Kush është prokurorja e Speciales që do t’i intervistojë komandantët e UÇK-së?

Dita e 6 dhjetorit filloi me lajmin se Gjykata Speciale ka filluar me dërgimin e ftesave personave të cilët do të merren në pyetje në Hagë.

Ish-Komandanti i UÇK-së për Zonën Operative të Llapit, Rrustem Mustafa i njohur me nofkën e luftës “Remi”, ishte i pari që dha lajmin se kishte pranuar një ftesë të tillë. Pas tij nuk vonuan ftesat edhe për Remzi Shalën, Nazif Mehmetin, Sami Lushtakun, Sokol Dobrunën dhe Safet Sylën.

Kush është Prokurorja që po i ndjek/fton komandantët e UÇK-së? 

Por kush është Prokurorja emri i së cilës figuron në njërën nga ftesat e pranuara nga një prej personave të ftuar për t’u marrë në pyetje?

Emri i prokurores Natasha Vicary-Roeder nuk është krejtësisht i panjohur për qytetarët e Kosovës .

Kjo për faktin se e njëjta ka qenë pjesë e misionit të EULEX-it në Kosovë dhe mbahet në mend lidhur me dy raste të cilat kanë bërë bujë në vend.

Prokurorja Natasha Vicary-Roeder ka qenë prokurorja e cila kishte ngritur aktakuzën ndaj ish-kryetarit të Komunës së Prizrenit, Ramadan Mujës, dhe ish-zyrtarëve të tjerë të kësaj Komune, të akuzuar bashkë me të për vepra penale të keqpërdorimit të detyrës dhe autoritetit zyrtar.

Rasti i Ramadan Mujës kishte shkuar deri në Gjykatën Supreme, e cila më pas e kishte kthyer atë në Gjykatën e Apelit dhe më pas Gjykata e Apelit ka vendosur që rastin ta kthejë në rigjykim.

Momentalisht rasti është duke u gjykuar në Gjykatën Themelore në Gjilan për faktin se zhvendosjen e gjykimit të Mujës dhe të tjerëve nga Gjykata Themelore në Prizren në ndonjë gjykatë tjetër e kishte kërkuar njëri nga mbrojtësit e të akuzuarve.

Aktakuzën tjetër, Prokurorja Viciary-Roeder e kishte ngritur ndaj 11 pjesëtareve të Njësisë Speciale të Kosovës – ROSU.

Prokurorja Natasha Vicary, gjatë një seance gjykimi ndaj ish-kryetarit të komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, në vitin 2014. Foto: Kallxo.com/Screenshot

Aleksandar Vulin, ish-Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, e kishte vizituar Graçanicën më 7 janar 2013 për të marrë pjesë në ritet e Krishtlindjeve ortodokse, ndërsa 11 policët e akuzuar ngarkohen se i ndaluan dhe keqtrajtuan disa persona që i konsideruan shoqërues të Vulinit.

Në nëntor të vitit 2015, pesë nga 11 policët e akuzuar për keqtrajtim të shoqëruesve të Vulinit janë shpallur fajtorë nga Gjykata Themelore e Prishtinës.

Historiku i raportit të Dick Martyt

Raporti i Dick Martyt për herë të parë u përmend në Këshillin e Europës në vitin 2007.

Më pas hetuesi i Këshillit të Europës, senatori zviceran Dick Marty në vitin 2010 e publikoi këtë raport me përmbajtje tronditëse përmes të cilit drejtpërdrejt e akuzonte drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës se përgjatë periudhës së luftës, kishin mbajtur peng, torturuar, vrarë dhe në fund trafikuar organet e civileve të vrarë serbë me qëllim të shitjes së tyre në treg të zi.

Aty përmendet edhe Presidenti Hashim Thaçi i cili nga Marty akuzohet se gjatë luftës së Kosovës kryesonte një organizatë kriminale e cila, sipas tij, ishte marrë me vrasje, trafik droge dhe organesh të civilëve të vrarë serbë.

Në raportin e publikuar në dhjetorin e vitit 2010, raport i cili i referohet burimeve të FBI-së thuhet se në bazë të kërkimeve është gjetur se gjatë viteve 1998-2000 ka ekzistuar një grup i vogël të cilin Marty e quan “Grupi Drenica” për të cilin thotë se ka qenë i përbërë nga personalitete te UÇK-së.

Për këtë grup në raport thuhet se kishte nën  kontroll shumicën e ndërmarrjeve kriminale të paligjshme në të cilat shqiptarët e Kosovës ishin përfshirë në Republikën e Shqipërisë.

Ai përmend Hashim Thaçin për të cilin thotë se ishte shefi apo siç thotë ai ne bazë të terminologjisë së krimit të organizuar, “bossi”, i “Grupit Drenica”.

Për grupin, Marty shkruan se kishte qenë i strukturuar me personalitete të shquara të UÇK -së, të cilët ishin quajtur “Grupi Drenica” për të ruajtur lidhjet me Luginën e Drenicës në Kosovë, e cila ne raport përshkruhet si një krahinë tradicionale e rezistencës etnike shqiptare ndaj shtypjes serbe e cilësuar ndryshe si vendlindja e UÇK-së.

Dick Marty

Sipas raportit, “Grupi Drenica i Thaçit”, thuhet se operonte me përkrahje dhe pjesëmarrje jo vetëm nga strukturat qeverisëse shqiptare, duke përfshirë qeverinë socialiste në pushtet në atë kohë, por edhe nga shërbimet sekrete të Shqipërisë dhe nga mafia të cilën e quan “mafia e frikshme shqiptare”.

Ai përmend edhe raportet konfidenciale nga agjencitë e dedikuara për luftimin e kontrabandës së drogës në të cilat thotë se në të paktën pesë vende përmendet emri i Hashim Thaçit dhe anëtareve të tjerë të “Grupit të tij”, të cilësuar si ushtrues kontrolli të dhunshëm mbi tregtinë e heroinës dhe narkotikëve të tjerë.

Raporti thotë se menjëherë pas luftës analistët e inteligjencës që punonin për NATO-n, si dhe të katër qeverive të huaja të pavarura, bënë gjetje bindëse për pasojat e menjëhershme të konfliktit në vitin 1999.

Në bazë të këtyre gjetjeve, Marty thotë se Thaçi u përmend dhe u identifikua në raportet sekrete të inteligjencës, duke u cilësuar kështu si një nga “bosët kriminelë” më të rrezikshëm të UÇK-së.

Thaçi dhe anëtarët e tjerë të grupit “Drenica” janë quajtur vazhdimisht si “lojtarë kyç” në raportet e larmishme dhe voluminoze të inteligjencës mbi strukturat mafioze të krimit të organizuar të Kosovës për të cilat Marty thotë se i ka shqyrtuar me tronditje dhe ndjenjë të zemërimit moral.

Në këtë raport ai përmend edhe figura të tjera të njohura për opinionin siç janë Xhavit Haliti, Kadri Veseli, Azem Syla, Shaip Muja dhe Fatmir Limaj për të cilët deklaron se kanë qenë pjesë e “Grupit Drenica” dhe se kanë luajtur role vitale si bashkëpjesëtarë në kategori të ndryshme të veprimtarisë kriminale.

Për të gjithë thotë se janë hetuar nën dyshimin për krime lufte ose pjesëmarrje në krim të organizuar por se “deri në ditët e sotme të gjithë në fund i janë shmangur drejtësisë efektive”.

Ai madje deklaron se beson se të gjithë këta njerëz do të ishin dënuar për krime të rënda dhe se tani do të ishin në vuajtje të dënimeve të gjata, por për mos ndëshkimin e tyre shkaku kryesor thotë të ketë qenë eliminimi, frikësimi i shumicës së dëshmitarëve të mundshëm kjo thotë të jetë bërë përmes përdorimit të dhunës, kërcënimeve, shantazheve etj.

Kurse si element të dytë përmend rrëzimin e vullnetit politik nga ana e ndërkombëtarëve për të ndjekur penalisht ish-udhëheqësit e UÇK-së, siç thotë ai duke e lejuar Thaçin dhe anëtarët e tjerë të “Grupit Drenica” në mënyrë të vazhdueshme për të shfrytëzuar pozitën e tyre me qëllim që të rrisin pasurinë personale tërësisht jashtë proporcionit me aktivitetet e tyre të deklaruara.

Tutje në këtë raport ai përmend edhe arrestimet që kishin ndodhur në nëntor të vitit 2008 në klinikën “Medicus” nën dyshimin se aty janë transplantuar organe.

Dick Marty deklaron se ky hetim shërben si provë e mëtejshme që dëshmon ekzistencën e rrjetit kriminal në Kosovë në të cilin thotë se janë të përfshirë edhe mjekët të cilët kanë vepruar si pjesë e një trafiku ndërkombëtar në Kosovë.

Ai shkruan se trafikimi i organeve gjatë konfliktit Kosovë-Serbi siç është përshkruar në raport është i lidhur ngushtë me rastin bashkëkohor të Klinikës “Medicus”.

Sipas Martyt, kjo formë e trafikimit të organeve daton qysh më herët dhe se përpos rastit “Medicus” edhe disa liderë dhe bashkëpunëtorë të UÇK-së kanë qenë të implikuar në këtë veprimtari edhe më parë.

Por që për shkak të respektimit të hetimeve dhe procedurave gjyqësore që kanë qenë duke u udhëhequr nga EULEX-i / Zyra e Prokurorit Special të Kosovës, kishte deklaruar se kishte vendosur që të përmbahej nga publikimi i gjetjeve të tjera në këtë drejtim.

Reagimet për raportin e Dick Martyt nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës

Pas miratimit të këtij raporti nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës, Dick Marty kishte deklaruar se raporti nuk ishte kundër popullit shqiptar dhe se nuk kishte të bënte me marrëdhëniet Kosovë-Serbi por që kishte të bënte me të drejtat e njeriut.

“Raporti nuk ka të bëjë fare me statusin politik të Kosovës, nuk ka të bëjë me marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe në asnjë mënyrë nuk është kundër popullit shqiptar, por ka të bëjë me të drejtat e njeriut”, kishte thënë Marty.

Publikimi i këtij raporti kishte ngjallur polemika të mëdha si në vend ashtu edhe jashtë vendit, madje kishte pasur reagime të ndryshme si nga mediat ashtu dhe nga institucionet ndërkombëtare të cilët i kishin kërkuar Martyt që të dalë me prova konkrete.

“Ne i marrim akuzat seriozisht, por e ftojmë z. Martyn që të dalë me prova”, kishte thënë Maja Kocijançiç, zëdhënëse e kryediplomates së BE-së, Catherine Ashton.

Kurse Amnesty International i kishte bërë thirrje EULEX-it që t’i ofronte të gjitha burimet e nevojshme për të kryer një hetim të plotë dhe të pavarur në lidhje me akuzat e Martyt.

Në atë kohë kishte reaguar edhe ambasadori i Kosovës në Zvicër, Naim Malaj i cili kishte thënë se të gjitha akuzat ishin të pabazuara dhe se Kosova po e konsideronte faktin e ngritjes së një padie kundër Dick Martyt.

Ndërsa përfaqësuesit e shoqatave të dala nga lufta kishin dorëzuar edhe një peticion kundër këtij raporti në Këshillin e Europës, ndërsa vetë Hashim Thaçi kishte kërkuar zyrtarisht hapjen e hetimeve në lidhje me akuzat e Martyt duke garantuar kështu edhe bashkëpunimin e plotë edhe të institucioneve të Kosovës ndërsa kishte paralajmëruar padi ndaj Marty-t, gjë të cilën nuk e bëri asnjëherë.

Dick Marty, Carla del Ponte, Jose Pablo Baraybar – “Shtëpia e Verdhë”

Si duket pikënisja e gjithë këtij lëmshi akuzash në drejtim të UÇK-së kishte filluar nga një raport i hartuar nga Jose Pablo Baraybar, ish- shef i zyrës për persona të Zhdukur të UNMIK-ut në Kosovë, ai kishte qenë i pari që kishte hapur dosjen e serbëve të zhdukur.

 Në raportin e tij thuhet se 400 persona të cilat mendohet se kanë qenë të burgosur kryesisht të nacionalitetit serb dhe rom janë zënë peng dhe janë mbajtur në mënyrë të dhunshme nga ana e UÇK-së në Shqipëri, në dy kampe për të cilat hamendësohet se kanë qenë vendet ku janë kryer transplantime te organeve të këtyre të burgosurve e që më pas janë shitur në tregun e zi.

Për këto kampe Baraybar thoshte se kanë qenë njëri në Kukës e tjetri në Burrel në të ashtuquajturën “Shtëpia e Verdhë”.

Në lidhje me dyshimet për kryerjen e këtyre krimeve mbi civilë serbë në shtëpinë e ashtuquajtur “Shtëpia e Verdhë” e lokalizuar në një fshat afër Burrelit në Shqipëri ishin bërë edhe hetime por nuk është mundur të vërtetohet se në këtë shtëpi janë kryer transplantime të veshkave me qëllim të shitjes.

Këtij raporti më pas i janë referuar edhe Carla del Ponte si dhe Dick Marty.

Ish-prokuroja e Tribunalit të Hagës Carla Del Ponte menjëherë u dha jehonë këtyre dyshimeve dhe pretendimeve të cilat më pas i publikoi edhe në librin e saj autobiografik “Gjuetia: Unë dhe Kriminelët e Luftës”. Ajo në këtë libër kishte shkruar se në bazë të dëshmive të disa dëshmitarëve anonimë pretendohet se gjatë periudhës 1999-2000 në një shtëpi në Shqipëri në afërsi të Burrelit, në shtëpinë e ashtuquajtur si “Shtëpia e Verdhë”, janë kryer krime kundër serbëve në atë mënyrë që qytetarë serb janë rrëmbyer, vrarë e më pas organet e tyre janë hequr me qëllim të trafikimit.

Kosova madje kishte kërkuar nga Sekretari i Përgjithshëm i Tribunalit të Hagës dhe autoritetet të tjera ndërkombëtare të OKB-së që të e fillonin hetimin ndaj ish-kryeprokurores së Tribunalit të Hagës, Carla del Ponte për siç thuhet “keqpërdorimin e autoritetit të saj si kryeprokurore”, në rastin Haradinaj, rastin Limaj e tjerë në vitin 2003, si dhe lidhur “me fabrikimet fantastiko-shkencore”, lidhur me akuzat e senatorit Dick Marty kundër krerëve të UÇK-së, me të cilat ajo thuhet se ka njollosur imazhin e shtetit të Kosovës.

Meqë në raportin e tij, Dick Marty kishte përmendur edhe klinikën “Medicus” për të cilën kishte shkruar se kishte shërbyer si klinikë për kryerjen e transplanteve të organeve, prokurori i çështjes Jonathan Rathel në atë kohë kishte kërkuar që në rastin “Medicus” si dëshmitar të dëgjohej Dick Marty.

Ndonëse me kërkesën e prokurorit Jonathan Rathel ishte vendosur që si dëshmitar të dëgjohej ish-seanatori Dick Marty në lidhje me këtë Gjykata kishte marrë një përgjigje nga Këshilli i Europës me të cilën ishte refuzuar kërkesa që Dick Martyt t’i hiqej imuniteti në mënyrë që i njëjti të ishte në gjendje të dëshmonte në rastin e njohur si “Medicus”.

Në këtë shkresë, Këshilli i Europës si arsye për marrjen e këtij vendimi kishte përmendur faktin se sipas ligjit asnjë anëtar i Këshillit të Europës nuk mund të ndiqet penalisht apo me padi civile si dhe të merret në pyetje për ato çka ai ka deklaruar, apo ka votuar në Këshill, duke pamundësuar kështu që Marty të dëgjohej si dëshmitar në lidhje me këtë rast.

Edhe hetuesi i EULEX-it, Zhivko Zhivkov i cili ka qenë dëshmitar në rastin “Medicus”, gjatë dëshmisë së tij në një rast ka përmendur edhe raportin e Dick Martyt dhe interesimin e tij rreth rastit “Medicus”.

Hetuesi gjatë dëshmisë së tij e ka pranuar që në një rast ishte takuar me Dick Martyn dhe se ai i kishte kërkuar informacione rreth hetimeve që ishin duke u bërë, por që hetuesi ka deklaruar se e kishte këshilluar Martyn që për këtë çështje të drejtohej te prokurori.

Në lidhje me raportin e Dick Martyt, hetuesi kishte thënë se sipas tij nuk ekziston ndonjë lidhshmëri në mes të atij raporti dhe hetimit të kryer nga hetuesit e departamentit për krime të rënda.

Themelimi i Gjykatës Speciale

Ndonëse Raporti i Dick Martyt është publikuar në vitin 2010, pas shumë e shumë përplasjesh në mes të deputeteve të Parlamentit të Kosovës, përpjekjesh dhe disa dështimeve në fund me 3 gusht 2015 deputetët e Kuvendit të Kosovës i miratuan në Kuvend ndryshimet kushtetuese të cilat i hapën rrugë themelimit të Gjykatës Speciale e cila pritet që të e fillojë punën se shpejti.

Më 7 shkurt 2017, shefja e misionit të EULEX-it në Kosovë i ka emëruar nëntëmbëdhjetë gjykatës në regjistrin e gjykatësve ndërkombëtar të dhomave të specializuara.

Gjykata e re do të dëgjojë raste që dalin nga raporti i Task Forcës Hulumtuese të BE-së, SITF, i vitit 2014, i cili thoshte se zyrtarë të paidentifikuar të UÇK-së do të përballeshin me padi për një “fushatë persekutimi” kundër serbëve, romëve dhe shqiptarëve të Kosovës që besohet të ishin bashkëpunëtorë të regjimit të Beogradit.

Në krimet e dyshuara përfshihen vrasje, rrëmbime, ndalime të paligjshme dhe dhunë seksuale.

Tashmë veç janë dërguar ftesat e para për intervisitim nga Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës në Hagë.