Protesta e punëtorëve të "Drinit të Bardhë" | Foto|: KALLXO.com

Kompania e ujitjes operon pa leje ujore

Zyra Kombëtare e Audimit ka gjetur me dhjetëra raste ku Kompania Regjionale e Ujitjes “Drini i Bardhë” nuk ka vepruar sipas ligjeve dhe rregulloreve në fuqi. Janë evidentuar shumë lëshime të bëra në pasqyrën financiare, të cilat ia kanë pamundësuar auditorit të jep një opinion për këto pasqyra.

“Për shkak të rëndësisë së çështjeve të përshkruara në paragrafin e bazës për mohim të opinionit, ne nuk ishim në gjendje të sigurojmë evidencën e nevojshme të auditimit për të pasur një bazë për një opinion të auditimit. Prandaj, ne nuk shprehim opinion për këto pasqyra financiare”, thuhet në raportin e Auditorit.

Madje, sipas ZKA-së, kjo ndërmarrje është duke operuar pa leje ujore.

“Drini Bardhë nuk kishte arritur të siguroj Lejen Ujore, në përputhje me kërkesat e Ligjit për Ujërat në Kosovë nr. 04/L-147 (neni 71 pika 1). Edhe përkundër përpjekjeve për sigurimin e saj, nga muaji gusht i vitit 2014, Drini i Bardhë vazhdon të punoj pa leje ujore, për shkak se organi kompetent (Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor) i kishte refuzuar kërkesën si të pa kompletuar”, thuhet në raportin e Auditorit.

Auditorit e ka vlerësuar të rrezikshme operimin pa leje të kësaj kompanie publike, pasi që mund të përballet me masa ndëshkimore e që do të sjelltë kompaninë në një situatë të vështirë financiare.

Sipas zyrës kombëtare të Auditimit, Kompania në fund të vitit të kaluar kishte bërë inventarizimin e aseteve të saja, mirëpo sipas ZKA-së nuk përputhet me regjistrin e aseteve.

“Raporti i inventarizimit përmban 27 asete (kanale të ujitjes) të cilat nuk ishin regjistruar në regjistrin e aseteve, përderisa as raporti i inventarizimit nuk i përmban gjashtë asete të cilat janë në regjistrin e aseteve, për të cilat ne nuk ishim në gjendje të përfitojmë evidenca lidhur me plotësinë dhe saktësinë e aseteve dhe si rrjedhoje e kësaj dhe zhvlerësimin e tyre”, thuhet në të gjeturat e ZKA-së.

Kjo ndërmarrje publike i ka mbetur borxh edhe punëtorëve të saj. “Drini i Bardhë” kishte deklaruar se për vitet 2008-2016 ka obligime ndaj punëtorëve mbi 97 mijë euro, mirëpo dëshmi ka ofruar vetëm për vitet 2013 deri 2015 e që shuma arrin 61 mijë euro. ZKA gjithashtu ka gjetur se kompania nuk posedon dëshmi për obligimet që kjo kompani ka ndaj punëtorëve gjatë periudhës 2008-2012, edhe pse kishte prezantuar borxhin ndaj punëtorëve për periudhën 2008-2016.

ZKA-ja nuk i ka besuar as shifrave që kjo kompani ka dhënë për të hyrat e shtyera e që ishin 2,608,651 euro, sepse kompania nuk posedon regjistrime kontabël lidhur me këto të hyra.

“Bazuar në regjistrin e pasurive vlera e granteve në fund të vitit 2017 ishte 1,554,732€, mirëpo marrë parasysh se regjistri i aseteve nuk është i plotë nuk mund të marrim siguri se edhe vlera e aseteve të përftuara nga grantet është e saktë dhe njëkohësisht të hyrat e shtyera të jenë të sakta. Si rrjedhoje e kësaj nuk mund të vërtetohen edhe të hyrat nga grantet në Pasqyrën e të Ardhurave”, thuhet tutje në raportin e ZKA-së për këtë kompani.

Kjo kompani nuk ka mbajtur fare regjistrime sa i përket fitimeve dhe humbjeve.

“Kompania nuk ka mbajtur regjistrime në kontabilitet lidhur me fitimet/humbjet e mbajtura dhe nuk ishte në gjendje të ofronte evidenca të mjaftueshme dhe të përshtatshme për këtë zë”, thuhet në raport.

Raporti i Auditorit ka gjetur se jo kompania nuk kishte llogaritur dhe nuk e kishte deklaruar TVSh-në për 16 raste të cilat në total kanë pasur vlerë prej 20 mijë e 237 euro. Këto shitje që i ka bërë kompania, sipas auditorit nuk kanë qenë të liruara nga TVSH-ja. Sipas raportit, kjo mund të dërgoj edhe në ndëshkim për kompaninë nga ana e Administratës Tatimore të Kosovës.

Kompania “Drini i Bardhë” në 10 raste me vlerë prej 3 mijë e 588 euro nuk kishte fare kontratë për furnizim me mallra dhe shërbime.

“Ne kemi vërejtur që kompania nuk zhvillon procedura të prokurimit me rastin e blerjeve të mallrave dhe shërbimeve, përveç me rastin e blerjeve të pasurive jo qarkulluese”, thuhet në raportin e auditorit.

Kjo kompani ka prezantuar në pasqyrat financaire një Kapital të emëruar prej 1 milionë e 147 mijë euro, por i njëjti nuk ishte i bazuar në fakte.

“Përveç kapitalit themeltar që është cekur në statutin e kompanisë në vlerë 25,000€, kompania nuk posedon shënime kontabël apo dëshmi të tjera lidhur me përbërjen e kësaj shume. Ne nuk ishim në gjendje të kryejmë procedurat e rregullta të auditimit për këtë shumë”, thuhet në raportin e Auditorit.

Kompania madje nuk kishte as regjistrime në kontabilitet për fitime apo humbje, si dhe kishte mos-përputhje me borxhet që palët e treta ia kishin kompanisë.

“Llogaritë e arkëtushme në PVF-të e vitit 2016 ishin 62,216 euro, ndërsa kompania gjatë vitit 2017 kishte njohur 48,960€ si shpenzime për borxhe të këqija. Menaxhmenti i kompanisë nuk ishte në gjendje të na ofroje evidenca lidhur me llogarit të cilat i ka njohur si borxhe të këqija, dhe për shkak të këtij efekti ne nuk jemi në gjendje të vërtetojmë saktësinë e llogarive të arkëtueshme në fund të vitit e cila ishte 45,361€”, thuhet në raportin e Auditorit.

http://kallxo.com/punetoret-e-drinit-te-bardhe-pa-paga-para-vitit-te-ri/