit, xhirimet u zhvilluan në spitalet kryesore, ku pacientëve iu referohen nëse dyshohen për coronavirus: Qendra Klinike Universitare e Kosovës, pjesë e sistemit shëndetësor të Kosovës, dhe spitali i Mitrovicës së Veriut, i cili funksionon si pjesë e Sistemi shëndetësor serb. Të dy kanë një gjë të përbashkët: atyre u mungon sapuni dhe letra higjienike nëpër tualete.

BIRN gjithashtu dërgoi kamera në qendrat shëndetësore në Pejë, Gjakovë, Gjilan, Graçanicë, Prizren, Ferizaj dhe Mitrovicë, duke zbuluar se të gjitha tualetet kishin ose mungesë sapuni ose letër higjienike. E njëjta situatë shfaqej edhe në tualetet e tri fakulteteve në Universitetin e Prishtinës, që konsiderohen si fakultetet me ndjekshmërinë më të madhe në universitetin publik në Kosovë.

Gjatë një debati në programin televiziv BIRN ‘Jeta ne Kosove’, zyrtarë nga sektori i shëndetit publik u përgjigjën në pretendimet se probleme të tilla bazike mund të sinjalizojnë që sektori shëndetësor i Kosovës është i pajisur për të siguruar pacientëve një kujdes të duhur shëndetësor, veçanërisht nëse vendi përjeton një shpërthim të virusit Covid-19 i njohur ndryshe edhe si coronavirusi.

“Personeli ynë është i trajnuar dhe ne kemi plane emergjente në rast të një shpërthimi të këtij virusi,” deklaroi Naim Bardiqi, sekretar i Ministrisë së Shëndetësisë.

Bardiqi pranoi se aktualisht ekzistojnë disa probleme sa i përket furnizimit të pajisjeve në spitalet e Kosovës, pasi buxheti qeveritar nuk është miratuar akoma nga Kuvendi i Kosovës.

Sipas Bardiqit, “Inspektorati Shëndetësor është në terren për të monitoruar institucionet shëndetësore për të identifikuar nëse ka shkelje [të kodit shëndetësor]” Tutje, ai shtoi se “ne jemi të kufizuar në blerjet që mund të bëjmë sepse Ligji për Buxhetin nuk është dakorduar.”

Valbon Krasniqi, mjek në Klinikën e Sëmundjeve Infektive, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, QKUK, ku bëhet ekzaminimi i personave të dyshuar që kanë rënë në kontakt me coronavirusin, mohon se ka probleme që lidhen me higjienën dhe mungesën e sapunit në klinikën e tij.

“Niveli higjienik është shumë i lartë në Klinikën e Sëmundjeve Infektive,” deklaroi Krasniqi. “Ne kemi zona sanitare ku mund të gjeni sapun dhe detergjent. Ka ndonjë ditë kur jemi në mungesë mirëpo i gjithë personeli që hyn dhe del në klinikë gjithmonë mund të dezinfektojnë duart e tyre. Ne kemi uniforma, maska, gota dhe veshje të tjera mbrojtëse të cilat personeli ynë i ka veshur tash dy ose tre javë. ”

 

Krasniqi adresoi gjithashtu shqetësime nëse Klinika e tij është e gatshme të trajtojë një epidemi pas rritjes së numrit të njerëzve të cilët hynë dhe dalin nga IDC për qëllime testimi. Sipas tij, virusi shkaktohet duke u transmetuar prej një personi në tjetrin, përmes kollitjes, teshtitjes dhe duke u futur në sistemin e frymëmarrjes.

Si i tillë, grupet e njerëzve me një sistem imunitar të dëmtuar janë në rrezikun më të lartë të zhvillimit të sëmundjes COVID-19 nëse bien në kontakt me dikë i cili paraprakisht ka rënë në kontakt me coronavirusin.

“Ne e kemi vënë në dispozicion një dhomë të veçantë për njerëzit që dyshohet se kanë kontraktuar coronavirusin,” tha Valbon Krasniqi. “Në të gjitha rastet kur një person ka ethe të mëdha, kollitje dhe simptoma të tjera të gripit dhe ka ardhur nga vendet ku janë konfirmuar raste të coronavirusit, ata izolohen në këto dhoma speciale dhe pastaj merren mostrat prej tyre.”

I pyetur nëse ekziston ndonjë protokoll aktual nëse rast të shfaqjes së ndonjë rasti të konfirmuar në Kosovë, Valbon Krasniqi theksoi se ka një plan të qartë.

“Nëse dikush testohet pozitivisht, trajtimi i tyre do të vazhdojë në klinikë, dhe ne do të bëjmë kërkesë për të testuar këdo që ka rënë në kontakt me këtë person. Për momentin, ne kemi vetëm një repart në gatishmëri me një kapacitet të përgjithshëm prej 130 shtretërve,” tha ai, duke shtuar se nëse ky numër i rasteve tejkalohet, atëherë ata nuk do të përballen më probleme për të gjetur më shumë shtretër.

Publiku ngre shqetësime në lidhje me kualitetin e kujdesit shëndetësor 

Gjatë debatit, pjesëtarë nga audienca kishin kritika në drejtim të institucioneve shëndetësore në tërë Kosovën për shkak të dështimit për të trajtuar pacientët me dinjitet dhe profesionalizëm, duke i detyruar disa prej tyre që të kërkojnë trajtim jashtë vendit. “Së fundmi, familjarët e mi kishin nevojë të përdorin shërbime të kujdesit shëndetësor, dhe më thanë se ata nuk trajtoheshin si qenie njerëzore,” thotë Sali Likovci, banor që jeton në Mitrovicë.

Dejan Gjorgjeviq, një tjetër banor i Mitrovicës, ka mëdyshje se shumë vende të rajonit janë të gatshme t’i përgjigjen një shpërthimi të coronavirusit. “Për sa i përket shërbimeve shëndetësore, as Kosova as Serbia e as Shqipëria nuk janë të gatshme të merren me coronavirusin,” tha ai.

Enver Rexha, një burrë në të shtatëdhjetat e tij, tha se është i zhgënjyer që “edhe për gjëra të thjeshta,  të tilla si kapsllëku, mua më duhej të bëja trajtimin në Shkup, sepse ata më thanë që këtu nuk mund të më bëjnë zgjidhje”.

Shqipe Gjocaj, një hulumtuese që ka hetuar çështjen e vdekjeve të nënave në spitalet e Kosovës, gjatë këtij debati deklaroi se secili shqetësim në lidhje me reagimin e institucioneve të Kosovës ndaj përhapjes së coronavirusit do të duhej të ishte më pak e rëndësishëm në krahasim me shqetësimet për paaftësinë e përgjithshme të sektorit shëndetësor për të siguruar pacientët me pajisje esenciale për të gjithë.

“Ajo që kam gjetur gjatë hulumtimit tim ka të bëjë me faktin se në dhomat e lindjes, infermierët kanë rekomanduar që gratë të sjellin me vete gjësendet e tyre themelore, sikurse ujin dhe çarçafët e tyre,” tha ajo. “Kjo përben shkelje të të drejtave të pacientëve, veçanërisht të pacienteve gra. është diçka shumë zakonshme që të ketë mungesa të kushteve më  themelore, të tilla si banjot.”

 

Sipas Gjocajt, kultura rreth raporteve mjek-pacient në Kosovë duhet të ndryshojë përpara se respektimi i të drejtave të pacientëve të mund të përmirësohet.

“Mjekët gëzojnë një status dhe reputacion të besueshëm në Kosovë, dhe kjo kulturë e epërsisë duhet të demaskohet,” tha ajo, duke shtuar se ka mungesë të përgjegjësisë në Kosovë kur bëhet fjalë për sjellje profesionale. “Të drejtat e pacientëve shkojnë paralelisht me të drejtat e njeriut, dhe mjekët duhet të mësojnë të respektojnë parimet e barazisë dhe dinjitetit.”

Koordinim i pamjaftueshëm ndërmjet institucioneve shëndetësore

Isme Humolli nga zyra kosovare e OBSH i cili është përgjigjur në pyetjen e bërë nga audienca tha se një nga shqetësimet kryesore që agjensitë e Kombeve të Bashkuara e kanë për momentin është mungesa e komunikimit dhe koordinimit midis zonave qendrore dhe lokale të sistemit shëndetësor të Kosovës, veçanërisht në zonat me shumicë serbe.

“Komunikimi ynë kryesor ka qenë me Ministrinë dhe Institutin e Shëndetit Publik, dhe kjo duhet të ngrihet në një nivel më të lartë,” tha Humolli, duke sqaruar se gjatë shfaqjes së sëmundjes së fruthit në vitin 2017, komunikimi midis institucioneve qendrore, OBSH dhe institucioneve paralele në zonat me shumicë serbe në Kosovë ishte pothuajse zero.

Srgjan Kostiq, zëvendësdrejtor i klinikës së kujdesit shëndetësor në Shtërpcë që operon nën sistemin e kujdesit shëndetësor të Serbisë, pranoi se nuk ka ndonjë raportim të ndërsjellë midis institucionit të tij dhe Ministrisë së Shëndetësisë së Kosovës.

Sidoqoftë, sipas Kostiq, kjo mungesë koordinimi nuk duhet të ndikojë në aftësinë e tyre për të reaguar në mënyrë efektive nëse përballen me shfaqjen e ndonjë rasti që rezulton pozitiv në klinikën e tij, përkundër faktit se klinika në Shtërpcë nuk është e gatshme ti trajtojë ata që testohen pozitivisht për coronavirus.

“Ne nuk kemi kushte të mjaftueshme t’i ruajmë ata në mënyrë të sigurt, gjithçka që kemi është një plan, dhe ai plan është që pacientët të jenë nën përcjellje speciale mjekësore në Klinikën e Sëmundjeve Infektive në Mitrovicë,” shpjegoi ai. “Nëse pacienti është shqiptar i Kosovës, ekipi mjekësor do t’i dërgojë atë në Prishtinë.”

Naim Bardiqi nga Ministria e Shëndetësisë pajtohet se ka hapësirë për përmirësime. “Kemi të bëjmë me çështje politike, ne jemi në koordinim të vazhdueshëm, por ky koordinim nuk është më i duhuri kur bëhet fjalë për institucionet e kujdesit shëndetësor në zonat me shumicë serbe,” tha ai.

Barazia e qasjes në kujdesin shëndetësor dhe në informata paraqet shqetësim

Pjesëtarë nga audienca, pjesëmarrës në këtë debat, ngritën shqetësimet e tyre në lidhje me aftësinë e sektorit shëndetësor të Kosovës për t’iu përgjigjur komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptas të Kosovës në zona të tilla si Plemetin dhe Gjakovë ku, sipas banorëve, jetojnë në kushte të mbipopulluara që do të mund ta përkeqësojë një shpërthim të mundshëm të coronavirusit.

Duke iu përgjigjur këtyre shqetësimeve nëse ekzistojnë plane për një reagim në lidhje me këto komunitete në veçanti, dhe nëse ka ekipe mobile që mund të vizitojnë këto zona, Naim Bardiqi deklaroi se Ministria është përqendruar në adresimin e kësaj çështjeje gjatë dymbëdhjetë muajve të fundit.

“Ministria e Shëndetësisë ka realizuar më shumë se 17,000 vizita shtëpiake në krejt Kosovën gjatë vitit 2019,” tha Bardiqi. “Sa i përket qasjes në këto komunitete, ata kanë qasje të barabartë në institucionet e kujdesit shëndetësor në Kosovë. Ne kemi zhvilluar takime me komunat në këtë drejtim dhe kemi investuar rreth 50,000 euro çdo vit për pajisje në këto komuna. Sidoqoftë, ne kemi pasur disa çështje që kanë të bëjnë me komunitetin rom sepse lëvizjet e tyre e vështirësojnë mbajtjen nën kontroll të këtij problemi.”

Isme Humolli nga OBSH theksoi se të gjitha materialet e shpërndara nga organizata janë vënë në dispozicion në të gjitha gjuhët. “OBSH ka përkthyer të gjitha materialet e saj në lidhje me coronavirusin në gjuhën rome, dhe këto materiale janë shpërndarë në të gjitha institucionet e kujdesit shëndetësor të Kosovës.”

 

Mbi tridhjetë anëtarë të publikut nga komuniteti shqiptar, serb, boshnjak dhe rom morën pjesë në këtë debat, duke parashtruar komentet dhe pyetjet e tyre përmes video-transmetimit ose ndërsa ishin të pranishëm në forumin publik. Kjo seri debatesh është mbështetur dhe financuar nga UNMIK.