Objekti ku do të vendoset Gjykata Speciale | Foto: Wikimedia

Emërohen Gjykatësit e Gjykatës Speciale

Në një komunikatë të lëshuar nga Gjykata Speciale, thuhet se në këto emërime përfshihen posti i nënkryetarit dhe postet e katër gjykatësve të Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese. Gjykatësit e emëruar do të jenë fizikisht të pranishëm në selinë e Dhomave të Specializuara vetëm me kërkesë të Kryetarit, për ushtrimin e detyrave që diktojnë praninë e tyre.

“Përshëndes emërimin e juristëve me kualifikime të tilla të larta. Secili prej tyre padyshim që do të japë një kontribut të shquar në realizimin e mandatit tonë të administrimit të drejtësisë në mënyrë të drejtë dhe efikase. Hapi i ardhshëm është seanca e parë plenare të cilën unë do ta thërras së shpejti, dhe gjatë së cilës do të miratohet Rregullorja e Procedurës dhe e Provave e Dhomave të Specializuara që rregullon kryerjen e procedurave gjyqësore para Dhomave të Specializuara”, tha Kryetarja e Dhomave të Specializuara, dr. Ekaterina Trendafilova, deklaroi:

Emërimi i këtyre gjykatësve u hap rrugë lëshimit të aktakuzave nga ana e gjykatës speciale.

Në Regjistrin e Gjykatësve Ndërkombëtarë u emëruan këta gjykatës: Keith Raynor (nënkryetar nga Britania e Madhe, Roland Dekkers (Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese) nga Holanda, Anne Power-Forde (Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese) nga Irlanda, Vidar Stensland (Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese) nga Norvegjia, Antonio Balsamo (Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese, gjykatës zëvendësues) nga Italia, Kai Ambos nga Gjermania, Christoph Barthe nga Gjermania, Michael Bohlander nga Gjermania, Emilio Gatti nga Italia, Nicolas Guillou nga Franca, Thomas Laker nga Gjermania, Guénaël Mettraux nga Zvicra, Vladimir Mikula nga Republika Çeke, Andres Parmas nga Estonia, Michèle Picard nga Franca, Kenneth Roberts nga Kanadaja, Charles Smith III nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mappie Veldt-Foglia nga Holanda dhe Christine van der Wyngaert nga Belgjika.

Gjykata e re do të dëgjojë raste që dalin nga raporti i Tast Forcës Hulumtuese të BE-së, SITF, i vitit 2014, i cili thoshte se zyrtarë të paidentifikuar të UÇK-së do të përballeshin me padi për një “fushatë persekutimi” kundër serbëve, romëve dhe shqiptarëve të Kosovës që besohet të ishin bashkëpunëtorë të regjimit të Beogradit.

Në krimet e dyshuara përfshihen vrasje, rrëmbime, ndalime të paligjshme dhe dhunë seksuale.

Kuvendi i Kosovës e votoi themelimin e kësaj gjykate në gusht të vitit 2015.