Komuna e Gjilanit ia 'Huq' Procedurës në Tenderin për Derivate

Paneli shqyrtues i OShP-së e ka anuluar aktivitetin e prokurimit “Furnizim me derivate për auto-vetura dhe gjeneratorë” për shkak se autoriteti kontraktues – Komuna e Gjilanit – ka shkelur nenin 36 të Ligjit për Prokurim Publik për Procedurat për Kuotimin e Çmimit.

Paneli shqyrtues ka konstatuar se ky aktivitet i prokurimit duhet të anulohet për faktin se Komuna e Gjilanit nuk ka parashikuar njësitë e sakta dhe se çmimet nuk kuotohen për njësi, por duhet të jenë për tërë sasinë e parashikuar, çka do të thotë se vlera e kontratës duhet të jetë me çmim fiks, e jo me çmime variabël.

Gjykata e Tenderëve ka gjetur edhe shkelje të tjera.

“Komuna e Gjilanit në këtë rast ka vepruar në kundërshtim me nenin 36 të Ligjit të Prokurimit. Po ashtu Autoriteti Kontraktues ka kërkuar çmim për Premium, por në dosje të tenderit nuk ka parashikuar mënyrën e kalkulimit, kurse në këto raste është e domosdoshme të përcaktohet metodologjia e përllogaritjes së çmimeve”, theksohet në vendimin e OShP-së.

Edhe eksperti shqyrtues ka konstatuar se autoriteti kontraktues nuk i ka përfillur kërkesat bazike të LPP-së, konkretisht Procedurën e Kuotimit të Çmimeve.

“Procedura e Kuotimit të Çmimeve dallon nga procedurat e tjera për arsye se çmimi i kuotuar duhet të jetë për tërë sasinë e artikujve apo shërbimeve të kërkuara, çka do të thotë se kontrata e lidhur përmes kësaj procedure duhet të jetë fikse dhe këtë e sqaron neni 36 paragrafi 2 i LPP-së”, thuhet në mendimin e ekspertit.

Sipas tij, Komuna e Gjilanit nuk e ka ndjekur procedurën e prokurimit në përputhje me nenin 36 të Ligjit të Prokurimit dhe nuk kemi njësi të sakta dhe çmimet nuk kuotohen për njësi, por duhet të jenë për tërë sasinë e parashikuar që do të thotë se vlera e kontratës duhet të jetë me çmim fiks e jo me çmim variabël.

Në arsyetimin e vendimit të panelit shqyrtues të OShP-së thuhet se në rastin konkret është përdorur çmimi për njësi dhe përshkrimi i çmimit në formën si e ka përshkruar autoriteti kontraktues te lista e çmimeve është karakteristikë e kontratave kornizë, që do të thotë se një përshkrim i tillë i çmimeve nuk mund të kërkohet te procedura e Kuotimit të Çmimeve për arsye se kontratat kornizë nuk mund të gjejë zbatim përmes një procedure të tillë.

Kjo shkelje e gjetur nga OSHP-ja nuk ishte pjesë kryesore e ankesës nga operatorët ekonomik. Ata janë ankuar për eliminim për shkak të çmimit.

OE “Petrol Company” është ankuar pasi është eliminuar nga procedura e prokurimit për shkak të arsyes se ka ofruar çmim katërshifror pas presjes dhjetore, por njëkohësisht edhe OE i rekomanduar “IP – KOS”,  ka ofruar çmim treshifror pas presjes dhjetore.

Kundër njoftimit për dhënie të kontratës, operatori ekonomik “Petrol Company” – Fushë Kosovë, me datë 3 janar 2018 ka bërë kërkesë për rishqyrtim tek autoriteti kontraktues. Me 9 janar 2018, autoriteti kontraktues ka marrë vendim dhe e ka refuzuar kërkesën për rishqyrtim të operatorit ekonomik “Petrol Company” – Fushë Kosovë.

Operatori Ekonomik “Petrol Company” si palë e pakënaqur ka deponuar ankesë në OShP, me 19 janar 2018 kundër njoftimit për dhënien e kontratës.

Në ankesën e “Petrol Company” – Fushë Kosovë thuhej se AK – Komuna e Gjilanit ka vepruar në kundërshtim me nenin 18.3 të Udhëzuesit Operativ i Prokurimit Publik, si dhe nenin 53.2 të Procedurave të Kuotimit të Çmimit.

Komuna e Gjilanit e kishte rekomanduar për kontratë kompaninë “IP-KOS”. Në arsyetimin e vendimit se për shpërblim me kontratë është theksuar se korrigjimi i çmimit është bërë me pëlqimin e OE, gjë që Ligji për LPP nuk njeh ndonjë mënyrë të korrigjimeve të tilla sepse këtu nuk bëhet fjalë për gabime aritmetike dhe në asnjë mënyrë dosja nuk e ka përcaktuar një gjë të tillë që OE-ve nuk ju lejohet të ofrojnë çmime me më shumë se dy numra pas presjes dhjetore.

Në vendimin e OShP-së thuhet se nëse merren për bazë çmimet e tilla ashtu si janë kuotuar do të shohim se më arsyeshme është oferta e OE “Petrol Company” se sa oferta e OE – “IP – KOS”, të rekomanduar për kontratë.

“Për arsye se çmimi përfundimtar prej 9,900 litra sipas kuotimit të çmimeve që e ka dhënë OE ankues rezulton të jetë 9,900.99 euro (9900 x 0.0001), ndërsa oferta e OE të rekomanduar rezulton të jetë 10,187.10 (9900 x 0.029), çka do të thotë se në bazë të shumës së planifikuar vlera e kontratës kalon limitin e kontratës me vlerë të vogël, dhe njëkohësisht del më e pafavorshme për vetë Autoritetin Kontraktues”, theksohet në vendimin e OShP-së.

Njoftimi për kontratë në lidhje me aktivitetin e prokurimit “Furnizim me derivate për auto-vetura dhe gjeneratorë” është bërë me 15 dhjetor të vitit 2017.

Njoftimi për dhënie të kontratës nga Komuna e Gjilanit për këtë aktivitet të prokurimit është bërë me 3 janar 2018. Komuna e Gjilanit e kishte përzgjedhur operatorin ekonomik nga Prishtina, “IP – KOS”. Numri i tenderëve të pranuar në këtë aktivitet të prokurimit ishte dy, OE – “Petrol Company” dhe OE – “IP – KOS”. Vlera e parashikuar për këtë kontratë ishte 9,950 euro e cila kategorizohet te kontratat me vlerë të vogël.

http://kallxo.com/lutfi-haziri-pezullon-nga-puna-dy-drejtore-te-komunes/