LDK komenton projektligjin për buxhetin: Në asnjë ministri nuk zgjidhet asnjë problem i vetëm
Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa ka kritikuar ndarjen e buxhetit për vitin 2023.
Mustafa ka thënë se me këtë buxhet, tek ministritë nuk ka zgjidhje të problemeve, duke shtuar se është bërë një ndarje që siç e quajti ai, anemike tek dikasteret e qeverisë së Kosovës.
“Asnjë cent i vetëm për rritjen e kapaciteteve gjeneruese të energjisë elektrike e Kosova ndodhet në një krizë energjetike. Tek shëndetësia, përveç që nuk kemi ministër, kemi tre ministra që e qeverisin që një vit e gjysme, nuk ka asnjë cent të dedikuar për reformimin dhe organizimin e këtij sektori vital. Fondi për sigurime shëndetësore në vitin 2023 ka buxhetin e njëjtë si në 2022, nuk ka avancime”- janë disa nga çështjet që ka përmendur deputeti.
Për fushën e arsimit, Mustafa ka thënë se ka shkurtime të vendeve të punës dhe sipas tij në vitin pasues do të ketë më pak mësues.
Sa i përket mjedisit, deputeti tha se nuk është bërë asnjë zgjidhje për rehabilitimin e shtretërve të lumenjve.
“Tek mjedisi kemi vetëm 6.8 milionë euro buxhet që është i mirë, por asnjë cent për master planin për ujitjen e tokave bujqësore, asnjë zgjidhje për rehabilitimin e shtretërve të lumenjve, asnjë zgjidhje për rezervat e ujit të pijes nuk parashihet në 2023. Tek infrastruktura, gati asnjë projekt i ri për vitin 2023, janë vazhdime të investimeve të vitit 2022” – ka shtuar ai.
Ndërkaq për fushën e drejtësisë, deputeti Mustafa tha se nuk ka parë diçka substanciale.
Më pas, ai ka kërkuar nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje që këtë projektligj të ja kthejnë Ministrit të Financave, Hekuran Murati.
Kuvendi i Kosovës është duke e shqyrtuar sot në parim projektligjin pet ndarjet buxhetore për buxhetin e Kosovës për vitin 2023.
Buxheti i Kosovës për vitin 2023 i cili do jetë 3,2 miliardë euro, u miratua në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës e cila u mbajt në tetor të këtij viti.
Kryeministri Kurti kishte njoftuar se e të hyrat buxhetore presin që të ketë rritje prej 2 miliardë e 884 milionë euro.
“Kemi ndarë 745 milionë euro në paga dhe mëditje, 496 milionë euro në kategorinë mallra dhe shpenzime, 1 miliard e 98 milionë në subvencione dhe 811 milionë euro në shpenzime kapitale”- kishte thënë Kurti.
Ndërkaq, ministri i Financave Hekuran Murati pati thënë se ky projekt buxhet ka tre objektiva dhe pret rrije ekonomike deri në 5.5%.