Nga një seancë e Kuvendit | Foto: KALLXO.com

Kuvendi Miraton Rekomandimet për Rastin e Deportimit të 6 'Gulenistëve'

Në një debat që zgjati më shumë se 6 orë në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës të thirrur nga LDK u miratuan rekomandimet për rastin e deportimit të gjashtë shtetasve turq.

59 deputetë votuan për dhe një abstenoi nga 64 deputetët të cilët ishin të pranishëm në sallën e Kuvendit.

“E para, të formohet komision hetimor për deportimin e gjashtë shtetasve turq më 29 mars. E dyta, brenda tre ditëve grupet parlamentare të dërgojnë në Komision emrat e përfaqësuesve të grupeve të tyre. E treta, Kuvendi obligon të gjitha institucionet që kanë ndërlidhje me rastin t’i përgjigjen komisionit hetimor dhe e katërta, Kuvendi mandaton Komisionin hetimor”, ka lexuar Avdullah Hoti rekomandimet e rezolutës së propozuar nga LDK.

Gjatë debatit që u zhvillua në seancën e sotme, shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, kërkoi nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, që ta bëjë publike një telefonatë të cilën ai tha se kreu i shtetit e ka bërë me homologun e tij turk, Recep Tayyip Erdogan, pas operacionit misterioz të së enjtes në të cilin gjashtë shtetas turq u deportuan në Turqi.

“Duhet ta bëjë transparente telefonatën me Erdoganin pas deportimit”, tha Hoti në seancën e jashtëzakonshme të sotme, të cilën e kërkoi LDK.

Glauk Konjufca, i cili foli në emër të grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, ironizoi sot me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, në deklarimin e tij se nuk ka qenë i informuar për operacionin e arrestimit dhe deportimit të gjashtë shtetasve turq javën e kaluar.

“Ma së shumti jam gëzuar që kryeministri ka televizor në shpi. Mos ta kishte pasur televizorin, edhe sot nuk do ta dinte çka po ndodh në shtetin e vet. Edhe pas kësaj, ai vazhdon ta quajë veten kryeministër”, tha Konjufca në seancë.

Nga ana tjetër deputeti Memli Krasniqi, i cili mori fjalën në emër të grupit parlamentar të PDK-së ka thënë se Kuvendi i Kosovës duhet të jetë i informuar nëse bartësit e institucioneve të Kosovës kanë qenë të informuar dhe kanë konsultuar mes vete për arrestimin dhe dëbimin e gjashtë shtetasve turq.

“A ka pasur një moskomunikim mendoj që duhet të informohemi. Nëse ka informacione konfidenciale që nuk mund të behen publike atëherë të paktën përfaqësuesit institucionalë duhet të jenë të informuar”, tha Krasniqi.

Dardan Molliqaj në emër të Grupit të Pavarur të Deputetëve tha se beteja mes Erdoganit dhe gylenistëve nuk është e Kosovës.

Molliqaj fajësoi Presidentin Thaçi se po e fut Kosovën në këtë betejë.

“Thaçi po e fut Kosovën në një betejë të padrejtë prej perspektivës tonë. Se cilat do të jenë interesat e tij personale do ta kuptojmë më vonë. Thaçi e përdor shtetin e Kosovës në beteja që nuk i takojnë”, tha Molliqaj.

Ai deklaroi më tutje se vetëm Thaçi e ka ditur për arrestimin dhe depërtimin e shtetasve turq.

Në seancën e jashtëzakonshme të thirrur nga LDK foli edhe deputeti i Listës Serbe, Igor Simiq i cili ndërlidhi deportimin e Marko Gjuriqit dhe gjashtë shtetasve turq.

Ai tha se sikur të mos ndodhnin ngjarjet e së hënës në Mitrovicë, nuk do të ndodhte as depërtimi i shtetasve turq.

“Neve nuk na ka rrahur ndonjë grup huliganësh, por policia që paguhet nga buxheti”, tha Simiq.

Ahmet Isufi  në emër të Grupit Parlamentar të AAK-së foli në Kuvendin e Kosovës duke thënë se rasti i  gjashtë shtetasve turq ka tronditur Kosovën për shkak që sipas tij këto veprime kanë qenë antikushtetuese dhe antiligjore.

“Rasti i kidnapimit dhe deportimit të gjashtë shtetasve turq ka tronditur jo vetëm opinionin e Kosovës por edhe më gjerë,  sepse kemi të bëjmë me një veprim antikushtetues dhe antiligjor”, tha Isufi.

Bilall Sherifi në emër të Grupit Parlamentar të Nismës Socialdemokrate ka thënë në foltoren e Kuvendit të Kosovës se njerëzit e institucioneve të Kosovës kanë vepruar në kundërshtim me kushtetutën dhe konventën ndërkombëtare kur kanë rrëmbyer gjashtë shtetasit turq dhe ia kanë dorëzuar Turqisë.

“Tani si asnjëherë më parë u dëshmua se dikush është vënë mbi shtetin dhe aplikon mënyrën autokratike të pushtetit me të vetmin dallim se këtë formë të pushtetit është duke e aplikuar fshehtas në shitjen e lirisë së njerëzve dhe nuk ka guxim të shpallë publikisht ambiciet e veta absolutiste”, theksoi Sherifi.

Për të folur për deportimin e gjashtë shtetasve turq me 29 mars foli edhe Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri.

Ai ka thënë se nga Republika e Turqisë kanë pranuar kërkesa për ekstradimin e shtatë shtetasve turq që kanë jetuar në Kosovë.

Tahiri në seancën e jashtëzakonshme e cila po mbahet për depërtimin e gjashtë shtetasve turq për në Turqi, tha edhe se që nga koha e ardhjes në MD ka nënshkruar 47 kërkesa për ekstradim.

“Nuk kam kompetencë me tregu se a janë zbatu ose jo kompetencat se janë zbatuar apo jo procedurat e parapara me ligj”, tha ai.

Rexhep Selimi, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje në seancën e jashtëzakonshme për deportimin e gjashtë shtetasve turq ka thënë se “ne nuk kemi nevojë të bëhemi as avokatë të Gulenit, e as xhandarë të Erdoganit”.

“Tash dilemat e ditës së parë të rrëmbimit të gjashtë shtetasve turq u hoqën sepse dolën njerëzit të cilët e morën përsipër se kush e ka bërë, kush e ka urdhëruar madje po vazhdojnë të marrin edhe merita. Dhe ata njerëz që e kanë marrë këtë përgjegjësi janë presidenti dhe institucionet përkatëse, në këtë rast AKI dhe Policia e Kosovës”, ka thënë Selimi.

Deputeti më i vjetër i Kuvendit të Kosovës, Adem Mikullovci mori fjalën gjatë seancës së jashtëzakonshme dhe tha se seanca e ditës së sotme po i përngjan një shfaqjeje ku mungojnë personazhet kryesore.

“Pa personazh kryesor nuk ka shfaqje, unë kam pritë që në seancë do të jenë prezent Presidenti, Kryeministri e Kryetari i Kuvendit, ata gjithmonë po mungojnë”, ka thënë Mikullovci.

Deputeti i komunitetit turk Fikrim Damka i ka dalë në mbrojtje arrestimit dhe dëbimit të gjashtë shtetasve turq të cilët javën e kaluar u ekstraduan në Turqi. Ai në fjalimin e tij në Kuvend, ka thënë se këta persona kanë paraqitur rrezik për Kosovën.

“Një pjesë e personave të deportuar nga  Kosova kanë vepruar nën maskën e mësimdhënësit, por në anën tjetër janë marrë me veprime ilegale. Hulumtoni mirë për çka akuzohet mjeku i deportuar, hulumtoni se si ka ndikuar mjeku i deportuar në proceset gjyqësore përmes hartimit të raporteve të rrejshme. Po ashtu kërkoni qarkullimin vjetor prej 60 milionë euro të ashtuquajtur shkollës së ‘Hyzmetit’. Ku derdhen ato mjete, krahasoni ato mjete me buxhetin me MASHT”, tha Damka.

Damka tha se organizata “FETO” është organizatë terroriste, ndërsa kryesuesin e saj Fetullah Gylen e quajti kryekriminel

Deputeti i Grupit të Deputetëve të Pavarur, Faton Topalli i është kundërpërgjigjur deputetit nga komuniteti turk Fikrim Damka i cili sot në seancën e Kuvendit të Kosovës tha se organizata “FETO” së cilës i takonin gjashtë shtetasit turq të ekstraduar në Turqi, është organizatë terroriste.

“Në këtë vazhdë unë do t’i them z. Damka edhe pjesëtarëve tjerë që jetojnë në Kosovë që unë nuk i di çfarë janë veprat e atyre që u deportuan në Turqi. Nuk e di nëse kjo organizatë është apo nuk është terroriste, sepse Qeveria e Kosovës asnjëherë nuk prezantoi asnjë fakt deri më tani lidhur me veprimtarinë e tyre në Kosovë”, tha Topalli.