Hidrocentrali në Drinin e Bardhë, banorët shprehin shqetësimet në dëgjimin publik

Kompania ‘EcoDri’, e cila po planifikon të ndërtojë një hidrocentral të llojit digë në grykën e lumit Drini i Bardhë, ka nxitur reagimin e banorëve të fshatrave Dobrushtë, Shkozë dhe Vërmicë të Prizrenit. Ata duan të dinë përfitimin e tyre nga ky projekt.

Në dëgjimin publik që u mbajt të enjten, krahas shqetësimeve të banorëve edhe aktivistët mjedisorë kritikuan raportin e prezantuar nga ana e kompanisë ‘EcoDri’ duke e cilësuar shkatërrues për natyrën.

Sipas raportit të prezantuar nga kompania, hidrocentrali në lokalitetet e fshatrave të komunës së Prizrenit nuk ka ndikim në ndryshimin e regjimit të rrjedhës së lumit Drini i Bardhë. “Nuk e kanos në asnjë mënyrë ambientin natyror dhe është projekt ekologjikisht i pranueshëm”, thanë nga kompania.

Përfaqësuesi i fshatit Vërmicë, Bujar Pulaj, tha se ndërtimi i kësaj dige do të bllokojë zhvillimin e turizmit në këtë fshat.

“Këtë liqen kemi mendu me e bë turizmin, edhe atë po na e ndalni. Qikjo digë e ndalon zhvillimin e turizmit, na nuk përfitojmë si komunitet, veç varrosje e vendit, nuk ka mundësi me dal me barkë me u shëtit në liqen”, tha Pulaj.

Esat Gutaj, përfaqësues i fshatit Dobrushtë, theksoi se banorët janë të shqetësuar për vetë faktin se nuk po informohen se cilat janë benefitet nga ky projekt.

“Fshatarët kanë të drejtë me u shqetësu se janë të zhgënjyer që nga sistemi jugosllav. Duhet me i bind qytetarët se cilat janë të mirat e saj, kah ka me kalu qajo rrugë. E para është shpronësimet, duhet me dalë cilat prona kanë me u shpronësu, e sa kanë me kushtu”, tha ai.

Dëgjimi publik në fshatin Dobrushtë – Foto: KALLXO.com

Rufat Saramati, banor i fshatit Dobrushtë, tha se nuk do të japë tokën për ndërtimin e këtij projekti “pa u bërë kurban”.

“Jam pronari i parë i pronës që po e shoh planin, 40 ari me vëllezër i kemi qaty, unë jam i pari që vendosi nga ana jeme, këtu pa u sqaru mirë qiky plan çka po punohet, gjana të fshehta që po punohen brenda natës, i kemi kuptu krejt në Kosovë. Pa ardhë kryesuesi me sqaru, qysh e tek, detajet qysh do të bëhet, unë me tre vëllezërit pa më ba kurban qaty, nuk ndreqet gjë”, u shpreh Saramati.

Lidhur me pretendimet e banorëve se kjo digë do t’i bllokojë ata, investitori Ylber Shamolli tha se nuk do të investojë në atë mënyrë.

“Unë nuk investoj në një zonë ku nuk ka përfitime. Nëse ju bllokon juve, unë nuk investoj”, tha ai.

Ndërkaq, aktivisti mjedisor, Ardian Ndrecaj, kërkoi të dijë nga zyrtari i Ministrisë së Ambientit, Naim Alidema (ky i fundit ishte i kyçur virtualisht), nëse kanë shpallur konkurs publik apo me leje ujore, teksa paralajmëroi se do ta dërgojë rastin në gjykatë.

Kurse, kandidatja për deputete nga Lëvizja e Vetëvendosje, Fitore Pacolli kërkoi nga banorët që të organizohen në mbrojtje të lumit të tyre, duke marrë shembull banorët e fshatit Biti të Shtërpcës.

“Mesazhi im është organizohuni, mbrojeni vendin e juaj deri kur të vendoset qeveria e re në funksion dhe atëherë kemi fakte se çka përfitoni dhe humbni si komunitet, sepse çdo gjë çka është prezantuar ju kanë rrejtë, ju kanë mashtru. Kanë thënë ka përfitime, nuk ka pasur përfitime banorët. Ndërtohet diga, ndalet uji, nuk ka as faunë e asgjë, dëmtohet gjithçka si turizmi si çdo gjë. Organizohu dhe mos lejoni me u ndërtu, ashtu siç për 5-6 vite kanë luftu banorët e Shtërpcës”, u shpreh Pacolli.

Kompania ‘EcoDrini Sh.P.K’ ka aplikuar në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë për autorizim të ndërtimit të hidrocentralit në Drinin e Bardhë në vitin 2019. Hidrocentrali do të ketë një fuqi të instaluar 9.65 megavatë dhe prodhimi vjetor 39.0 gigavatë.

Diga me lartësi 13 metra po planifikohet të ndërtohet në pjesën e ngushtë të lumit, rreth 300m para hyrjes në luginën e Vermicës dhe rreth 600 m larg rrugës së fshatit Dobrushë.

Ndërtimi parashikohet të bëhet në pjesën fundore të lumit Drini i Bardhë, rreth 4.5 kilometra para se ai të futet në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Hidrocentrali “EcoDri” planifikohet të realizohet në profilin lumor të lumit Drini i Bardhë me kuotë natyrale të ujë rrjedhës prej 277.5 lartësi mbidetare.

Në raportin e sotëm të prezantuar u tha se dokumentacioni i hartuar është në përputhshmëri të plotë me kushtet tekniko-ligjore të statusit të zonës së liqenit të Fierezës (Shqipëri), pasi zgjidhja e HC-EcoDri nuk tejkalon kuotën e përcaktuar të përmbytjes së liqenit të Fierzës prej 297 m.

Projekti parashikon që jo vetëm në këtë rast, por, derisa niveli i liqeni të zbresë në 292 m hidrocentrali nuk do të prodhojë energji.

Vlera financiare e investimeve do të jetë 17,000,000 – 18,000,000 euro.

KALLXO.com ka transmetuar drejtpërdrejt dëgjimin publik që u mbajt të enjten në fshatin Dobrushtë të Prizrenit.

 

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.