Donald Trump zotohet të kthejë një politikë të viteve ‘50 që shkaktoi vuajtje për miliona emigrantë

Në verën e vitit 1954 administrata e ish presidentit Eisenhower ndërmori një operacion me natyrë ushtarake për të dëbuar emigrantët meksikanë që kishin hyrë në mënyrë të paligjshme në Shtetet e Bashkuara.

Ish-presidenti Donald Trump e ka vlerësuar këtë operacion që kur kandidoi për herë të parë për postin.

Ata që kanë vuajtur pasojat e tij dhe historianë argumentojnë se zoti Trump po përdor fragmente të historisë për qëllime politike ndërkohë që po anashkalon dështimet e administratës amerikane gjatë presidencës së tij.

Mes atyre që u prekën nga operacioni i vitit 1954 ishte edhe Noelia Sanchez, bijë prindërish meksikanë, e lindur në Misuri.

Noelia Sanchez lindi në tokat bujqësore të jugperëndim të Misurit, ku prindërit e saj meksikanë ishin punëtorë sezonalë, në vitet 1950.

Kur ajo ishte 1 vjeç, Noelia dhe e ëma, Aurora, të cilat ndryshe nga punëtorët meshkuj nuk kishin dokumente pune, u ndaluan së bashku me dhjetëra emigrantë të tjerë në zonën e Çikagos. Vajza e lindur në SHBA dhe nëna e saj u detyruan të ktheheshin në Meksikë së bashku me qindra mijëra të tjerë.

“Nuk ishte diçka normale. Por ndoshta isha shumë e vogël për ta kuptuar atë që po ndodhte. Dija vetëm që më morën së bashku me nënën. Por nuk e dija se cila ishte arsyeja që na ndanë”, tregon Noelia Sanchez, bijë emigrantësh meksikanë.

Dëbimet e tyre ishin pjesë e një përpjekjeje të qeverisë amerikane që në dokumentet zyrtare dhe në media njihej si “Operacioni Wetback”, një shprehje që u referohej meksikanëve që kalonin me not lumin Rio Grande për të hyrë në mënyrë të paligjshme në SHBA, dhe që konsiderohet një fyerje racore.

“Kur i tregova djalit, shumë vite më parë, për dëbimin dhe gjithçka tjetër, ai bëri disa kërkime, dhe në arkiva zbuloi se kjo kishte ndodhur gjatë periudhës së atij operacioni”, thotë Noelia Sanchez.

Djali i Noelias tani është avokat emigracioni në Çikago.

“Ky është realiteti në të cilin u rrita në Çikago, shumë i vetëdijshëm për marrëdhëniet tona me policinë dhe qeverinë amerikane, që është një nga arsyet e shumta që më nxitën të ndjek studimet për drejtësi”, shprehet Joaquin Sanchez.

Që kur kandidoi për herë të parë për president, zoti Donald Trump ka lavdëruar bastisjet e bëra gjatë presidencës Eisenhower.

Tani ai po u premton votuesve se do të ndërmarrë operacionin më të madh të dëbimit në historinë amerikane, madje përtej nivelit të viteve 1950.

Zoti Trump ka përshkallëzuar retorikën e tij kundër emigrantëve teksa kërkon një mandat të dytë, duke u shprehur para mbështetësve të tij, në dy raste në javët e fundit, se emigrantët po “helmojnë gjakun e vendit “.

Njerëzit e prekur nga “Operacioni Wetback” dhe historianë mbi emigracionin argumentojnë se zoti Trump po përdor fragmente të historisë dhe retorikës për qëllime politike, ndërkohë që anashkalon dështimet e administratës së tij për të kryer dëbime masive, edhe pse miratoi kufizime të forta mbi azilin./ VOA