“Marshi” i kërkesave të veteranëve për përfshirje në Ligjin për pagën minimale

Për më shumë se një vit, organizatat e dala nga lufta e fundit në Kosovë po bëjnë përpjekje për përfshirjen e veteranëve në Ligjin për pagën minimale, i cili javën e kaluar u miratua në Kuvendin e Kosovës, me votat e deputetëve të shumicës parlamentare, pa prezencën e opozitës.

Dy ditë pas votimit në Kuvend, veteranët mbajtën një protestë në Prishtinë, gjatë të cilës shprehën pakënaqësinë për vendimin që i lë jashtë ligjit që parasheh rritjen e pagës minimale në 264 euro.

Pas protestave, Faton Klinaku nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së tha se adresa e fundit për ta është presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nga e cila kërkuan të mos e dekretojë Ligji për pagën minimale.

Ndonëse ky Ligj nuk i është dërguar ende presidentes për dekretim, nga Presidenca kanë bërë të ditur për KALLXO.com se janë duke u shqyrtuar shqetësimet dhe kërkesat e adresuara.

Zyra e Presidencës ka thënë se zakonisht Kuvendi nuk i dërgon ligjet pa kaluar afati brenda të cilit i njëjti mund të dërgohet në Kushtetuese.

“Kuvendi i Republikës së Kosovës, zakonisht nuk i sjell ligjet në Presidencë pa kaluar 8 ditë, sepse ky është afati brenda të cilit 10 deputetë mund ta dërgojnë ligjin në Gjykatë Kushtetuese. Janë duke u shqyrtuar të gjitha shqetësimet dhe kërkesat, në përputhje me kompetencat kushtetuese e ligjore të Presidentes”- ka thënë për KALLXO.com, Bekim Kupina, këshilltar për media në Presidencë.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, presidentja ka të drejtën e kthimit për rishqyrtim të ligjeve të miratuara, nëse konsideron se janë të dëmshme për interesat legjitime të Republikës së Kosovës ose të një a më shumë komuniteteve të saj.

Ndërsa thuhet se të drejtën e rikthimit të një ligji mund ta shfrytëzojë vetëm një herë.

Por, Rregullorja e Kuvendit përfshin mundësinë e përmbysjes së këtij vendimi më 61 vota të deputetëve.

“Për ta përmbysur veton e Presidentit nevojiten që së paku 61 deputetë të votojnë për ligjin e miratuar, i cili është kthyer nga Presidenti i Republikës dhe ligji konsiderohet i shpallur. Në rast se Kuvendi nuk e përmbys veton e Presidentit, konsiderohet se nuk ka ligj”- thuhet në Rregullore.

Lidhur me këtë çështje, analisti dhe profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi, në një përgjigje për KALLXO.com ka përmendur Gjykatën Kushtetuese si opsion që mund ta kthejë Ligjin në pikën zero.

“Po themi në mënyrë hipotetike, nëse edhe Presidenca nuk e dekreton, në aspektin ligjor nuk ka shumë vlerë sepse mund te mblidhen prapë 61 deputetë dhe automatikisht zyrtarizohet ligji. Nuk po shoh që ka ndonjë pengesë. Ligji ka mundësi që të shkojë në Gjykatë Kushtetuese dhe kuptohet aty Gjykata nëse gjen shkelje atëherë mund të kthehet në pikën zero”- tha ai.

Ai tha se nuk është krejtësisht faji të kjo Qeveri, por është përgjegjësi e Qeverisë për të gjetur rrugë se si të akomodohen interesat dhe kërkesat e kësaj shtrese.

Arifi konsideron që një dialog i vazhdueshëm do të kishte “shpëtuar” palët nga situata në të cilën gjinden aktualisht.

“Kërkesat e veteranëve janë legjitime, problemi është se shoqëria kosovare, si Qeveria dhe institucionet tjera nuk po janë të gatshme me dëgju kërkesën e veteranëve. Jam i bindur që po të kish pasur komunikim të vazhdueshëm brenda këtij viti nuk do të kishim ardhur në këtë gjendje që ta bëjmë ligjin me shpejtësi, mandej ata të irritohen, të bëjnë protesta”- tha ai për KALLXO.com.

Përveç vetë veteranëve, ky Ligj po kundërshtohet edhe nga opozita, pasi i njëjti nuk e parasheh lidhjen e pagës minimale me pensionin e veteranëve, siç ka qenë në të kaluarën.

Veteranët do të vazhdojnë të marrin pension në vlerë 170 euro, sa është paga minimale momentalisht.

Ky Ligj thekson se ‘deri në kategorizimin përfundimtar të listës së veteranit Qeveria e Kosovës, me propozimin e Ministrisë përgjegjëse për financa, vendos për lartësinë e shumës së pensioneve të përcaktuara me këtë ligj, varësisht nga mundësitë buxhetore, kostoja e jetesës dhe inflacioni eventual’.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të shtunën se mbështet dhënien e sa më shumë përfitimeve për veteranët e luftës së fundit në Kosovë, por që përfitimet, sipas tij, nuk janë pagë.

“Paga është për punë, ndërkaq përfitimet janë mirënjohje e shoqërisë, e cila i jepet veteranit të luftës për luftën çlirimtare, fitimtare, e cila është në burim të shtetësisë, pavarësisë e lirisë sonë”.

Kurti ka thënë se do të angazhohet për ligj të ri për veteranët, por që fillimisht faktet duhet të jenë të sakta.

Më 26 prill të vitit 2022, Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim rastin e njohur si “Veteranët”.

Në akuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, e cila ishte konfirmuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 qershor të vitit 2019, është ngritur dyshimi se për 19.500 persona është dhënë statusi i veteranit në mënyrë të paligjshme.