Kryesia e LDK-së - 19 korrik 2019, Foto: LDK - Facebook

Sfida demokratike e kuvendit zgjedhor të LDK-së

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) të shtunën e 3 gushtit do të mbajë kuvendin e nëntë zgjedhor, ku priten të zgjedhen strukturat e reja udhëheqëse të partisë.

Zyrtarë të këtij subjekti politik kanë bërë të ditur se kuvendi do të mbledh 355 delegatë, ndërsa kandidaturat për kryetar të partisë do të bëhen publike vetëm të shtunën e kësaj jave.

Në mediat vendore tashmë janë përmendur disa emra potencial për ta marr drejtimin e LDK-së, si  kryetari aktual Isa Mustafa, Agim Veliu, Vjosa Osmani apo Lutfi Haziri, si dhe të tjerë zyrtarë, që haptazi kanë shprehur dëshirën për ta udhëhequr partinë, siç është ish-kryetari i këtij subjekti politik, Fatmir Sejdiu.

Ndërkaq, për njohës të çështjeve politike në vend, praktikat e deritanishme në proceset zgjedhore brenda partisë nuk kanë qenë demokratike, përderisa shpresohet për unitet dhe unifikim të qëndrimeve.

Ndërkohë të martën është mbledhur kryesia e kësaj partie, ku ndër të tjerash është diskutuar edhe për një kandidat konsensual për kryetar të LDK-së, para mbajtjes së konventës zgjedhore, por nuk janë dhënë detaje të tjera.

Kurse, kryetari aktual Isa Mustafa ka folur për rëndësinë e 3 gushtit për subjektin e tij politik, si dhe ka kritikuar zërat që sipas tij, as nuk e kanë uruar mbarëvajtjen e këtij procesi.

“Kam pritur dhe pres që edhe kundërshtarët tanë politik të na urojnë punë të mbarë. Nuk i marr serioz as të pjekur ata që na dëshirojnë karrige. Sepse gabojnë. Ulin nivelin e tyre. Në një konkurrencë shumëpartiake ne duhet ta mundim njëri-tjetrin me vota të qytetarëve, me asgjë tjetër. I marr të prapambetur për nga koha edhe ata që flasin për klika brenda LDK-së. Të tillët kanë rrëshqitur diku në pellgun e fjalorit dhe mendësisë që nuk është e LDK-së”, ka shkruar Mustafa në rrjetin social Facebook.

Kurse, zëdhënësi i LDK-së Besian Mustafa, ka thënë për Gazetën Jeta në Kosovë, se pothuajse të gjitha përgatitjet teknike dhe administrative kanë përfunduar, si dhe me 3 gusht janë të gatshëm për mbajtjen e kuvendit zgjedhor.

“Konform statutit të LDK-së, të gjitha kandidaturat zyrtarizohen, pra shpallen në Kuvendin Zgjedhor pra me 3 gusht. Aty janë prezent 355 delegatë, gjithsecili e ka të drejtën ta nominojë dikë ose të nominohet. Që të gjithë  e kanë mundësinë, pa përjashtim me ta votuar dikë ose të votohen për kryetar. Por të gjitha shpalosen me 3 gusht”, ka theksuar ai.

Mustafa ka shtuar se mekanizmat e partisë do të zgjidhen nga unifikimi që sipas tij, e ka përcjell procesin e brendshëm zgjedhor.

“LDK-ja veç është e unifikuar në atë kuptim. Natyrisht që vetëm në mënyrë të unifikuar prodhohen edhe mekanizmat e reja të partisë, qoftë kryetari, kryesia, këshilli i përgjithshëm. Edhe kuvendi zgjedhor është rezultat i unifikimit nëpër 38 degë, pra krejt ky proces është rezultat i bashkimit të forcave, ideve, vizioneve nga niveli i nëndegëve deri tash”, thotë më tej zëdhënësi i partisë.

Në anën tjetër, politologu Ramush Tahiri, thotë për Gazetën Jeta në Kosovë se shpreson që të tregohet unitet në kuvendin zgjedhor të LDK-së si parti institucionaliste, ndonëse vlerëson se këto procese nuk është se janë treguar fort demokratike.

“Procedurat në LDK për zgjedhje, sidomos për kryetarin dhe kryesinë, për mendimin tim unë flas si politolog, nuk janë demokratike. Nuk ka një garë e cila fillon që nga degët e që shkon lart dhe nuk ka program të shpalosur të kandidatëve as edhe në Kuvend. Se a do të ketë sukses apo jo varet edhe prej punës së kryesisë që duhet ti caktojë rregullat e procedimit në kuvend”, vlerëson Tahiri.

Sa i përket zgjedhjes së udhëheqësit të ri të partisë, analisti politik thotë se më demokratike do të ishte që në garë të jenë 3 kandidatë.

“Kjo sepse shtensionohet gara ndërmjet dyve dhe ai që merr më shumë vota zgjidhet kryetar”, shprehet ai.

Tahiri ndër të tjerash, shton se kuvendi zgjedhor i LDK-së, ka ndikim edhe në gjendjen aktuale politike pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj, ku pritet të ketë edhe zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare.

“Nëse një grup mbetet i pakënaqur me kandidatin, tash që janë zgjedhjet afër, këto shprehen në koalicione jo parimore dhe në dalje e mos dalje në votim. LDK-ja nuk ka tash shumë kohë për reformim sepse është afruar 3 gushti, janë afruar edhe zgjedhjet”, shtoi ai.

Kurse, zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa shprehet optimist për efektin e mekanizmave të reja të partisë, në prag të zgjedhjeve nacionale.

“Çfarëdo orientimi që merr partia dhe siç ka qenë edhe 30 vitet e fundit, LDK-ja gjithmonë e ka përcaktuar orientimin politik të Kosovës, tash që i kemi edhe zgjedhjet e përgjithshme në prag kjo do të ketë një efekt goxha të madh, por natyrisht edhe goxha pozitiv, formimi i mekanizmave të rinj të LDK-së, gjithmonë do t’i jap një orientim pozitiv politik gjithë Kosovës”, theksoi ai për Gazetën JnK.

Por analisti politik, Tahiri vlerëson se LDK-ja ka pësuar një ‘shkundje’ në dy vitet e fundit sa ka qenë në opozitë.

“Mandati i fundit tash dy vjet që mbeti në opozitë, duket se e ka shkundur LDK-në dhe nuk ka arritur ta marr veten sepse kur po ballafaqohet me realitetin ajo po thirret në të kaluarën e lavdishme të presidentit Rugova, në traditat rugoviane”, thotë ai.

Sipas Tahirit, përçarjet në LDK pas vdekjes së ish-presidentit Ibrahim Rugova, ndikuan që ky subjekt politik të mos e ketë më ndikimin që kishte dikur në elektorat dhe skenën politike të Kosovës.