Mustafa: Për të vendosur çmime, ministrja Hajdari do të duhej të ishte 'supervashë’

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, (LDK), Besian Mustafa e ka kritikuar ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, se po tenton të përcaktojë sasi konsumi e çmim të produkteve.

Për të bërë këtë, sipas deputetit ministrja Hajdari do të duhej të ishte një  ‘supervashë ekonomike’.

Mustafa ka thënë se prodhuesit tregtarët e konsumatorët vendosin se çka prodhojnë shesin e konsmujojnë dhe me çfarë çmimi dhe se sipas tij, ministrja Hajdari po tenton të argumentojë të kundërtën.

“Prodhuesit, tregtarët e konsumatorët vendosin se çka prodhojnë shesin e konsumojnë dhe me çfarë çmimi. Të tentohet të argumentohet e kundërta, që mund të vendosë ministrja se sa duhet konsumuar në çfarë niveli, e çmimi do të duhet të ishte një qenie mbinjerëzore pra një ‘supermen’ ose në rastin e ministres një ‘supervashë’”- u shpreh Mustafa.

“Në Kosovë nuk ka ‘supermen’ nuk ka qenie mbinjerëzore nuk ka ‘supervasha ekonomike’. Ka 2 milionë banorë, konsumatorë, prodhues dhe tregtarë apo pjesëmarrës në treg”- shtoi ai.

Mustafa tha se ministrja për dy vite e ka rritur importin nga Serbia dhe sipas tij e ka ulur atë nga Shqipëria.

Kurse, ministrja Rozeta Hajdari tha se po mundohet të formalizojë tregun.

“Ministrja e Tregtisë po mundohet të formalizojë tregun të cilin e kam trashëguar me shumë informalitet në ministrinë që e drejtoj, duke filluar nga tregu i naftës, tregu i duhanit e shumë produkte të tjera që nuk kanë asnjë ndërmarrje nga ish-ministrat që kanë udhëheqë për tri katër vitet e fundit, për të ndërhyrë për formalizim në treg”- ishte përgjigja e ministres.

“Supozojmë që ministrja mund të jetë një ‘supervashë ekonomike’ e cila do të përcaktojë çdo sasi e çdo produkt e çmim që do të tregtohet në tregun kosovar, por çka ka arritur deri sot ministrja në këto dy vitet e fundit, më shumë se të shumëfishojë importin nga Serbia e ta ulë atë nga Shqipëria”- tha deputeti Mustafa.

Deputetët e Kuvendit po diskutojnë për projektligjin për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg.

Qëllimi i kësaj nisme legjislative është që të rregullojë masat mbrojtëse të furnizimit me produkte themelore për konsumatorët, në kohë të paraqitjes së rasteve të veçanta të destabilizimit në treg në pajtim me këtë ligji dhe mënyrën e zbatimit të tyre.