Ish-ministri i Financave, Avdullah Hoti

Avdullah Hoti: Deportimi, Shenja të Diktaturës ku Sundon Vetëm Një Njeri

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, kërkoi nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, që ta bëjë publike një telefonatë të cilën ai tha se kreu i shtetit e ka bërë me homologun e tij turk, Rexhep Tajip Erdogan, pas operacionit misterioz të së enjtes në të cilin gjashtë shtetas turq u depërtuan në Turqi.

“Duhet ta bëjë transparente telefonatën me Erdoganin pas deportimit”, tha Hoti në seancën e jashtëzakonshme të sotme, të cilën e kërkoi LDK.

Sipas Hotit, deportimi ka treguar shenja të, siç u shpreh ai, diktaturës “ku sundon vetëm një njeri”.

Avdullah Hoti në emër të Grupit Parlamentar të LDK-së në seancën e jashtëzakonshme të thirrur pas mbledhjes së 40 nënshkrimeve për deportimin e gjashtë shtetasve turq ka thënë se sot duhet të merren me skandalin e radhës në vend se të merren me problemet e qytetarëve, varfërinë, zhvillimin ekonomik, pensionet etj.

“Të gjithë u shtangëm nga lajmi se 6 shtetas turq ishin kidnapuar para familjarëve të tyre. I shtangur kishte mbetur edhe kryeministri por jo presidenti. Të deportuarve në Kosovë nuk iu lejua asnjë kontakt me familjarët e tyre dhe me avokatët. Atyre u ishte revokuar leje qëndrimi për shkak se përbënin rrezik kombëtar, po si mund të përbënin rrezik kur ata kanë arsimuar gjenerata të tëra”, ka thënë Hoti.

Avdullah Hoti ka shtuar se shteti i Kosovës ka shkelur nenin 3 dhe pikën 6 të Ligjit për të Huaj.

“Kryeministri ishte mbajtur në terr të plotë. Takimi i krerëve të shtetit për këtë çështje të rëndësishme ndodhi në një restorant. Imazhi i Kosovës si shtet i ri është dëmtuar seriozisht, konventa ndërkombëtare ndalon rreptësisht dëbimin në vende ku rrezikohet jeta e tyre. Mos të harrojmë se qindra e mijëra shqiptarë ishin strehuar në vende të huaja, edhe kryeministri. Po të silleshin shtetet perëndimore si jemi sjellë ne as kryeministri Haradinaj e as shumë liderë nuk do të frymonin fare”, ka theksuar Hoti.

Ai shtoi se kjo ngjarje tregoi se kryeministrin Haradinaj nuk e pyet askush.

“Presidenti Thaçi u deklaruar hapur se e mbështet AKI-në. Është e qartë se presidenti ka tejkaluar kompetencat e tij kushtetuese duke e shkelur kështu Kushtetutën. Me 29 mars krerët e institucionet liderët me veprim ose mosveprim kanë shkelur ligjet, prandaj duhet të ketë përgjegjësi të plotë për shkeljen e ligjeve”, ka thënë Hoti.

Ai më tej ka shtuar Grupi Parlamentar i LDK-së i fton deputetët të votojnë një rezolutë të ofruar nga ta si grup.

“Drejtori i Policisë, kryeprokurori, ministri i brendshëm, ministri i jashtëm, ministri i drejtësisë, ministri i infrastrukturës brenda tri dite të raportojnë para komisionit përkatës parlamentar”, ka përfunduar Hoti