Dick Marty

Gjykata e Pranon Dick Martyn si Dëshmitar

E plotësuar

Kolegji i gjykatësve në rastin e njohur në publik si Medicus, të mërkurën në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, dha vendimin lidhur me propozimin e prokurorit bërë në seancën e fundit që si dëshmitar të ftohet Dick Marty. Po ashtu urdhëroi prokurorin që ta sjell adresën e saktë të Martyt, pasi që duhet të ftohet nëpërmes kanaleve diplomatike.

Gjykata vendosi që ftohet si dëshmitar ish senatori Zviceran. Arsye e gjykatës në këtë vendim ishte që të zbulohet e vërteta nëse ka pasur ndonjë lidhje në mes krimeve të pretenduara nga Marty në raportin e tij dhe krimeve që po gjykohen në këtë gjykatë. Ai ka pretenduar që ka informacione të rëndësishme edhe për këtë rast, gjykata do ta pyes se cilat janë ato informata dhe cilat janë burimet e tij.

“Zbulimi i të vërtetës është qëllimi ynë dhe nuk do të lëmë gurë pa lëvizur për të vërtetën. Marty ka bërë një raport dhe ka një tregim për këtë çështje”, tha Dean Pinales, anëtar i kolegjit të gjykatësve.

Ish-senatori Dick Marty, i njohur për raportin e tij që ngre dyshime për trafikim organesh në Kosovë, i paraqitur në Këshillin e Evropës, pas vendimit, pritet të dëshmojë në rastin Medicus, i cili po gjykohet në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë. Marty do të kontaktohet nëse e pranon kërkesën për t’u paraqitur si dëshmitar.

Sipas kolegjit Marty nuk bije në juridiksionin e Kosovës dhe nuk ka mundësi që të ftohet detyrimisht të dëshmojë. Pra dëshmia e tij varet edhe nga vullneti i dëshmitarit Marty.

Në anën tjetër mbrojtja kërkoi që prokuroria ta sjell në gjuhën shqipe raportin e Martyt, kjo pasi që ju nevojitet për kohën e pyetjeve të dëshmitarit.

Prokurori që në fillim të seancës propozoi që të caktohet një ekspert i grafologjisë ose të thirren disa dëshmitarë që të tregojnë se i kujt ishte nënshkrimi i kontestuar nga Lutfi Dervishi dhe mbrojtja e tij. Nënshkrimi i kontestuar ishte në një letërlëshim të Medicus për dëshmitarin Raul Fain.

Për këtë propozim do të vendosë gjykata.

Gjatë ditës në pyetje u morë dëshmitari Zhivko Zhivkov, i cili ishte hetues në rastin Medicus që nga korriku i 2009-së, kur edhe kishte ardhur në Kosovë për mision. Dëshmitari ishte i kombësisë bullgare dhe enjten e përfundon misionin në Kosovë.

Dëshmitari tregoi se, nga UNMIK-u, EULEX-i e ka pranuar lëndën në janarin e 2009. “Në mesin e dëshmive që kishim pranuar në atë kohë ishte edhe libri i protokollit, ne i nxorëm emrat që dyshonim” tha dëshmitari. I njëjti vazhdoi se “informata në këtë çështje kemi marrë edhe Turkish Airlines”.

Oficeri Zhivkov tregoi se si pas këtyre hetimeve kishte parë emra që përputheshin dhe se si disa persona kishin qenë 2 herë në Kosovë. “Olga R. ishte e regjistruar me datat 8 mars dhe 13 maj të 2008-së në Kosovë” tha ai.

Zhivkov përmendi edhe emrat e Vera Sh. dhe të vajzës së saj Ana A. të cilat kishin udhëtuar që të dyja në Kosovë, ku fillimisht kishte udhëtuar e para e pastaj e dyta.

Dëshmitari para kolegjit tregoi se ka kontrolluar edhe llogarit e Lutfi Dervishit, Ilir Recajt dhe Driton Jiltas, por që nuk ka gjetur informata të dyshimta në këto llogari. Po ashtu i njëjtit kishte kontrolluar edhe llogarinë e Moshe Harelit.

“Deri tek llogaria e Harelit erdhëm pasi polici i Kosovës kishte kontrolluar se si ishte paguar bileta e tij…pastaj gjetëm se me atë kredit kartel ishin paguar edhe 3 bileta të tjera” tha Zhivkov.

Pas kontrollimit dhe studimit të llogarisë, njësiti i krimeve të EULEX-it nuk kishte gjetur ndonjë transaksion në mes të Lutfi Dervishit me Moshe Harelin, dhe në mes të Moshe Harelit me ndonjë nga të pandehurit e tjerë.

Mirëpo ky njësit kishte gjetur se në llogarinë bankare të Moshe Harelit, në Turqi në bankën Garantis Bank, kishte transaksione të dyshimta, shuma fillonte nga 40,000 euro deri në 100,000 euro.

Emrat e personave që kishin transferuar këto para ishin të njohura për dëshmitarin. “Natali Mishali, Bendix nga Kanadaja, që e ka përdorur Raul Fain etj.” shtoi ai.

Në fund dëshmitari tha se e ka takuar Dick Martyn në selinë e EULEX-it në Prishtinë (ndërtesa e Farmedit) dhe ai i kishte kërkuar që ti tregoi se ku ishin hetimet. Por dëshmitari Zhivkov tregoi se nga hetimi i tij nuk ka asnjë lidhje në mes të pretendimeve për krime e luftës së Dick Martyt dhe rastit Medicus.

Seanca e radhës në këtë çështje do të vazhdojë të enjten me dëgjimin e policit të kriminalistikës së Kosovës.