Kthimi në Tokën e Vështirë

Netëve të vona të dimrit në fund të vitit 2014, dhe fillimit të vitit 2015, me të ftohtit duke depërtuar deri në palcë, shumë fëmijë, gra e burra, shtyheshin për një biletë autobusi (që kushtonte 15-20 euro) e cila u premtonte kalim të sigurt nëpër Serbi, për t’i lënë te kufiri me Hungarinë – porta për në Bashkimin Evropian. Shumë prej tyre do ta arrinin cakun me sukses, vetëm për t’u kthyer muaj më vonë pasi që Kosova konsiderohet si vend i sigurt nga shtetet e BE-së dhe qytetarët e saj nuk kualifikohen për azil. Ata më fatkeqë, do të kapeshin nga autoritetet hungareze dhe mbaheshin nëpër kampe në kushte të mjerueshme.

Vetëm tetë vjet pas shpalljes së pavarësisë, Kosova vazhdon të përballet me papunësi të madhe, korrupsion dhe mungesë të sundimit të ligjit. Shkalla e përgjithshme e papunësisë është 35.3%, dhe mbi 60% sa i përket të rinjve. Mijëra qytetarë të shtetit të ri kanë lëshuar vendin viteve të fundit, në kërkim të mundësive më të mira në vende tjera. Përderisa në vitin 2013 afro 20 mijë kosovarë kishin kërkuar azil, këto shifra ishin dyfishuar në vitin 2014, për të arritur një rekord të ri në vitin 2015, gjatë të cilit 72,695 kosovarë kanë kërkuar azil në vendet evropiane, përfshirë këtu edhe Zvicrën.

Në fillim të vitit 2015, Kosova ishte vendi i tretë me më së shumti azilkërkues në Evropë, prirë nga Siria dhe Afganistani, dy vende në gjendje lufte.

Rreth 17 mijë emigrantë janë kthyer në vitin 2015, shumica nga Gjermania, dhe të tjerët nga Zvicra, Suedia dhe Austria. Në të shumtën e rasteve, këta emigrantë nuk e kanë ditur gjuhën dhe nuk kanë pasur plan afatgjatë të qëndrimit. Një vit pas “valës” së fundit të ikjeve nga Kosova BIRN/Kallxo u takua me emigrantët e kthyer. Vështirësitë ekonomike, borxhet, qasja në arsim kualitativ për fëmijët e tyre janë disa nga motivet e përbashkëta për ikje.

Unaza e martesës për kampet e Gjermanisë

Mirsade Osmani, 26 vjeçe, ëndërronte për një vend ku mund të jetonte denjësisht, të kishte një punë dhe një shtëpi normale për jetesë. Momentalisht, 12 anëtarët e familjes Osmani ndajnë 35 metra katrorë në një ndërtim gjysmë-formal në hyrje të Graçanicës.

Rrobat dhe gjërat e pakta ushqimore rrinë krah për krah në dhomën e vogël të cilën Mirsadja e shfrytëzon si për gjumë edhe për gatim.

Bashkë me të shoqin dhe të birin dy vjeçar, pasi që shitën pasuritë e pakta, Mirsadja u nis për në Gjermani në fund të vitit 2014.

http://kallxo.com/kthimi-ne-shtepi-pa-unaze-martese/

Ajo është nënë e një djali dy vjeç e gjysmë dhe sapo ka lindur edhe një vajzë. Burri i saj, Rrahmani, nuk ka një punë të sigurt, duke fituar kafshatën e gojës si punëtor krahu për 5 euro në ditë.

Kur ajo, djali dhe burri i saj u nisën për Gjermani, u detyruan ta shisnin edhe motokultivatorin me të cilin punonte Rrahmani. Vet Mirsadja, shiti gjithë arin që kishte duke përfshirë edhe unazën e martesës për t’i bërë një mijë euro.

“Shitëm gjithçka… i morëm pak do rroba me vete dhe u nisëm,” shpjegon Osmani. “Këtu s’ka asgjë, s’ka punë, s’ka ndihma, s’ka kurrgjo”.

Mirsadja dhe familja e saj i përkasin komunitetit ashkali. Ishin kushtet e rënda për jetesë, mungesa e të ardhurave që kishte detyruar familjen të migronte.

“Askush s’ka qef me e lanë shtëpinë e vete e me marrë një rrugë që s’e din, po menduam që ka me qenë pak ma mirë se këtu, s’paku bukë me pasë me hangër dhe një punë çka me punu”, tha ajo.

Për të mjaftonte sigurimi i një strehe ku nuk hynte të ftohtit e dimrit dhe bukës së nevojshme për të birin.

Rruga për në Gjermani kishte qenë shumë e vështirë. Në të ftohtin e madh djali i vogël kishte zhvilluar bronkit. Në Gjermani kishin qëndruar një vit, fillimisht në kampe e pastaj në baraka dhe banesa.

“Për atë kohë sa ishim atje, ishte mirë, merrnin një ndihmë sociale, djalit kisha çka me i ofru për ushqim, e kishim ngrohtë”, tregon ajo, në një dhomë ku stufa me dru është i vetmi burim i ngrohjes.

Paratë që kishte marrë nga ndihmat, ata i kishin dërguar tek familja në Graçanicë që të nisnin një shtëpi, e cila tash ka themelin dhe materialin për t’i vazhduar muret. Gjatë kësaj kohe, Mirsadja kishte mbetur shtatzënë.

Pa i paralajmëruar, në ora 3 të mëngjesit, policia kishte trokitur në derën e tyre, duke iu thënë se për 10 minuta duhet ta linin banesën dhe të ktheheshin për Kosovë.

“Shpresojshim që s’paku sa jam shtatzënë s’na kthejnë në Kosovë,” thotë ajo, “tash nuk di se çka me bo, me dy fëmijë të vegjël, nuk di si kemi me ia dalë”.

Në gjysmën e parë të vitit 2015, 56% e të kthyerve të regjistruar kanë marrë ndihma emergjente me t’u kthyer në Kosovë, ndërsa vetëm 9% e tyre kanë përfituar nga programet për riintegrim të qëndrueshëm.

Valon Krasniqi, drejtor i departamentit për shtetësi, azil dhe migracion, në Ministrinë e Punëve të Brendshme shpjegon se ministria ka një plan për riintegrimin e të riatdhesuarve. Megjithatë, ky plan përfshin vetëm qytetarët që kanë lëshuar vendin para vitit 2010.

“Ne nuk mund t’i përkrahim ata [të rikthyerit e fundit] sepse në këtë mënyrë është si me i përkrahë, e ata dihet që kanë ikur ilegalisht”, thotë Krasniqi.

Por në fakt, riintegrimi i të kthyerve është një prej kushteve kryesore për liberalizimin e vizave. Është kërkesë eksplicite e BE-së, në raportin e fundit për liberalizimin e vizave, që fondi 3.2 milionësh të shpenzohet plotësisht.

Kosova dështoi në fund të vitit 2015 për të hyrë në grupin e vendeve që përfitojnë nga regjimi pa viza brenda zonës Schengen në Bashkimin Evropian, duke qenë i vetmi vend i Ballkanit, qytetarët e të cilit kanë nevojë për viza.

Ndërsa BE-ja përmendi numrin e madh të azilkërkuesve të paligjshëm nga Kosova si pengesë për liberalizmin, qeveria e Kosovës e quajti mospranimin “vendim politik të lidershipit të BE-së”.

Sipas të njëjtave kushte nga bashkimi Evropian, qeveria do të duhej t’i ofronte qytetarëve të kthyer ndihmë me punësim, themelim te bizneseve, trajnime profesionale dhe kurse gjuhësore për fëmijët e riatdhesuar.

Shemsi Çitaku para shtëpisë së tij/ Foto: Atdhe Mulla
Shemsi Çitaku para shtëpisë së tij/ Foto: Atdhe Mulla

 Dyert e BE-së mbyllen për të gjithë

Në një fshat gjysmë malor, Shemsi Çitaku kishte mbyllur shtëpinë nga tullat e dheut që e kishte trashëguar nga babai. Dyzetvjeçari nga Bajçina e Podujevës u nis drejt Gjermanisë së bashku me gruan, vajzën dhe dy djemtë. Tre muaj më vonë ishin kthyer.

Shemsiu kishte shpresuar që vajza e tij 16 vjeçare, Fjolla, e cila është e prekur nga Daun sindrom, do të kishte qasje në shkollim më adekuat dhe trajtim më të mirë.

Komuniteti me sindrom Down janë të margjinalizuar në Kosovë, përderisa fëmijët me këtë sindrom vijojnë mësimin në shkolla të rregullta. Në librat shkollorë, njerëzve me këtë sindrom ende i referohen si “mongoloidë”, në mes të tjerash.

Ndërsa në të gjithë vendin, sipas Ministrisë së Arsimit, janë rreth një mijë fëmijë me aftësi të kufizuara që ndjekin mësim.

Shemsi Çitaku me vajzën e tij, Fjollën, në dhomën e ndejës/ Foto: Atdhe Mulla
Shemsi Çitaku me vajzën e tij, Fjollën, në dhomën e ndejës/ Foto: Atdhe Mulla

“Jam nisur më së shumti për këtë çikë,” thotë Çitaku, duke shtuar se kishte ikur edhe për të mirën e përgjithshme të familjes. Rrogat e vogla në Kosovë, sipas tij, e bëjnë të pamundshme përparimin.

Para se të iknin, ata kishte shitur të gjitha kafshët shtëpiake ndërsa kur ishte kthyer kishte gjetur vetëm shtëpinë e vjetër, të zbrazët. Para ikjes, Çitaku kishte filluar ndërtimin e shtëpisë, i ndihmuar nga një kredi dhe miqtë. Shtëpia është përfunduar, por nuk është e banueshme.

Në Gjermani, familja Çitaku kishin qëndruar për tre muaj në kampe të ndryshme duke shpresuar që do t’u aprovohej azili.

“Kam harxhuar afër 4 mijë euro”, tregon Shemsiu. Para se të ikte, Çitaku kishte punuar punëtor teknik në shkollën fillore “Enver Maloku” në Podujevë, me një rrogë prej 180 eurosh në muaj.

Zhgënjimi i tij kishte nisur sapo kishte arritur në Gjermani. Atje kishte zbuluar se thashethemet se të gjejnë banesë dhe punë menjëherë kishte qenë vetëm “propagandë”. Për të kishte qenë e pamundshme të gjente një punë pa leje qëndrimi. Një vit pas, ai nuk është i mendimit se do të merrte të njëjtën rrugë.

“Tash me më thënë edhe me kerr shko dhe me më thënë se 80 ose 90 për qind të nalin atje, nuk nisna,” thotë ai me vendosmëri.

Foto: Atdhe Mulla
Foto: Atdhe Mulla

Blegtori i dëshpëruar dhe shpresa e brishtë e Schengenit

Për dallim nga Çitaku, Jeton Tërnava, 46 vjeçar, s’do të mendonte dy herë për të dalë sërish.

“Kur kemi dashtë me u nisë për Gjermani e kom qitë [shtëpinë] në shitje, pastaj e kom largu tabelën, tash e kam qitë prapë”, thotë ai.

Ai planifikon që me shitjen e shtëpisë, e cila gjendet vetëm disa qindra metra larg Kalasë së vjetër të Vushtrrisë, t’i paguajë kreditë që i ka në bankat e ndryshme të vendit, dhe të dalë të jetojë dhe punojë dikund në tokë bujqësore në periferi.

“Diku 18 mijë euro i kam borxhe”, duke pyet se si t’i shpagojë ato. “Njeri po jetojka me shpresa”, thotë ai plot pikëllim.

Për shkak të normave të larta të kamatës, 40% e të gjithë huamarrësve në Kosovë kanë problem me ngarkesë të borxhit, sipas BQK-së. Më të prekura janë familjet, 44.7% e të cilave shfrytëzojnë më shumë se 50% të të hyrave mujore për të shpaguar borxhet.

Deri në vitet ‘90 Tërnava thotë se ka pasur një jetë “si në ëndërr”.

“Kisha një punë, me të ardhurat që fitoja siguroja jetesën e familjes, e madje mund të shkoja edhe në deti, si në Ulqin, Budvë e vende të tjera të ish-Jugosllavisë,” shpjegon ai, përkundër që edhe në atë kohë kishte kryer punë bujqësore. “Me krahasu atë jetë me tash uhuuu është shumë larg, ndryshe”.

Në vitin 2008, Jetonin e kishin larguar nga puna në Korporatën Energjetike të Kosovës, ku kishte qenë udhëheqës i grupit të teknikëve riparues. Ky departament më nuk është funksional në KEK. Rroga prej 315 eurosh kishte siguruar mbijetesën e familjes prej 7 anëtarësh.

Ai ishte detyruar të hynte në kredi. “Sa për mos me ja zgjatë dorën kërkuj, mos me ra rast social”, shpjegon ai. Me kredinë që kishte marrë, i kishte blerë 5 lopë, për të cilat ishte dënuar nga komuna e cila nuk lejon mbajtjen e kafshëve shtëpiake në qytet.

Duke huazuar sërish nga banka, Jetoni kishte investuar në një tokë bujqësore në periferi të Vushtrrisë dhe kishte blere dele.

“Në atë kohë u lajmëruan sëmundjet e deleve, dy vite rend, dhe prapë dështuam,” thotë ai, duke shtuar se nga dështimet e njëpasnjëshme, fëmijët ishin filluar të dëshpërohen dhe të kërkojnë zgjidhje jashtë vendit.

“Filluan të më luten… thoshin babë donë me na lanë veç neve pas bagëtive e pas këtyre, pa të ardhme,” shpjegon Jetoni, i cili kishte shpresuar që do të mund të rrinte në Gjermani aq sa për t’i shpaguar kreditë. Por, atje kishin mbetur vetëm 5 muaj e gjysmë.

Kur e kishin marrë lajmin se duhej të ktheheshin në Kosovë, më së shumti ishin zhgënjyer fëmijët.

“U kthyem me shpresën se kur të kthehemi na ndihmojnë diçka, na gjejnë një punë, po s’kishte kurrgjo,” thotë ai.

I biri i Jetonit, punon kamerier në një lokal në Vushtrri për 5 euro në ditë. Dy djemtë e tjerë, janë në shkollë, por kanë pak shpresa se do arrijnë të regjistrohen në Fakultet në Prishtinë, shkaku i shpenzimeve mujore.

Jetoni thotë se po të bëhej liberalizimi i vizave, djemtë do i niste jashtë Kosove, tek te afërmit e tyre, dhe do të shkonte edhe vetë që të punonte.

Sipas një raporti të UNDP-së, Kosova ka rreth 874 mijë qytetarë të saj në diasporë, ndërsa 13 mijë kosovarë migrojnë çdo vit në shtete të ndryshme për arsye të punësimit, shkollimit dhe qëndrimi.

Ndonëse nuk dihet kur do të marrë rekomandimin për liberalizim të vizave Kosova, për shkak të kritereve ende të papërmbushura, Ministria e Integrimit Evropian (MIE) shpreson që kjo do të ndodhë në mars.

Sipas Blerta Aliut, këshilltare për media në MIE, ministria është duke përgatitur një fushatë për të informuar qytetarët për të drejtat po edhe obligimet e tyre në rast se liberalizimi të ndodhë.

“Në rast të shkeljeve eventuale dhe abuzimit të liberalizimit të vizave, pasojat për individin përfshijnë: shqiptim të gjobës në të holla, shënim zyrtar në dosjen tuaj ku figuron shkelja dhe ndalim të hyrjes në zonën Schengen në të ardhmen,” shpjegon ajo.

Në rast se vërehet një numër “i dukshëm” i abuzimeve, “Bashkimi Evropian mund të suspendojë liberalizimin e vizave,” deklaron ajo. Deri sot, asnjë shtet anëtar i BE-së nuk ka kërkuar suspendimin e liberalizimit të vizave për ndonjë shtet.

Plotësisht pesimist, Jetoni thotë, “Unë sa kom jetu më s’jetoj, por fëmija, rinia, këtu me sa po doket nuk ka kurrgjo. Le të dalin të punojnë, ta kenë një jetë të mirë, normale”.